Fjalimi i Presidentes Gordana Siljanovska Davkova drejtuar qytetarëve

16 Mars 2025 | Fjalimet, Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova iu drejtua qytetarëve, me rastin e tragjedisë që herët në mëngjes ndodhi në Koçani.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

 Të nderuar bashkëqytetarë,

Të gjithë jemi të tronditur, edhe unë jam e tronditur: si nënë, si njeri, si Presidente.  Ende nuk më besohet se tragjedia e dhimbshme në Koçani është realitet.

Nuk mund të gjej fjalë që t’u shpreh ngushëllime prindërve dhe më të afërmve të të ndjerëve.   Dhimbja juaj e pamasë është edhe dhimbja ime.

Në mëngjes i vizitova spitalet.  Para tyre më pritën prindërit e të lënduarve, me shpresë dhe me besim te kuadri mjekësor.  Edhe unë, si ata, besoj se do ta bëjnë jo vetëm atë që kanë mundësi por edhe të pamundurën që t’i ndihmojnë të dashurit e tyre.

E di dhe ndiej se nuk jemi vetë, menjëherë u paraqitën jo vetëm fqinjët por edhe shtetet më të largëta.

Më të lënduarit u transportuan në klinikat e specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Turqi që t’u jepet ndihmë dhe intervenim mjekësor i nivelit më të lartë.  Njerëzit e mirë nga i gjithë rajoni, Evropa dhe Bota janë me ne.  Nuk do ta harrojmë asnjëherë këtë akt bamirësie.   Do t’ju jemi mirënjohës përgjithmonë.

Qytetarë të nderuar dhe të dashur

Ju lutem, të udhëhequr nga humanizmi dhe empatia të bashkohemi në këtë dhimbje të vetëdijshëm se vdekja dhe sëmundja na prekin të gjithëve njësoj, pa marrë parasysh asnjë lloj përkatësie.

Nuk është koha për ndarje dhe konfrontime, sidomos kur janë në pikëpyetje të rinjtë, jeta e të cilëve u fik për një moment për shkak të arbitraritetit, improvizimit dhe manipulimit.

Pa standarde dhe rregulla nuk duhet të funksionojë asnjë veprimtari dhe aktivitet.

Asnjë që mban përgjegjësi këtë herë nuk duhet të anashkalojë drejtësinë, ligjin dhe dënimin!

Të mos e njollosim sakrificën e të pafajshmëve të ndjerë, t’i bashkojmë forcat rreth të mbijetuarve.  Të mos lejojmë askush më t’i rrezikojë jetët e njerëzve të pafajshëm.

Të mos i sakrifikojmë kurrë më standardet dhe sigurinë e njerëzve për fitimin dhe pasurinë e individëve.

Nuk ka asgjë më të vyeshme sesa jetë njerëzore, sidomos jeta e të rinjve.

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit