Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, duke filluar nga sot, do të qëndrojë në vizitë pune në Venedik, në Republikën e Italisë, për të marrë pjesë në shënimin e 35-vjetorit të formimit të Komisionit Europian për Demokraci përmes së drejtës (Komisioni i Venedikut), organ këshillimor i Këshillit të Europës.
Është paraparë Presidentja Siljanovska Davkova më 11 tetor të flasë në shënimin solemn të përvjetorit, ku, krahas mysafirëve të tjerë të lartë, është paralajmëruar prania e presidentit të Republikës ]së Italisë, Serxho Matarela dhe presidentes së Republikës së Moldavisë, Maja Sandu. Ngjarja në fjalë do të paraprihet nga hapja e ekspozitës me temë “Demokracia përmes së drejtës: nga Republika Serenissima deri Komisionin e Venedikut të Këshillit të Europës”.
Presidentja Siljanovska Davkova do të takohet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, si dhe me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Mark Cools.
Në kuadër të vizitës, Presidentja Siljanovska Davkova do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit maqedonas në Itali dhe do të mbajë fjalim në një pritje që do të mbahet në Konsullatën e Përgjithshme në Venedik me rastin e 11 tetorit, Ditës së Kryengritjes Popullore.
Presidentja Siljanovska Davkova ishte përfaqësuesja e Maqedonisë në Komisionin e Venedikut nga viti 2008 deri në vitin 2016.