Presidentja Siljanovska Davkova: Ligji për aksion klimatik dhe zbatimi i tij i qëndrueshëm do të jetë pikëkthese në mbrojtjen dhe përparimin e mjedisit jetësor

30 Tetor 2024 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti fjalim në evenimentin “Në prag të Konferencës së 29-të të palëve të Konventës së OKB-së për ndryshimet klimatike – COP29: zmadhimi i ambicieve dhe mundësimi i aksionit” organizuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor dhe Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe burimeve Minerale.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

I nderuar përfaqësues i përhershëm i UNDP-së
Të nderuar ministra,
Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin e veçantë sot të jem midis luftëtarëve shumëvjeçarë për aksionin klimatik, si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga ato akademike dhe nga sektori joqeveritar. Ndryshimet klimatike janë në krye të agjendës sime.  E ndjek me vëmendje këtë temë.  Prandaj, e falënderoj UNDP-në, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e organizuan shkëmbimin e sotëm të mendimeve.

Ne jemi këtu për t’u përgatitur për  Konferencën e ardhshme të 29-të të Palëve në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – COP29, e cila këtë vit mbahet në Baku. Në disa javët e ardhshme, Baku do të jetë qendra e diplomacisë globale të klimës, ku shtetet, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, do të harmonizojnë ambiciet dhe veprimet e tyre klimatike. Qëllimi i COP29 është të përshpejtojë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit dhe të mbajë ngrohjen globale në suazat 1,5 °C.

Si Presidente do ta udhëheq delegacionin tonë nacional në Samitin e aksionit  për klimën, ku do t’i prezantoj angazhimet, prioritetet dhe sfidat maqedonase në ballafaqimin me ndryshimet klimatike.

Të nderuar të pranishëm,

Në suazat botërore, pjesa maqedonase në emetimin e gazeve serrë, dhe rrjedhimisht në ngrohjen globale, është e papërfillshme. Por në nivel kombëtar dhe lokal, kjo përqindje paraqet një rrezik serioz shëndetësor, ekonomik dhe të sigurisë.

Sipas UNICEF-it, çdo i nënti rast vdekjeje te të porsalindurit në vend lidhet me ajrin e ndotur. Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se rreth 4.000 njerëz vdesin çdo vit në vend nga ajri i ndotur. Prandaj, një nga arsyet kryesore të emigrimit të njerëzve nuk është shuma e pagës, por cilësia e jetës dhe, veçanërisht, cilësia e mjedisit jetësor. Emigrimi i popullsisë së re dhe të aftë për punë çon drejt stagnimit ekonomik.

Por përveç shëndetit dhe ekonomisë, emetimet e gazeve serrë janë gjithashtu një rrezik sigurie. Ato po çojnë me shpejtësi në ndryshime klimatike me pasoja potencialisht katastrofike. Ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta si valët e të nxehtit, thatësirat, stuhitë dhe përmbytjet, duke përfshirë edhe rajonin tonë, janë vetëm një paralajmërim i asaj që sjell e ardhmja për brezat e ardhshëm. Nëse realizohen skenarët negativë të klimës, pyetja është a do të mund të flasim edhe për qëndrueshmëri, apo do të duhet të fillojmë të mendojmë për mbijetesën, përkatësisht aftësinë për të jetuar?

Që të ballafaqohemi me këtë rrezik të trefishtë, ne duhet ta ngremë çështjen në nivelin më të lartë. Edhe si deputete në Kuvend kam kërkuar vendosjen e të ashtuquajturës “karrige e gjelbër”, përkatësisht një vend i garantuar për pjesëmarrjen e sektorit joqeveritar në diskutimet për zgjidhjet ligjore që lidhen me mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike. Së fundmi në Këshillin e Sigurimit kam emëruar ekspertin në fushën e meteorologjisë dhe ndryshimeve klimatike, prof. Dr. Vllado Spiridonov. Si shtet, ne duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe reduktimit të rrezikut nga katastrofat.

Duhet të vazhdojmë, gjithashtu, edhe me reformat ligjore. Me padurim e pres ditën kur të nënshkruaj dekretin për shpalljen e Ligjit për aksion klimatik. Unë besoj se ky ligj i vonuar prej kohësh do të jetë një pikë kthese në aksionin tonë për klimën. Është mirë që versioni përfundimtar i punës i projektligjit të jetë në përputhje me direktivat më të fundit evropiane. Por gjëja më e rëndësishme është që Ligji të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Dhe kjo për të paktën tri arsye.

Së pari, me ligj do t’i afrohemi drejt realizimit të një prej vlerave themelore të rendit tonë kushtetues, që është “mbrojtja dhe promovimi i mjedisit jetësor dhe natyrës”. Ligji do të ndihmojë në realizimin e të drejtës së garantuar me Kushtetutë të njeriut “për një mjedis jetësor të shëndetshëm” dhe do të krijojë një detyrim ligjor për promovimin dhe mbrojtjen e natyrës. Kohët e fundit, më lejoni t’ju kujtoj, Gjykata e Lartë vendosi qëndrim parimor se shteti është i detyruar të sigurojë mjedis të shëndetshëm jetese dhe se secili mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtës së tij, veçanërisht në situatë kur autoritetet publike nuk kanë ndërmarrë veprimet të cilat, në përputhje me ligjin, kanë qenë të obliguar t’i ndërmerrnin.

Arsyeja e dytë është se me Ligjin për aksion klimatik do të zbatojmë praktikisht një pjesë të klasterit ndoshta më të vështirë dhe më të shtrenjtë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”. Ky klaster përfshin kapitujt mbi transportin, energjinë, rrjetet transevropiane dhe mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Vlerësohet se rreth 3.1 miliardë euro nevojiten vetëm për kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik. Është mirë që Plani Ekonomik dhe i Investimeve dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian ofrojnë fonde specifike për këtë fushë të rëndësishme.

Në këtë drejtim, COP29 do të jetë me rëndësi thelbësore për sigurimin e fondeve për zbatim. Prandaj, ne duhet t’i paraqesim strategjitë, planet dhe aktivitetet tona dhe të kërkojmë burime financiare për zbatimin e tyre. Financimi është çelësi i zbatimit, veçanërisht i dekarbonizimit të sektorit të energjisë. Në periudhën e kaluar jam takuar me shumë përfaqësues të lartë të bankave investuese që tashmë janë të përfshira në Platformën e investimeve për një tranzicion të drejtë energjetik.

Por, ka edhe një arsye të tretë pse Ligji është i rëndësishëm. Qëllimi i reformave është transformimi i shprehive. Rreth 30 vjet më parë, filozofi dhe profesori i madh francez në universitetet e Sorbonës dhe Stanfordit, Mishel Sera, botoi një libër brilant të titulluar “Marrëveshja natyrore”, që do të thotë Zhan-Zhak Ruso “Marrëveshja shoqërore”, kurse dhe Mishel Sera “Marrëveshja natyrore”, në të cilin me të drejtë pohon se disa shekujt e fundit, njerëzimi është në luftë me natyrën.

Nga pikëpamja ekologjike dhe klimatike, dëmi i përgjithshëm që i bëhet botës nëpërmjet shfrytëzimit dhe ndotjes është i barabartë me shkatërrimin që do të linte një luftë botërore. Marrëdhëniet tona aktuale ekonomike në kohë paqeje për fat të keq prodhojnë të njëjtat rezultate si edhe konfliktet globale.

Neve na nevojitet një marrëveshje shoqërore me natyrën, përkatësisht një marrëveshje natyrore, me të cilën natyrën do ta trajtojmë si partner, jo si kundërshtar. Por që ta bëjmë këtë hap, duhet të ballafaqohemi me dy lloje ndotjesh. E para është ndotja materiale, teknologjike dhe industriale e ajrit, tokës dhe ujit. Por shumë më e rrezikshme është ndotja e dytë, jomateriale e ndërgjegjes individuale dhe shoqërore, që e trajton natyrën si një burim që duhet të shfrytëzohet pa mëshirë. Nëse duam të luftojmë kundër ndotjes së mjedisit, duhet të luftojmë kundër ndotjes së vetëdijes sonë, njerëzore. Ky është qëllimi i çdo ligji dhe çdo reforme – t’i ndërgjegjësojë njerëzit dhe t’i ndihmojë ata të ndryshojnë shprehitë prodhuese, konsumuese dhe, në përgjithësi, shprehitë e jetesës.

Që ta zgjidhim krizën klimatike, duhet të fillojmë të mendojmë në mënyrë afatgjatë, jo afatshkurtër, të ndalojmë planifikimin vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme, por të planifikojmë për brezat e ardhshëm.

Në fund, besoj se ky eveniment, nëpërmjet diskutimit të hapur dhe shkëmbimit të mendimeve të ekspertëve, do të na ndihmojë të përcaktojmë qëndrimet me të cilat do të veprojmë si vend në COP29 në Baku.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takimi i Presidentes Siljanovska Davkova me Piter Smolvud, anëtar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë

Takimi i Presidentes Siljanovska Davkova me Piter Smolvud, anëtar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua me Piter Smolvud, anëtar i shquar i Partisë Konservative britanike dhe me Ron Nering, drejtorin e programeve ndërkombëtare të Institutit amerikan për lidership dhe ish-kryetarin e Partisë Republikane të Kalifornisë....