Presidentja Siljanovska Davkova mbajti fjalim në kongresin e 18-të evropian të Federatës ndërkombëtare për edukim fizik dhe sport FIEPS

31 Maj 2024 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, sot në Ohër, mbajti fjalim në hapjen e kongresit të 18-të evropian të Federatës ndërkombëtare për arsim fizik dhe sport FIEPS, në suazat e të cilit do të mbahet konferenca e 6-të shkencore “Hulumtimi në edukimin fizik, sportin dhe shëndetin”. Kongresi, që mbahet deri më 2 qershor në Ohër, organizohet nga Fakulteti për arsim fizik, sport dhe shëndet në bashkëpunim me Fakultetin pedagogjik “Shën. Klimenti i Ohrit” dhe Federata e pedagogëve sportistë të Maqedonisë.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në Ohër, në kryeqytetin shpirtëror, kulturor dhe sportiv maqedonas. Këtu para 70 vjetësh filloi të mbahet Maratona e notit e Ohrit. Në bregun e Liqenit të Ohrit lindën kolosët e notit maqedonas – Niko Nestor dhe Atina Bojaxhi – notarët e parë maqedonas që më shumë se gjysmë shekulli më parë e kaluan me not Kanalin La Mansh.

Si rrjedhim, nuk ka vend më simbolik se Ohri për mbajtjen e Kongresit evropian të Federatës ndërkombëtare për edukim fizik dhe sport – FIEPS.

Aktiviteti fizik është një nga gjërat më të rëndësishme për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit fizik dhe mental të njerëzve. Jam e bindur se sporti parandalon shumë sëmundje jongjitëse, përmirëson aftësitë njohëse, përmirëson gjumin dhe zvogëlon rreziqet e ankthit dhe depresionit.

Por, edhe përkrah këtyre përfitimeve të dukshme, sipas vlerësimeve të OECD-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, madje një e treta e popullsisë evropiane në moshë madhore nuk është sa duhet aktive fizikisht. Ajo mund të rezultojë dhe rezulton me mbi 11 milionë raste të reja të sëmundjeve jongjitëse deri në vitin 2050 dhe me një barrë të madhe buxhetore për sistemin shëndetësor dhe social të çdo vendi.

Ka më shumë arsye për këtë situatë shqetësuese. Aktiviteti fizik, i cili në të kaluarën ishte pjesë e pandashme e përditshmërisë, sot është në margjinat e jetës. Për shkak të mënyrës moderne të punës dhe jetesës, gjithnjë e më shumë njerëz, duke përfshirë edhe të rinjtë, janë kapur në rrjetin e ekraneve të kompjuterëve dhe televizioneve, mediave sociale dhe ushqimit të shpejtë.

Si të dalim nga kjo spirale? Përgjigja qëndron, siç dëgjuam tashmë, në qasjen holistike ndaj aktivitetit fizik dhe sportit. Në praktikë, kjo nënkupton të ndihmosh njerëzit të zhvillojnë shprehi të shëndetshme dhe të bëjnë jetë fizikisht aktive.

Sporti mund të jetë shkollë e jetës nëpërmjet së cilës fëmijët dhe të rinjtë do të mësojnë mbi vlerat olimpike, shoqërinë, vetëbesimin, lojën e ndershme dhe pranimin e diversitetit. Më të rriturit, si unë, do të mund të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe të përmbushur, duke ruajtur gjendjen e tyre fizike pavarësisht nga mosha.

Besoj se ju, pjesëmarrësit e Kongresit evropian, me ekspertizën dhe përvojën tuaj mund të kontribuoni në zhvillimin e politikave të mira për edukimin fizik. Kurse, është pikërisht me politika të tilla holistike do të ndërtojmë shoqëri më të shëndetshme, më aktive dhe më gjithëpërfshirëse, anëtarët e të cilave do të konkurrojnë për sukses.

Me këtë, në fund, i përgëzoj organizatorët dhe ju uroj kongres të suksesshëm.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit