Pjesëmarrja dhe fjalimi i Presidentes Siljanovska Davkova në kremtimin e festës së patronit dhe dhjetëvjetorit të themelimit të shkollës së mesme “Shaip Jusuf” në Shuto Orizari

2 Shkurt 2025 | Kumtesat

Presidentja me kënaqësi të veçantë e pranoi ftesën të jetë pjesë e kremtimit të festës së patronit të gjimnazit “Shaip Jusuf” dhe me nder të veçantë foli për rëndësinë e rezultateve dhe sukseseve në këto dhjetë vjet ekzistencë.

Ajo e theksoi vizionin e kolosit Shaip Jusuf, autor i gramatikës së parë të gjuhës rome, ëndrra e të cilit për gjuhë rome të standardizuar u bë pjesë e rëndësishme e rrëfimit shumëgjuhësor, arsimor, kulturor dhe social maqedonas, por edhe inspirim dhe nxitje në luftën për arritje të ngjashme nacionale nga romët në mbarë botën.

Për të, arritjet e realizuara nga nxënësit flasin për mësimin e tyre të zellshëm dhe besimin e sinqertë në fuqinë e njohurive, por edhe për punën e përkushtuar pedagogjike të profesorëve të tyre, si edhe për menaxhimin e suksesshëm të gjimnazit.

Në shpërblimet e shumta në sport, art, gjuhë, oratori, matematikë dhe drejtësi, dallon një sfidë të qartë kundër stereotipave për romët dhe inkurajim të palëkundur për çrrënjosje të tyre.

Sipas saj, bashkëpunimi i gjerë dhe i frytshëm me shkollat e tjera të mesme, por edhe me një sërë institucionet të arsimit të lartë dhe kompani është një dëshmi e pakontestueshme për zhvillimin dhe udhëheqjen e vazhdueshme arsimore-pedagogjike të “Shapi Jusuf”.

Presidentja e kujtoi misionin ndërkombëtar të “mbretëreshës së muzikës rome” Esma Rexhepova, zëri i së cilës depërtoi dhe i kapërceu kufijtë kombëtarë, rajonalë dhe evropianë, duke shpërhapur në mënyrë autentike këngën dhe gjuhën rome si pjesë e dallueshme, e njohur dhe e pandashme e trashëgimisë muzikore maqedonase, multikulturore  të njohur gjerësisht

Për evenimentin foli edhe drejtori i shkollës, mr. Doan Sulejmanovski, i cili i falënderoi nxënësit, profesorët dhe të gjithë punonjësit për sukseset dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme dhe shkurtimisht u ndal në rrugën e mrekullueshme zhvillimore.

Në suazat e programit kulturor-artistik performancë kushte edhe orkestra e shkollës e cila interpretoi muzikë filmash, potpuri këngësh dhe vallesh tradicionale dhe kompozicione nga Dimitrij Shostakoviç.  Për punën e deritanishme të shkollës u shfaq edhe një film dokumentar i përgatitur nga kuadri arsimor dhe nga nxënësit.

SHQSH “Shaip Jusuf” është shkolla e parë e mesme në Komunën Shuto Orizari.  Nxënësit kanë mësim në drejtime të ndryshme të arsimit profesional, si vijon:  dega ekonomik-juridik dhe tregtar, dega ndërtim-gjeodezi, dega shëndetësi, dega shërbime personale dhe hotelierike-turistike.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.

I nderuar drejtor Doan Sulejmanoski,

I nderuar ministër, Shaban Saliu,

Të dashur nxënës, miq të çmuar,

Jam e lumtur, por edhe krenare që sot me akademi solemne e kremtojmë 10-vjetorin e fillimit të punës në shkollën e mesme “Shaip Jusuf”. Dikush do të thotë një jubile i vogël, por enorm për rëndësinë e vet.   Në ndërtesën moderne të shkollës në Shuto Orizari, gjimnazistët mësojnë të njohin, të respektojnë dhe të kontribuojnë për zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit.

Vizionarët kanë ëndrrat e tyre dhe me mençuri lënë gjurmë si shtigje që brezat e ardhshëm t’i ndjekin ato dhe ta arrijnë qëllimin e tyre.
Sot, kur kjo shkollë feston një përvjetor të rëndësishëm, dhjetë vjet pasi ra zilja e parë e shkollës, besoj se profesor Shaip Jusuf është i lumtur që ëndrrat e tij u realizuan pikërisht këtu. Kanë zënë rrënjë të thella. Shkupiani Shaip u la amanet të gjithë romëve në botë duke e botuar Gramatikën e gjuhës rome rreth dyzet vjet më parë. Kjo është një vepër e madhe, një kontribut qytetërues.

Shpirti vizionar i Shaipit ecën në zyrat, klasat dhe korridoret e shkollës suaj. Kurse unë shoh se motoja e shkollës përputhet shumë me misionin e saj, të cilin ju e vazhdoni: “PROGRESI DHE ZHVILLIMI I ÇDO VENDI VARET NGA PROFILI ARSIMOR DHE KUADRI ARSIMOR NË SHTET.”

Pikërisht kështu. Dhe ju në gjimnazin tuaj këtë po e dëshmoni në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht meritën për këtë e kanë edhe kuadri drejtues dhe pedagogjik. Pashë se puna e tyre pedagogjike, metodika dhe aftësitë motivuese janë shndërruar në arritjet e nxënësve.
Jeni përgatitur për konkurse në njohuri dhe aftësi, ose thënë me gjuhën e popullit, jeni mbathur mirë.   Ju përgëzoj për këtë. Prej dhjetë vitesh jeni duke u rritur dhe duke ecur përpara, duke krijuar rrjet bashkëpunimi me institucione dhe kompani të larta shkencore, duke krijuar punëtorë të ardhshëm me vlerë, por edhe drejtues në shumë fusha.

Ju me siguri jeni të vetëdijshëm se shteti dhe qeveria maqedonase kanë një Strategji të përcaktuar për përfshirjen e romëve, kurse ekzistenca e kësaj shkolle është dëshmi se si duket kjo në praktikë. Veprimet flasin më shumë se fjalët. Në këtë shkollë aktualisht janë rreth 300 nxënës, kurse unë do të doja që të funksiononte me kapacitet të plotë, që është shtatëqind dhe besoj se kjo gjë është e mundur. Ju i motivoni të tjerët me sukseset tuaja. Nxënësit e kësaj shkolle kanë fituar shumë çmime në sport, art figurativ, gjuhë, oratori, aktrim, matematikë dhe në lëndën dhe disiplinën time të preferuar – drejtësinë dhe besoj se kjo do t’i motivojë romët që të regjistrohen në këtë shkollë në një numër gjithnjë e më të madh.

Këtu fitohet njohuri, por thyhen edhe temat tabu dhe stereotipat, nga të cilat dimë se vuajnë romët. Vazhdoni të thyeni stereotipat. Projekti juaj i jashtëzakonshëm “Mission Red” për shëndetin menstrual dhe riprodhues është njohur dhe financuar nga kompania e huaj “DM”. Urime për këtë! Unë besoj te ju, në këtë ekip që po krijon një histori suksesi me përkushtim. Ju po e vazhdoni misionin dhe vizionin e profesor Shaip Jusufit.

Në fund, duke ju uruar për dhjetëvjetorin tuaj, dua vetëm të kujtoj një grua nga Shkupi e njohur në mbarë botën si “mbretëresha e muzikës rome” – Esma Rexhepova. Dhe ajo kishte një mision, një vizion dhe një zë që jo vetëm i tejkaloi kufijtë, por gjithashtu i theu stereotipat dhe ndihmoi që bota t’i kuptonte më mirë romët. Në Festivalin evropian të këngës në Malme, ajo këndoi një pjesë të këngës në gjuhën rome dhe kjo ishte diçka që ndodhi për herë të parë. Ja çfarë ka thënë Esma dikur: “Romët janë kozmopolit, një popull fisnik dhe i mirë, ata nuk kanë okupuar apo luftuar kurrë me askënd. Ata duan të jetojnë së bashku, por vetëm nëse dikush u jep një dorë”. Ne e kemi dhënë atë dorë dhe duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur dhe të përpiqemi të jemi më të mirë – të ndërtojmë një shoqëri të qytetarëve të barabartë. Kurse, romët janë pjesë e pandashme e historisë sonë të suksesit maqedonas.

Gëzuar përvjetorin, urime studentëve dhe projekteve të shpërblyer. Jini krenarë për atë që keni arritur! Unë jam krenar për ju!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Pjesëmarrja e Presidentes Siljanovska Davkova në “Mëngjesi global i grave” i organizuar nga Lidhja e kimistëve dhe teknologëve të Maqedonisë, me rastin e 11 shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë

Pjesëmarrja e Presidentes Siljanovska Davkova në “Mëngjesi global i grave” i organizuar nga Lidhja e kimistëve dhe teknologëve të Maqedonisë, me rastin e 11 shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori pjesë në manifestimin “Mëngjesi global i grave 2025”, i cili u mbajt në Institutin e kimisë në Fakultetin Shkencor-Matematikor në Shkup me temën “Lidhja për një të ardhme të qëndrueshme”. [gallery...