Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot ua dha bursën “Boris Trajkovski” për vitin akademik 2024/2025 20 studentëve më të mirë që do të vazhdojnë shkollimin në kampusin evropian të Universitetit Jork, CITY COLLEGE në Selanik, Greqi.
Në fjalën e saj në këtë manifestim, Presidentja Siljanovska Davkova tha se studimi në Kampusin Evropian të Universitetit të Jorkut, CITY COLLEGE në Selanik, është një sfidë e vërtetë intelektuale dhe jetësore për çdo të ri të vendosur që të thellojë dijen, të zgjerojë horizontet përtej atdheut, të konkurrojë me fisnikëri dhe krijojë miq me të rinj nga shtet dhe kultura të ndryshme, për të mësuar nga profesorë të shquar, që të përparojë dhe të fisnikërohet.
“Vazhdojeni misionin e Presidentit Trajkovski në ndërtimin e mirëkuptimit, miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit, në këtë rast nëpërmjet diplomacisë arsimore, shkencore dhe kulturore ndërmjet dy shteteve. Vërtetoni se arsimi dhe dija bashkojnë dhe nuk përçajnë”, theksoi Presidentja.
Presidentja u tha fituesve të bursave se diploma e dyfishtë si kurorë e studimeve të suksesshme do t’i bëjë ata më të sigurt në vetvete, do të rrisë vetëvlerësimin e tyre dhe do të hapë shumë dyer për angazhim profesional dhe do të inkurajojë lëvizshmërinë arsimore.
“Jam e sigurt se zgjedhja juaj për bursistë nuk është e rastësishme, por e merituar. Besoj dhe uroj që të jeni shembull për studentët e ardhshëm siç ishte dhe mbetet shembull frymëzues i një lideri politik me dinjitet, integritet dhe thellësi shpirtërore Presidenti Trajkovski!”, tha Presidentja Siljanovska Davkova.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke përshëndetur bursistët, theksoi se bursa “Boris Trajkovski” është mundësi e mirë që studentët të marrin një diplomë të dyfishtë: nga Universiteti i Jorkut dhe Universiteti i Strasburgut, kurse gjatë qëndrimit studimor në Britaninë e Madhe, Francë dhe Greqi të jenë pjesë e mjediseve të reja, dinamike, për të mësuar, por edhe për t’u shoqëruar me të rinj që vijnë nga kultura të ndryshme, duke krijuar miqësitë të përjetshme.
“Si shtet, e mbështesim mobilitetin arsimor dhe politikat e Bashkimit Evropian për të përballuar ikjen e trurit dhe Qeveria, nëpërmjet një qasjeje multiresore, krijon masa dhe aktivitete për të reduktuar largimin e kuadrove që na nevojitet”, theksoi, ministrja Janevska.
Duke u uruar mirëseardhjen bursistëve të Kampusit evropian të Universitetit të Jork, CITY COLLEGE, drejtori Joanis Ververidis theksoi se MBA Ekzekutive është një program ndërkombëtar, i ofruar nga profesorë ndërkombëtarë të kalibrit të lartë, qëllimi i të cilit është përmirësimi dhe zhvillimi i aftësive të tyre drejtuese dhe menaxhuese.
“Qëllimi ynë është t’ju ofrojmë përvojë unike arsimore ndërkombëtare që do t’ju lejojë të arrini dhe të përparoni në mjedisin global dhe të bëni një ndryshim në shoqërinë dhe ekonominë e vendit tuaj dhe të gjithë rajonit, duke kontribuar për të mirën publike”, theksoi drejtori Ververidis.
Bursat “Boris Trajkovski” për studime të ciklit të dytë të programit MBA ekzekutiv jepen që nga viti 2003 dhe deri më tani janë dhënë 297 bursa. Dhënia e këtyre bursave është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Presidentit, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Fondacionit Ndërkombëtar “Boris Trajkovski” dhe CITY COLLEGE në Selanik. Bursistët e këtij viti do të marrin dy diploma për studime në master për Administrim Biznesi nga Universiteti i Jorkut, Mbretëria e Bashkuar dhe Universiteti i Strasburgut, Francë.