Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u drejtua në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL) në Tiranë ku theksoi se në kushtet e ndryshimeve dramatike gjeopolitike, me gjithnjë e më pak multilateralizëm dhe gjithnjë e më shumë multipolaritet, me luftë në tokën europiane – integrimi paraqet imperativ urgjent gjeopolitik dhe të sigurisë për Bashkimin Europian.
Ajo theksoi se është veçanërisht e rëndësishme përgjegjësia e shteteve anëtare të rajonit, të cilat duhet të paraqesin nxitës të zgjerimit dhe jo burim të barrikadave që dëmtojnë kredibilitetin e Unionit.
Duke theksuar se bashkëpunimi rajonal duhet të avancohet dhe se duhet të përqendrohemi mbi çështjet kryesore – nga ikja e trurit deri te ndryshimet klimatike, Presidentja Siljanovska Davkova tha se rajoni duhet të mbështetet në mënyrë proaktive në mënyrë që të mos reduktohemi në periferi gjeopolitike dhe gjeoekonomike.
Presidentja Siljanovska Davkova shtoi se ne kemi nevojë për infrastrukturë, energji dhe lidhje digjitale të përmirësuar në mënyrë që rajoni të jetë më konkurrues në tregun më të gjerë europian dhe global.
Duke shprehur mirënjohje për solidaritetin rajonal të shprehur përmes kujdesit vetëmohues ndaj të lënduarve në zjarrin tragjik në Koçan, ajo vuri në dukje se me hapjen e institucioneve shëndetësore për qytetarët e lënduar maqedonas, si dhe aktivizimi i Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, u manifestua miqësi të sinqertë, kujdes fqinjësor dhe humanizëm në një nga ngjarjet më tragjike bashkëkohore për vendin.
Ajo theksoi se rruga drejt së ardhmes europiane është përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit, por theksoi se kjo rrugë nuk është pa pengesa: një pengesë serioze vjen nga paragjykimet e vjetra në disa qendra europiane që ende e shohin Ballkanin si një periferi të paqëndrueshme, të përbërë nga shtete të zhytura në konflikte, vetë-bllokada dhe sabotim të ndërsjellë.
Duke theksuar se një pengesë edhe më serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë, përmes abuzimit me të drejtën e vetos, kushtëzimeve të identitetit dhe revizionizmit historik, ajo vlerësoi: këto veprime jo vetëm që ngadalësojnë procesin e integrimit europian, por edhe përforcojnë stereotipet se Ballkani nuk është gati për Europën.
Duke theksuar se kandidatët për anëtarësim, në vend të solidaritetit dhe procesit të drejtë, po përballen gjithnjë e më shumë me pengesa për shkak të çështjeve bilaterale, Presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi se në vend të europianizimit të Ballkanit – po dëshmojmë një trend të rrezikshëm të ballkanizimit të Bashkimit Europian dhe theksoi se kjo duhet të ndryshohet për të mirën e të gjithëve.