Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nëpërmjet videomesazhit mbajti fjalim në Konferencën ndërkombëtare shkencore dhe profesionale “75 vjet – edukim i organizuar, rehabilitim dhe punësim i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që u organizua nga Sindikata e Specialistëve dhe Rehabilitatorëve.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
Të nderuar edukatorë specialë dhe rehabilitatorë,
Të nderuar hulumtues, kuadër mjekësor, prindër dhe të gjithë ju që përfshiheni në këtë mision human dhe fisnik,
Me nder të veçantë dhe respekt të thellë ju drejtohem në këtë përvjetor të rëndësishëm – 75 vjet nga hapja e derës së parë për arsimin për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara.
Sot festojmë 75 vjet punë të palodhur, përkushtim dhe këmbëngulje, vite këmbëngulje dhe dashuri, vite që nuk janë thjesht shifra, por edhe dëshmi për çdo hap tuajin në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë.
Sot festojmë punën afatgjatë të Sindikatës së Edukatorëve Specialë dhe Rehabilitatorëve – organizatë që ka dekada që përpiqet të përmirësojë kushtet për personat me aftësi të kufizuara, prindërit dhe familjet e tyre. Ju faleminderit për vendosjen e gurthemelit për inkluzionin në shoqërinë maqedonase dhe që punoni çdo ditë kundër diskriminimit.
75 vjet, nuk është vetëm koha prapa nesh, por edhe një frymëzim i dëshmuar për të ndryshuar shtetin me aftësi të kufizuara që heq dorë nga potenciali i shumë njerëzve.
Sot, të gjithë së bashku, ju dhe unë, kemi një mision të përbashkët: Të skicojmë të ardhme në të cilën personat me aftësi të kufizuar do të kenë mbështetje dhe mundësi për zhvillim personal dhe profesional
Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë
Ky jubile është një moment i vërtetë për të përballuar dhe pranuar sfidën e ndryshimit!
Konferenca është mundësi e shkëlqyer për të zbuluar mënyra për të përmirësuar diagnostikimin dhe rehabilitimin, modernizimin e arsimit dhe sigurimin e fondeve për këto qëllime.
Angazhimi juaj dëshmon se inkluzioni nuk është vetëm nevojë, por imperativ social për të ndërtuar një shtet pa pengesa, në të cilin të gjithë, pa përjashtim, do të ndihen qytetarë të barabartë.
Çdo fëmijë, çdo i ri, çdo i rritur me aftësi të kufizuara është person dhe meriton arsim cilësor, mbështetje dhe siguri. Shumë familje në Maqedoni përballohen çdo ditë me sfidat e rritjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe sistemi ynë është i detyruar t’i mbështesë, t’u ofrojë kujdes dhe burime, të krijojë kushte që çdo person të vlerësohet.
Inkurajoj çdo edukator, çdo rehabilitues, çdo prind dhe çdo mbrojtës të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara që të vazhdojnë punën e vështirë dhe humane për ndërtimin e një shoqërie pa barriera dhe stereotipa për personat me aftësi të kufizuara, një shoqëri në të cilën do të ndihen të pranuar dhe të respektuar.
Jam krenare për ju dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Është radha jonë, që përfaqësojmë shtetin, të synojmë reformat që çojnë në një pjesëmarrje më të madhe të personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje dhe integrimin e tyre social.
Le të përballohemi në mënyrë kritike dhe autokritike me sukseset dhe dështimet e këtyre 75 viteve. Të ndërmarrim përgjegjësinë. Të pranojmë ide të reja në krijimin e zgjidhjeve. Le të dëgjojmë me vëmendje më të diturit dhe më të përkushtuarit për problemet e personave me aftësi të kufizuara, por edhe veten e tyre.
Faleminderit për punën e palodhshme që ju bën të mëdhenj në sytë e mi, por edhe në sytë e personave me aftësi të kufizuara. Faleminderit për vetëmohimin, për humanizmin tuaj.
Ju uroj punë të frytshme, rezultatet e së cilës do të na ndihmojnë ne, përgjegjësit, të kapërcejmë paaftësinë tonë për të perceptuar problemet tuaja më të hidhura dhe që t’i zgjidhim ato së bashku me ju!
Ju faleminderit.