Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në konferencën e Gjykatës Kushtetuese

22 Nëntor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën përmbyllëse të Gjykatës Kushtetuese me temë “Më shumë mbrojtje juridike për qytetarët nëpërmjet ankesës gjithëpërfshirëse dhe efektive kushtetuese” si pjesë e projektit “Promovimi i ankesës kushtetuese si mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore në Maqedoninë e Veriut”. Konferenca mbahet në bashkëpunim me Fondacion Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik.

E nderuar kryetare e Gjykatës Kushtetuese, të nderuar gjykatës,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të mbaj fjalim në hapjen e konferencës së Gjykatës Kushtetuese, në bashkëpunim me Fondacionin gjerman për bashkëpunim ndërkombëtar juridik, që u kushtohet mundësive për vendosje ankesës kushtetuese në rendin kushtetues-juridik në shtet. Sipas meje, vlera e shtuar e kësaj konference është karakteri i saj ndërkombëtar që përbën një mundësi të përkryer për shkëmbim të përvojave të gjykatësve dhe ekspertëve tanë nga fusha e shkencës dhe e praktikës me kolegët e tyre nga rajoni, përkatësisht gjykatat kushtetuese të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Gjykata jonë Kushtetuese ka një traditë të gjatë e cila daton që në periudhën e zhvillimit tonë juridik-shtetërore në ish-Jugosllavi. Gjykata Kushtetuese për herë të parë është vendosur në rendin juridik me Kushtetutën e ish-Republikës Socialiste të Maqedonisë të vitit 1963, kurse vitin e ardhshëm 1964 filloi me veprimtarinë  e vet. Me këtë rast më lejoni t’ju uroj paraprakisht jubileun gjashtëdhjetëvjeçar.

E përmend këtë fakt sepse vendosja e gjyqësorit kushtetues ishte një hap i rrallë dhe i pazakontë në një sistem socialist njëpartiak, siç kishim në ish-Jugosllavi, i cili padyshim përfaqësonte një hap pozitiv në uljen e vullnetarizmit politik dhe vendosjen e dominimit të nomenklaturës së atëhershme politike në pushtet brenda kornizave ligjore.

Me Kushtetutën e vitit 1991, Gjykata Kushtetuese vazhdoi të funksionojë, por në rrethana të ndryshuara dukshëm të një shteti të pavarur me sistem politik demokratik. Në këtë kuptim, puna dhe vendimet e përbërjes së atëhershme të Gjykatës Kushtetuese ishin një garanci jashtëzakonisht e rëndësishme që kalimi në një shoqëri demokratike dhe pluraliste të bazuar në parimet e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ndarjen e pushtetet dhe ekonomia e tregut, do të zhvillohet në kornizën e parashikuar nga kushtetuta e re.

Mjafton të rikujtojmë se Maqedonia nuk ka pasur asnjë përvojë demokratike në historinë e saj deri në vitin 1991 që ta kemi të qartë se cila ishte përgjegjësia e gjykatësve në atë kohë. Sipas bindjes time, Gjykata Kushtetuese dhe gjykatësit e saj në ato periudha kyçe të ndërtimit të shtetit dhe të sistemit të ri demokratik e mbajtën me sukses barrën e kohës, për të cilën dua t’u shpreh mirënjohje dhe t’i falënderoj për punën e tyre.

Në kohën në të cilën jetojmë tani për sa u përket problemeve që na shtrohen nuk mund të vlerësohet si shumë më e favorshme se situata e tridhjetë viteve më parë. Sukseset e padyshimta në ndërtimin e shtetit dhe etablimin e tij ndërkombëtar, sot, për fat të keq, shpeshherë janë nën hijen e mangësive serioze në funksionimin e shtetit juridik. Këto probleme nuk janë vetëm një element kyç në raportet për përparimin tonë në integrimin evropian dhe një temë publike, por, shumë më e rëndësishme, sipas të gjitha anketave të opinionit publik, ato janë gjithashtu një prioritet kyç i qytetarëve përveç pozitës së tyre socioekonomike.

Mangësi vihen re në funksionimin e gjyqësorit në tërësi, në punën e Këshillit Gjyqësor, në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, aksesin në drejtësi, gjykimet brenda një afati të arsyeshëm, mbrojtjen nga diskriminimi, kurse, në raste të caktuara, dhe me kushtetutshmërinë e ligjeve që i miraton Kuvendi. E gjithë kjo ndikon mbi perceptimin publik dhe pakënaqësinë qytetare me funksionimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Prandaj dua të them nga ky vend se problemi i shtetit ligjor është një prioritet kyç shtetëror, kurse  nga suksesi apo dështimi i zbatimit përfundimtar të reformave të nevojshme do të varen edhe shumë procese që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Në këtë kontekst, një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm në reforma është edhe zhvillimi dhe puna e mëtejshme e Gjykatës Kushtetuese.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë,

Rëndësinë e vërtetë të Gjykatës kushtetuese e ndjeu çdo qytetar në shtet në të kaluarën e afërme, përkatësisht, gjatë pandemisë kovid-19. Në situatë pa precedent në historinë e afërme edhe te ne, por edhe në nivel global, institucionet tona u gjenden para sfidës si të menaxhohet me shtetin në betejën me një virus për të cilin në atë dinim pak dhe nga pasojat e të cilit, për fat të keq, humbën jetën shumë bashkëqytetarë tanë.

Me këtë rast dua të them se edhe për mua personalisht ato momente ishin jashtëzakonisht të vështira, jo vetëm nga aspekti shëndetësor, por edhe nga aspekti i kushtetutshmërisë i vendimeve që duhet të merreshin. Në gjendjen e një parlamenti jofunksional dhe një qeverie me mandat teknik, duhej të vepronim në atë mënyrë që nga njëra anë të sigurohej funksionimi i institucioneve dhe nga ana tjetër të kufizoheshin të drejtat dhe liritë e qytetarëve vetëm në rast nevoje.

Vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme, për herë të parë në historinë tonë kushtetuese-juridike, nuk ishin vendime të lehta për t’i marrë, jo vetëm si President, por edhe si jurist me profesion dhe demokrat me bindje. Ato ishin baza e nevojshme për miratimin me fuqi ligjore të dekreteve nga qeveria për të siguruar punën e institucioneve edhe në kushte të tilla. Në situatën e re, Gjykata Kushtetuese vendosi të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv. Vendimet tuaja në lidhje me vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme, por edhe në lidhje me dekretet me fuqi ligjore ishin me rëndësi të jashtëzakonshme për ne, mbartësit e pushtetit në institucionet politike. Ato ishin drejtimi i obliguar për veprimtarinë tonë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për besimin e qytetarëve se pushteti politik duhet të lëvizë në suazat e Kushtetutës dhe rendit demokratik.

Duke u nisur nga kjo përvojë, më lejoni të shkoj një hap më larg dhe të përfshihem në diskutimin për të ardhme e gjyqësorit tonë kushtetues. Konsideroj se në të ardhmen Gjykata Kushtetuese duhet të profilohet edhe më aktivisht si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut. Një mënyrë, që është temë edhe e konferencës së sotshme, janë ndryshimet e Kushtetutës dhe vendosjen e padisë kushtetuese si mjet juridik për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive.

Dua ta mbështes pa rezerva iniciativën tuaj. Padia kushtetuese është mjet i vërtetuar efikas, kurse shembulli më i mirë për këtë është pikërisht praktika e Gjykatës Kushtetuese në RF të Gjermanisë vendimet e të cilës janë inspirim për shumë juristë të cilët punojnë në këtë fushë. Edhe pse, deri më tani, kanë ekzistuar shumë iniciativa për ndryshim të Kushtetutës në këtë drejtim, për fat të keq, të gjitha përbërjet parlamentare nuk mblodhën fuqi ta bëjnë këtë gjë, kurse diskutimet për ndryshim të Kushtetutës, me qëllim vendosjen e padisë kushtetuese kanë përfunduar në pazarllëqe dhe negociata partiake-politike për çështje krejtësisht të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me këtë temë. Shpresoj se në të ardhmen e shpejtë edhe opinioni politik, përveç atij profesional, do ta kuptojë rëndësinë e vendosjes së padisë kushtetuese si një segment i rëndësishëm në reforma dhe ha për përforcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kuptohet se në kushte të mosekzistimit të kategorisë së padisë kushtetuese në rendin tonë, Gjykata Kushtetuese ka mundësi, edhe më shumë, ta afirmojë rolin e vet si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut edhe në suazat e tanishme. Këtu para së gjithash mendoj për kompetencën tuaj të përfaqësimit për kërkesat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, kurse sidomos në mbrojtjen nga diskriminimi.

Duke pasur parasysh se bazat dhe standardet për mbrojtjen nga diskriminimi janë zgjeruar dukshëm në Bashkimin Evropian, gjë që pasqyrohet edhe në Ligjin tonë për Mbrojtjen nga Diskriminimi, besoj se Gjykata Kushtetuese mund të jetë edhe më proaktive në këtë sferë dhe duke marrë parasysh pavarësinë e garantuar kushtetuese në punën e saj të vendosë vetë standarde të reja. Në këtë mënyrë, edhe në mungesë të amendamenteve kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do të fitojë një pozicion dhe rol cilësor të ri në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive. Pa dyshim, zhvillimi i mundshëm në këtë drejtim do të jetë i dobishëm për gjykatat e tjera, por edhe drejtpërdrejt për qytetarët.

Të nderuar,

Në fund të fjalimit tim, dua edhe njëherë t’ju bind në mbështetjen time për përforcim të rolit të Gjykatës Kushtetuese si mbrojtëse e të drejtave dhe lirive. Ju dëshiroj një diskutim të frytshëm dhe propozime të cilat shpresoj se do të zbatohen në një të ardhme të shpejtë.

Ju faleminderit!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....