Presidenti Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Lituanisë, Eduardas Borisovas

23 Janar 2024 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të Eduardas Borisovas, ambasadorit të Republikës së Lituanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Zagreb.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, Presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet bilaterale të zhvilluara shumë ndërmjet dy shteteve mike, të cilat i cilësoi se karakterizohen me dialog intensiv politik dhe marrëdhënie partneriteti, me shpresën për një bashkëpunim më të madh tregtar dhe ekonomik.

“Me hapjen e zyrës në Shkup të Ambasadës së Lituanisë nga Zagrebi, në nëntor 2023, presim thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe intensifikimin e shkëmbimeve politike, ekonomike, të sigurisë, kulturore dhe sociale ndërmjet shteteve tona. Nga ky këndvështrim, urojmë që zyra e sapohapur në një të ardhme të afërt të shndërrohet në ambasadë, e cila do të jetë edhe ambasada e parë në Shkup e një vendi baltik”, tha Presidenti Pendarovski.

Duke vënë në dukje se Lituania është një partner i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut dhe një aleat në suazat e NATO-s, Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohjen e tij të madhe për mbështetjen pa rezervë dhe të zëshme që Republika e Lituanisë ia jep vazhdimisht procesit tonë të integrimit evropian.

Ambasadori Borisovas, në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, shprehu bindjen e tij të fortë se një Evropë e sigurt kërkon një arkitekturë të fortë sigurie, në të cilën vendet e mëdha dhe të vogla do të ndihen veçanërisht të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare, nën çatinë e ombrellës së sigurisë së NATO-s.

“Të bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për arritjen e një Evrope të sigurt, të bashkuar dhe me prosperitet, pozita e Lituanisë është e fortë dhe e qartë: Maqedonia e Veriut duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian. Jemi të gatshëm t’i mbështesim përpjekjet e vendit Tuaj dhe të vazhdojmë ta japim ekspertizën tonë për integrimin në BE”, tha ambasadori Borisovas.

Presidenti Pendarovski i uroi ambasadorit Borisova zbatim të suksesshëm të funksionit të përgjegjshëm.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....