Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në ceremoninë e dhënies së betimit solemn të vullnetarëve të Korpusit të Paqes

22 Nëntor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në ceremoninë e dhënies së betimit solemn të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, që në dy vitet e ardhshme, do të jetojnë dhe do të jenë në shërbim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korpusi i Paqes, si organizatë qeveritare amerikane, programet e veta i realizon në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar vullnetarë të Korpusit të Paqes,

E nderuar ambasadore e SHBA-së,

Të nderuar të ftuar,

Zonja dhe zotërinj

Jam veçanërisht i nderuar të jem pjesë e ceremonisë së dhënies së betimit solemn të 35 vullnetarëve të Korpusit të Paqes të cilët janë pjesë e grupit të 26 të vullnetarëve të cilët do të jetojnë dhe do të jenë me shërbim në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy vitet e ardhshme.

U uroj një mirëseardhje të përzemërt dhe qëndrim të këndshëm në vendin tonë dhe, gjithsesi, punë të suksesshme vullnetare.

Tashmë prej 27 vjetësh ne jemi destinacioni ku vullnetarët e Korpusit të Paqes e investojnë kohën, mundin dhe përkushtimin e vet duke i ndihmuar qytetarët maqedonas.

Pandemia e virusit korona ishte shkak për një pauzë të vogël në këto aktivitete dhe në procesin e regrutimit, pot, të gjithë shpresojmë se në të ardhmen nuk do të ketë pengesa dhe situata krize të këtij lloji.

Mbi 800 vullnetarë të cilët pothuajse tri dekada ishin fqinjët tanë, padyshim i realizuan qëllimet e organizatës që i dërgon.

Ata u përfshinë tërësisht në zhvillimin tonë dhe nëpërmjet aktivitetit të vet dhe shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave kontribuuan për mirëkuptimin tonë më të mirë të popullit amerikan, por edhe për kuptimin më të mirë të kulturës dhe këndvështrimit tonë të botës për qytetarët amerikanë.

Programi i Korpusit të Paqes është origjinal dhe specifik si aktivitet, vëllim dhe kohëzgjatje. I ndryshëm, të themi, nga programi më i eksponuar vullnetar ndërkombëtar te ne, Korpusi Solidar Evropian, i njohur si Shërbimi Vullnetar Evropian, si program i Komisionit Evropian.

Procesi i regrutimit, përzgjedhjes dhe përgatitjes së përfaqësuesve të Korpusit të Paqes është me të vërtetë i detajuar, themelor dhe prodhon me të vërtetë vullnetarë të cilët janë tërësisht të përgatitur që t’i shërbejnë bashkësisë ku jetojnë.

Të dashur miq,

Ajo që dëshiroj të them në këtë rast është fakti se vullnetarët e Korpusit të Paqes me aktivitetet e veta ndihmojnë edhe në trevat më të largëta të atdheut tonë, në mjediset rurale dhe në qytetet më të vogla, duke bërë një dallim të dukshëm në jetën e popullatës lokale.

Me njohuritë, shkathtësitë dhe përkushtimin e vet vullnetarët e Korpusit të Paqes arrijnë të japin një energji të re, ide të reja dhe motivim për bashkësitë lokale.

Vlerë e veçantë është fakti se pas dy vjetësh bashkëjetese me mikpritësit mbeten miqësi të përjetshme. Lidhjet që vullnetarët e Korpusit të Paqes i vendosin dhe i kultivojnë janë investim i përhershëm në miqësinë maqedonase-amerikane. Ato lidhje e mbindërtojnë dhe e plotësojnë edhe diplomacinë, edhe mbështetjen financiare, edhe shkëmbimin tregtar edhe partneritetet në organizatat ndërkombëtare.

Prandaj sot dua të shpreh një falënderim të madh për Korpusin e Paqes si organizatë qeveritare amerikane për përfshirjen e Republikës së Maqedonisë së veriut në këtë program, por edhe falënderim për SHBA-në për mbështetjen e deritanishme si partneri ynë strategjik dhe miku më i madh i popullit tonë.

Duke pasur parasysh se Korpusi i Paqes i realizon programet e veta në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, do të dëshiroj ta theksoj edhe kontributin e këtyre institucioneve maqedonase që mundëson zhvillim pa pengesë të programit të planifikuar.

Duke i falënderuar vullnetarët, bashkëqytetarët tanë të rinj në dy vitet e ardhshme dhe padyshim, miqtë tanë të përjetshëm, dëshiroj t’u uroj edhe një herë mision të suksesshëm dhe qëndrim të këndshëm në Maqedoni.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....