Presidenti Pendarovski në ceremoninë e dërgimit të kontingjentit të parë të Armatës në misionin e udhëhequr nga NATO-KFOR në Kosovë

17 Tetor 2020 | Fjalimet

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti Suprem i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, sot në Kazermën “Ilinden” – Shkup, mori pjesë dhe mbajti fjalim në ceremoninë e dërgimit të kontingjentit të parë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e udhëhequr nga NATO – KFOR, në Kosovë.

Në vijim është fjalimi i Presidentit Pendarovski në këtë ceremoni.

Të nderuar ushtarë dhe eprorë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar Kryeministër i Qeverisë,
E nderuara Ministre e Mbrojtjes,
I nderuar Shef Shtabit të Përgjithshëm,
Të nderuar të ftuar,
Miq të dashur,

Më lejoni së pari t’u drejtohem anëtarëve të misionit për të cilët jemi mbledhur sot në këtë ceremoni.

Të nderuar ushtarë dhe eprorë,

Gëzohem që e kam nderin t’ju përshëndes në ceremoni e dërgimit tuaj si përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e udhëhequr nga NATO – KFOR, në Kosovë.
Ju jeni pjesë e rotacionit tonë të parë në këtë misionin tonë të parë ku marrim pjesë pas fitimit të statutit të anëtarit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe kjo na bën veçanërisht krenarë. Pjesëmarrja jonë në këtë mision të udhëhequr nga NATO-ja është tregues i qartë për qëllimin tonë të jemi anëtar aktiv dhe i angazhuar i Aleancës dhe për qëllimin tonë që të kontribuojmë në përforcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Para 20 vjetësh kur u bëmë vendi kandidat e dinim se anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarake ishte përparësi e madhe për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, megjithatë mbart edhe obligime dhe përgjegjësi.

Para se të bëhemi anëtarë të NATO-s, armata jonë në të gjitha misionet e mëparshme ku ka marrë pjesë tregoi se mund t’u përgjigjet edhe kërkesave më komplekse dhe t’i kryejë të gjitha detyra e dhëna.

Nuk ekziston asnjë takim i imi në të gjitha këto vite me përfaqësuesit e lartë të NATO-s, edhe civilë edhe gjeneralë, ku ata nuk kanë folur me respekt të veçantë për cilësinë e kontingjenteve maqedonase edhe në Afganistan, ku e ruajmë selinë e misionit në Kabull edhe për pjesëmarrjen tonë në misionet luftarake prej të cilave shumë ushtarë tanë u kthyen me dekorimet më të larta të huaja për guximin e treguar.

Edhe pse jemi anëtarë të NATO-s nga marsi i këtij viti, rejtingu ynë në Aleancë është i lartë, kurse merita për këtë gjë ju përket para së gjithash juve, të nderuar ushtarë dhe eprorë, sepse keni treguar vazhdimisht profesionalizëm dhe përkushtim të tërësishëm në këtë profesion fisnik.

Prandaj, sot nuk kam as dyshimin më të vogël se edhe në misionin në vijim, ju, përfaqësuesit e Armatës, do t’i ruani standardet më të larta dhe do ta prezantoni me dinjitet atdheun e vet.
Misioni i KFOR-it filloi para 21 vitesh si përgjigje ndaj krizës kolosale ushtarake dhe humanitare, dhe ai mision solli paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, por edhe stabilizim të të gjithë rajonit tonë. Prania jonë e ardhshme në Kosovë me 44 ushtarë që do të jetë pjesëmarrja jonë më e madhe momentalisht krahasuar me kontingjentet që i kemi në Afganistan, Liban dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë flet mjaft qartë mbi rëndësinë që ne ia japim këtij misioni.

Të nderuar të pranishëm,

Republika e Maqedonisë së Veriut u bë shembull se si me vullnet të qartë politik dhe vizion strategjik për të ardhmen e shtetit dhe të popullit, mund të bëhen hapa përpara dhe nga një shtet të cilit i nevojitej asistencë dhe ndihmë e jashtme, të transformohet në shtet i cili është faktor i stabilitetit në rajon dhe aleat i respektuar në aleancën më të fuqishme politike ushtarake në historinë e botës.
Me këtë rast dua të theksoj se kjo është meritë e të gjitha garniturave të deritanishme politike të cilat nuk kanë dilemë për drejtimin nëpër të cilin ecën vendi dhe investuan vazhdimisht në modernizimin dhe pajisjen e armatës.

Kjo është meritë e ushtarëve dhe eprorëve të cilët kanë investuar vazhdimisht në përkryerjen e vet, por para së gjithash është rezultat i vullnetit të qytetarëve tanë, të cilët në një numër të madh mbështetën qëllimin strategjik që të bëhemi pjesë e kësaj aleance ushtarake-politike.

Edhe pse koha është e shkurtër, fitimet nga anëtarësimi në NATO janë të dukshme në solidaritetin e treguar gjatë pandemisë, si dhe në kundërvënien e përbashkët ndaj kërcënimeve hibride të cilat po bëhen gjithnjë më të dukshme. Kuptohet, askush nuk ka iluzione se anëtarësimi në NATO do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por, pa dyshim, bëhet fjalë për supozimin kryesor për zhvillimin dhe prosperitetin e mëtejshëm të vendit.

Të nderuar ushtarë,

Ju në periudhën e ardhshme do t’i përfaqësoni nderin, profesionalizmin dhe moralin e të gjithë përfaqësuesve të armatës sonë. Jam i bindur se të gjitha detyrat tona do t’i përfundoni me përgjegjësi dhe sukses dhe se nuk do të na turpëroni si shtet dhe si popull.

Misioni juaj ka edhe vlerë të shtuar, sepse shkoni në një vend i cili është fqinji dhe miku ynë dhe me të cilin kemi lidhje të thella historike, kulturore dhe ekonomike. Besoj se prania e kontingjentit maqedonas në Kosovë do t’i thellojë edhe më shumë ato raporte.

Më lejoni në fund, t’ju dëshiroj të gjithëve shëndet të mirë dhe kryerje të përkryer të obligimeve dhe detyrave të punës.

Dhe t’ju rekomandoj edhe një gjë: vitin e ardhshëm, do të vij t’ju vizitoj aty ku do të jeni të shpërndarë.

Me fat dhe mirupafshim!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....