Presidenti Pendarovski: Shpejtësia e integrimit në BE varet më shumë prej nesh

1 Dhjetor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, sot mbajti fjalim në sesionin e pestë plenar të Konventës nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-MK) që me organizim nga Lëvizja evropiane po mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Shkëlqesitë Tuaja,
Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni t’i falënderoj organizatorët për mundësinë që për herë të dytë të mbaj fjalim në Konferencën plenare të organizuar nga Konventa nacionale për Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, dëshiroj t’ju falënderoj ju dhe partnerët tuaj ndërkombëtarë, për të gjitha aktivitetet në periudhën e kaluar, në drejtim të ngritjes së nivelit të dialogut në lidhje me integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Kontributi juaj konkret në debatin në lidhje me integrimet merr rëndësi të veçantë, tani, kur tashmë e tejkaluam veton bullgare dhe e hapëm fazën e parë të procesit negociues. Në vijim është faza e skriningut bilateral, një periudhë mjaft dinamike është para nesh, prandaj si rrjedhim, dua të rekomandoj, të mbetemi të përkushtuar dhe të angazhuar, sepse integrimi evropian dhe reformat janë në vijim, kurse, sidomos ato që janë para nesh, janë detyra primare për politikanët e përgjegjshëm, por, edhe për shumë faktorë të tjerë shoqërorë.

Të nderuar,

Para se të flas konkretisht mbi temën e sotme, do të dëshiroja shumë shkurtimisht të konstatoj se po i afrohemi fundit të një viti jashtëzakonisht të vështirë dhe të paparashikueshëm, në të cilin ndryshoi thellësisht arkitektura e përgjithshme e sigurisë në Evropë si rezultat i agresionit ushtarak rus mbi Ukrainë. Ky hap ilegal pa precedent në historinë më të re të Evropës shkaktoi një sërë problemesh prej të cilave, për fat të keq, nuk është kursyer asnjë vend i kontinentit. Në një plejadë të tillë, integrimi evropian si projekt paqësor, por, edhe si projekt i cili siguron demokraci dhe prosperitet të shoqërive, merr rëndësi shtesë, sidomos në rajonin tonë, ku ekzistojnë ende tensione dhe tendenca retrograde, potenciali destruktiv i të cilave nuk duhet neglizhuar.

Duke u nisur nga një kontekst i tillë jashtëzakonisht i pavolitshëm ndërkombëtar, procesi i reformave brenda në shtet ka rëndësi të dyfishtë, duke pasur parasysh faktin se demokratizimi i mëtejshëm, nënkupton investim shtesë në ndërtimin e shtetit më stabil me institucione funksionale.

Tani, më lejoni, më afër, të flas mbi temën e konferencës së sotshme. Përshtypja e përgjithshme midis qytetarëve tanë, për fat të keq është se një pjesë e reformave të ndërmarra ose nuk janë të qëndrueshme në afat të gjatë ose nuk e kanë nivelin e nevojshëm të ndikimin të drejtpërdrejtë, pozitiv mbi jetën e përditshme të qytetarëve. Kjo ka të bëjë sidomos me ndryshimet e shumta dhe paralajmërimet për ndryshime në sferën e sundimit të së drejtës. Nga reformat e para më të mëdha në këtë sferë në vitin 2005 kanë kaluar më shumë se 15 vjet, kurse besimi i qytetarëve në gjyqësor edhe në përgjithësi në funksionimin e shtetit tonë juridik është në nivel të ulët rekord.

Jemi dëshmitarë të mungesës së sigurisë juridike dhe ndjenjës se përkatësia partiake dhe etnike janë më të rëndësishme se njohuria dhe shkathtësitë të cilat i posedoni janë midis shkaqeve kryesore për emigrimin e një numri të madh të rinjsh. Gjithashtu, emigrojnë edhe persona, një pjesë e të cilëve janë të etabluar mirë në shoqëri me karriera të ndërtuara dhe me një standard jetësor solid për kushtet tona. Për ta, kuptohet, edhe për gjithë të tjerët, shteti funksional juridik është çështje e cilësisë së jetës. Në atë kuptim, nuk është rastësi që pikërisht sundimi i të drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit renditen në klasterin e “çështjeve themelore”, përkatësisht të vlerave fondamentale në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian.

Konsideroj se nëse i lëmë mënjanë, ndërsa duhet t’i lëmë mënjanë çështjet historike të cilat nuk e kanë vendin në procesin e aderimit, pikërisht në këtë temë do të jetë përparësia jonë më e madhe ose mangësia jonë më e madhe, në varësi nga mënyra se si do t’u qasemi këtyre çështjeve në negociata. Me këtë rast dëshiroj, shkurtimisht, të fokusohem në drejtimet kryesore nëpër të cilat duhet të lëvizim në përmbushjen e këtyre obligimeve, para së gjithash, drejt qytetarëve tanë, mandej atë drejt Brukselit.

Së pari, vullneti politik në sundimin e të drejtës nuk duhet të jetë vetëm deklarativ, por real dhe i pranishëm edhe në fazën e zbatimit të ligjeve, kurse, jo vetëm në miratimin e tyre në Parlament.
Ndryshimi i legjislacionit është vetëm një hap i nevojshëm, por jo dhe një hap i mjaftueshëm për ndryshime reale në jetët tona. Është i rëndësishëm zbatimi pa përzgjedhje i ligjeve dhe respektimi i vazhdueshëm i pavarësisë së institucioneve në këtë fushë, nga ne politikanët.

Së dyti, në fokus, në fillim dhe në fund të çdo reforme në gjyqësor duhet të jenë njerëzit të cilët punojnë në këto institucione. Të jem më i saktë: ne na nevojitet arsim shumë më cilësor juridik në nivel universitar nga kjo që kemi deri tani, në kuptim të kombinimit të teorisë dhe praktikës në edukimin e juristëve të ardhshëm. Pastaj, nevojitet zbatim i përpiktë i kritereve gjatë regrutimit të dëgjuesve në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publikë sepse prej aty rekrutohen gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm. Gjithashtu, është jashtëzakonisht e rëndësishme mënyra si vlerësohet puna e gjykatësve dhe prokurorëve dhe vendoset për përgjegjësinë e tyre eventuale.

Në atë pjesë na nevojitet që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë të jenë tërësisht funksionalë dhe profesionalë. Çdo dyshim i bazuar mbi punën e anëtarëve të këtyre organeve është një handikap i madh jo vetëm për individët e involvuar por edhe për të gjithë sistemin e drejtësisë sepse pikërisht ata janë kompetentë për cilësinë profesionale dhe integritetin e njerëzve në sektorin e drejtësisë.

Së treti, duhet ta mbështesim, pa rezerva, punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Jo vetëm sepse ai institucion është një prej institucioneve puna e të cilëve është vlerësuar pozitivisht në raportet e përparimit të Bashkimit Evropian por edhe sepse nëpërmjet punës së tij efikase politikanët do të dëshmojnë në vepër se angazhimet deklarative kanë edhe pasoja praktike, madje edhe në rastet kur preken interesat e tyre, interesat e bashkëpartiakëve të tyre apo të afërmve të tyre.

Së katërti, reformat në sferën e shtetit juridik duhet të jenë gjithmonë rezultat i konsensusit të gjerë politik, por, jo më pak të rëndësishme, edhe të konsensusit shoqëror dhe ekspert. Ligjet e kësaj sfere duhet të mbështeten nga të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë, kurse në përpilimin e tyre të përfshihen ekspertë dhe organizata qytetare, si edhe ekspertë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Përgatitja për asistim nga partnerët tanë të BE-së dhe shtetet anëtare nuk ka qenë asnjëherë e kontestueshme, është puna jonë sa dhe në çfarë mënyre duhet ta shfrytëzojmë atë ofertë. me fjalë të tjera, në reformat në këtë sferë, kryesor duhet të jetë konsensusi dhe jo mbivotimi.

Të nderuar,

Sa i shpejtë do të jetë procesi i integrimit tonë në Bashkimin Evropian varet edhe nga Brukseli, edhe nga shtetet anëtare, po, më shumë prej nesh. Reformat nuk i bëjmë që t’i kënaqim burokratët evropianë, por ta ndryshojmë tërësisht shoqërinë tonë dhe punën e institucioneve tona prej të cilave qytetarët tanë janë të pakënaqur në një përqindje të lartë. Kjo nënkupton se fokusi nuk duhet të jetë plotësimi teknik i kritereve për anëtarësim por cilësia e procesit. Një mënyrë tjetër që reformat të jenë të qëndrueshme edhe për ndalimin e trendeve negative me të cilat ballafaqohemi në fushën e sundimit të të drejtës – nuk ekziston. Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian do të ketë fuqi transformuese e cila është më se e nevojshme, vetëm me dalje nga zona e komforditetit e deklaratave politike.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....