Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e mirëpriti delegacionin e Lidhjes së Shoqatave të maqedonasve dhe fëmijëve refugjatë nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë – MAKEDON, të përbërë nga Aleksandar Janevski, kryetar i Lidhjes, Liliana Zaturovska dhe Trajçe Dimkov, nënkryetarë të Lidhjes dhe Trajçe Karapetrov nga Shoqata e Maqedonasve të Tetovës nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë.
Në këtë takim i cili mbahet në prag të përkujtimit tradicional të 75-vjetorit të përfundimit të Luftës Civile në Greqi dhe 76-vjetorit të përndjekjes së dhunshme të maqedonasve nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë, delegacioni nga MAKEDON informoi mbi përgatitjet për manifestimin, si dhe për mbajtjen e Kuvendit vjetor në të cilin pritet të merren vendime për pranimin e shoqatave në këtë Lidhje, për zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes dhe për programin vjetor të punës.
Presidentja Siljanovska Davkova, duke shprehur mbështetjen e saj për punën dhe aktivitetet e Lidhjes të shoqatave të maqedonasve dhe fëmijëve refugjatë nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë – MAKEDON, theksoi se fati dhe tragjedia e 30.000 fëmijëve refugjatë dhe golgota e tyre nuk duhet të fshihet dhe të relativizohet. Presidentja dërgoi mesazhin se respektimi dhe njohja e së kaluarës i jep shumë hapësirë për një të ardhme miqësore për të cilën përpiqemi për të mirën e të gjithëve në Ballkan dhe në Evropë.
Bashkëbiseduesit në këtë takim shprehën pritjen se kremtimi i dy ngjarjeve tragjike, që do të mbahen më 30 qershor 2024, të diele, para Përmendores së fëmijëve refugjatë në Parkun “Zhena-Borec” (Gruaja Luftëtare) në Shkup, do të kryhet me dinjitet sepse me respektimin e fatit dhe tragjedisë së fëmijëve refugjatë nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë, e respektojmë edhe tragjedinë e fëmijëve të pafajshëm në mbarë botën – viktima të luftërave.