Presidentja Gordana Siljanovska Davkova i mirëpriti Xhejms Karafanon, këshilltar i lartë i presidentit të Fondacionit Heritixh dhe ekspert kryesor për sigurinë kombëtare dhe politikë të jashtme, dhe Pol MekKartin, drejtor rajonal për Evropë në Institutin Republikan Ndërkombëtar – IRI.
Ata e njohën atë me nismën “Tri detet”, e cila përfshin 13 shtete anëtare të BE-së të vendosura midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut: Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, kurse nga viti 2023, edhe Greqia.
Në fokusin e kësaj iniciative është zhvillimi i infrastrukturës energjetike, transportit dhe digjitale i anëtarëve dhe përforcimi i aksit Veri-Jug në Evropën Lindore.
Presidentja Siljanovska Davkova konsideron se bashkimi i Ballkanit Perëndimor në këtë iniciativë mund ta thellojë suksesin e tij për shkak të lidhjes gjeografike dhe politike të vendeve të boshtit Veri-Jug në Evropën Lindore.
Sipas saj, vizita e dy përfaqësuesve amerikanë vjen në kohën e duhur për shkak të përputhshmërisë midis qëllimeve dhe programeve të iniciativës me Planin Evropian të Rritjes dhe Agjendën Reformuese për Zhvillim.
Duke pasur parasysh se shumica e anëtarëve të iniciativës janë edhe anëtarë të NATO-s dhe BE-së, Presidentja theksoi se futja jonë në Iniciativën “Tri detet” do të hapë mundësinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e proceseve integruese evropiane.
Bashkëbiseduesit shprehën vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Fondacionin Heritixh, si dhe me Institutin Republikan Ndërkombëtar – IRI nëpërmjet hapjes së zyrës në shtetin tonë.