Këshilli për të rinjtë, me pjesëmarrjen e Presidentes Gordana Siljanovska Davkova organizoi diskutim në panel me rastin e pesë vjetorit të miratimit të Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore, ku u bisedua mbi zbatimin e ligjit, problemet e vërejtura dhe propozim ndryshimet e nevojshme.
Në fillim të këtij evenimenti, me një minutë heshtje, të pranishmit bënë homazh për të ndjerën që e humbi jetën tragjikisht, Frosina Kullakova. Ata u bënë thirrje institucioneve kompetente që ta zbardhin sa më shpejt këtë rast dhe të përmbushet drejtësia.
Panelistët shkëmbyen përvoja personale nga puna në trupat rinorë dhe dhanë propozime për pjesëmarrje rinore më efikase në krijimin e politikave. Në këtë diskutim, të rinjtë e theksuan mungesën e mbështetjes institucionale dhe mekanizmave për pjesëmarrje aktive, si dhe pasigurinë financiare të qendrave rinore, e cila ndikon në funksionimin e tyre.
Janë identifikuar një sërë dobësish: Organet kryesore koordinuese, Asambleja nacionale e të rinjve dhe Trupi nacional këshilldhënës për politikat rinore, ende nuk janë formuar, qendrat rinore janë krijuar vetëm në disa komuna, dhe në më shumë se gjysmën e komunave nuk ka këshilla rinorë lokalë, as nuk janë miratuar strategji lokale.
Presidentja Siljanovska-Davkova e theksoi nevojën për qasje sistematike në zgjidhjen e problemeve të të rinjve, si dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi zbatimin e ligjit. Duke pasur parasysh afatet e vonuara ligjore për formimin e organeve kyçe rinore, ajo mendon se në mungesë të një kornize institucionale, ekziston rreziku që ligji të jetë një iluzion juridik.
Shumica e diskutuesve kërkuan një rol më aktiv nga Ministria e sapokrijuar për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinjve për të mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve në krijimin e politikave rinore.
Debatin e modeloi Filip Ivanovski, anëtar i Këshillit për të rinjtë, kurse panelistë ishin: Arta Qerimi, ish-anëtare e Kuvendit lokal të të rinjve të Qytetit Shkup, Martin Kërstiq, nëpunës për të rinjtë në Komunën Kumanovë, Martina Jaçevska, koordinatore e Qendrës rinore – Probishtip dhe Sofija Vollçevska, kryetare e Këshillit lokal rinor në Komunën Kisella Voda.