Siljanovska-Davkova akordoi dekorim pas vdekjes për Nade Proevën me Urdhrin “8 Shtatori”

23 Qershor 2026 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në një ceremoni solemne të mbajtur sot në “Vila Vodno”, e dekoroi pas vdekjes Nade Proevën me Urdhrin “8 Shtatori”, për kontributin e saj të veçantë në afirmimin e historiografisë maqedonase si historiane, profesoreshë dhe autore e shquar dhe me reputacion të lartë ndërkombëtar.

Në fjalimin e saj gjatë ceremonisë, Siljanovska-Davkova tha se me ndarjen e Urdhrit “8 Shtatori”, dita për të cilën Proeva gëzohej aq shumë, i shprehim mirënjohje njërës prej figurave më të rëndësishme të historiografisë maqedonase, një shkencëtare e rangut evropian dhe botëror.

Ajo theksoi se librat dhe studimet e shkruara nga Nade Proeva janë të rëndësishme jo vetëm për njohuritë origjinale dhe të reja që ato ofrojnë, por edhe sepse na kujtojnë atë që sot po harrojmë gjithnjë e më shpesh: se dija nuk buron nga bindja, por nga hulumtimi; se dija nuk mbështetet në supozime, por në burime relevante; se ajo nuk buron nga dëshirat, por nga argumentet.

Sipas saj, puna shkencore e Proevës nuk shihet dhe nuk dallohet vetëm në librat dhe studimet që ajo shkroi, por edhe në përkushtimin e saj për ruajtjen e trashëgimisë shkencore që la pas, ndër të tjera përmes redaktimit të edicioneve: “Historia Antiqua Macedonica” dhe “Bibliotheca Miscellanea Byzantino-Macedonica”.

“Historia për të nuk ishte një arratisje apo strehë nga e tashmja. Interesi i saj shkencor nuk mbeti asnjëherë i kufizuar brenda faqeve të revistave profesionale dhe konferencave akademike. Ajo mori pjesë në mënyrë aktive dhe energjike në jetën publike, e bindur se intelektuali nuk ka vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të flasë kur hapen çështje me rëndësi thelbësore për kulturën, historinë dhe identitetin. Tekstet e saj kishin karakter iluminues dhe unë mësova prej tyre”, tha presidentja.

“Kisha privilegjin ta njihja Naden dhe të shoqërohesha me të në Shkup, në Ohër ose në kopshtin e shtëpisë familjare në Resnjë. Më mahnisnin kureshtja, mprehtësia, zgjuarsia, guximi, krijimtaria, moskompromisi dhe gjuha e saj e mprehtë. Ajo ishte për mua një burim i pashtershëm, një minierë dijesh. Edhe, pas dekadash kërkimesh, ajo nuk sillej sikur i kishte gjetur të gjitha përgjigjet, por si një njeri që vazhdon të mësojë, që ende i bën vetes shumë pyetje të rëndësishme dhe kërkon përgjigje për to; një person që debatonte me mjeshtëri, kundërshtonte me mençuri dhe problematizonte në mënyrë logjike”, tha presidentja në fjalimin e saj.

Urdhri iu dorëzua Pavlina Proevskës, motrës së Nade Proevës.

Në kuadër të aktivitetit, të pranishmit ndoqën filmin dokumentar biografik “Në vend të një hagiografie”, dedikuar Nade Proevës.

Më poshtë vijon teksti i plotë i fjalimit të presidentes Siljanovska-Davkova.

Të nderuar anëtarë të familjes Proev,
Të nderuara kolege, kolegë, miq dhe admirues të veprës së tyre,
I nderuar kryetar i Komisionit për Dekorata dhe Mirënjohje, të nderuar anëtarë të Komisionit,

Bota antike i përket një të kaluare të largët. Qytetet e saj janë shndërruar në rrënoja, sundimtarët e saj janë vetëm emra në librat e historisë, ndërsa me të arrijmë të lidhemi vetëm përmes fragmenteve: mbishkrimeve të gdhendura në gur, monedhave, gjetjeve arkeologjike dhe mbetjeve të tjera, si dëshmi të rralla që koha nuk arriti t’i fshijë plotësisht.

Por pikërisht nga këto fragmente, nga këto gjurmë në dukje të heshtura të së kaluarës, profesorja Nade Proeva krijonte dije, koncepte dhe teori, e zbërthente historinë, hapte horizonte të reja shkencore dhe na nxiste të mendojmë sërish, më gjerë dhe më thellë për vendin e Maqedonisë dhe të maqedonasve në histori.

Hulumtimi dhe zbërthimi i Antikitetit dhe i Maqedonisë Antike ishin preokupimi dhe misioni i saj jetësor e shkencor. Ajo nuk e romantizonte të kaluarën dhe as nuk e shndërronte atë në një mit, por e studionte dhe e shpjegonte me rigorozitet shkencor, ndershmëri intelektuale dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj së vërtetës. Prandaj, rrugëtimi i saj, që filloi në Resnjë, vazhdoi në Fakultetin Filozofik në Beograd dhe u përsos në Sorbonë, në Paris, ku iu përkushtua epigrafisë, numizmatikës dhe religjioneve antike, duke kaluar natyrshëm te Antikiteti dhe historia e maqedonasve të lashtë, fusha të cilat ajo i studioi jo vetëm në arkiva dhe biblioteka, por edhe në lokalitete arkeologjike.

Punimet e saj mbi Maqedoninë Antike dhe provincën romake të Maqedonisë përbëjnë një kontribut të çmuar shkencor dhe mbeten një pikënisje e rëndësishme për kërkimet e ardhshme.

Librat dhe studimet e Nade Proevës nuk janë të rëndësishme vetëm për njohuritë origjinale dhe të reja që ato i ofrojnë, por sepse na kujtojnë diçka që sot po e harrojmë gjithnjë e më shpesh: se dija nuk buron nga bindja, por nga hulumtimi; se dija nuk mbështetet në supozime, por në burime relevante; se ajo nuk buron nga dëshirat, por nga argumentet.

Puna e saj shkencore puna shkencore e Proevës nuk shihet dhe nuk dallohet vetëm në librat dhe studimet që ajo shkroi, por edhe në kujdesin për trashëgiminë shkencore që la pas, ndër të tjera edhe përmes redaktimit të edicioneve: “Historia Antiqua Macedonica” dhe “Bibliotheca Miscellanea Byzantino-Macedonica”. Pikërisht për këtë arsye, Nade Proeva respektohej si nga ata që pajtoheshin me të, ashtu edhe nga ata që nuk pajtoheshin. Autoriteti i saj nuk buronte nga titujt që me meritë i mbante, por nga gatishmëria dhe vendosmëria që çdo tezë ta argumentonte me prova dhe dije, dhe çdo qëndrim ta vinte në provën e kritikës.

Historia për të nuk ishte një arratisje apo strehë nga e tashmja. Interesi i saj shkencor nuk mbeti asnjëherë i kufizuar në mes të faqeve të revistave profesionale dhe konferencave akademike. Ajo mori pjesë në mënyrë aktive dhe energjike në jetën publike, e bindur se intelektuali nuk ka vetëm të drejtën, por edhe detyrimin që të flasë kur hapen çështje me rëndësi thelbësore për kulturën, historinë dhe identitetin. Tekstet e saj kishin karakter iluminues dhe unë mësova prej tyre.

Në një kohë kur hapësira publike mbushet gjithnjë e më shpesh me vlerësime të shpejta dhe konkluzione të lehta, Nade Proeva i qëndroi besnike një tradite tjetër intelektuale, e cila nuk kërkonte përgjigje që i përshtateshin kohës, por përgjigje që mund t’i rezistonin provës dhe gjykimit të kohës.

Si profesoreshë e rreptë, e ndershme dhe e ndërgjegjshme, ajo edukoi breza historianësh, por, ç’është edhe më e rëndësishme, edukoi breza të rinjsh të mendonin në mënyrë kritike, të verifikonin faktet dhe të mos kënaqeshin me përgjigje të lehta e përfundimtare. Ajo nuk la pas vetëm kujtimet për ligjëratat e saj mbresëlënëse, por edhe vepra që mbeten pjesë e përhershme e shkencës dhe mësimdhënies historike, ndër të cilat edhe “Historia e Argeadëve”, libri i parë universitar kushtuar maqedonasve të lashtë. Studentët e saj nuk mësonin prej saj vetëm historinë e lashtësisë apo historinë e Maqedonisë Antike, por edhe një mësim të rëndësishëm: se dija serioze fillon aty ku përfundon vetëbesimi dhe lind dyshimi.

Kisha privilegjin ta njihja Naden dhe të shoqërohesha me të në Shkup, në Ohër ose në kopshtin e shtëpisë familjare në Resnjë. Më mahnisnin kureshtja, mprehtësia, zgjuarsia, guximi, krijimtaria, moskompromisi dhe gjuha e saj e mprehtë. Ajo ishte për mua një burim i pashtershëm, një minierë dijesh. Edhe, pas dekadash kërkimesh, ajo nuk sillej sikur i kishte gjetur të gjitha përgjigjet, por si një njeri që vazhdon të mësojë, që ende i bën vetes shumë pyetje të rëndësishme dhe kërkon përgjigje për to; një person që debatonte me mjeshtëri, kundërshtonte me mençuri dhe problematizonte në mënyrë logjike.

Do ta kujtojmë për një pamje, në dukje të zakonshme: Naden me biçikletë nëpër rrugët e Shkupit. Në atë pamje, të paktën për mua, kishte diçka simbolike, diçka që zbulonte thelbin e karakterit të saj: lirinë, pavarësinë, kureshtjen, lëvizjen e pandërprerë, perpetuum mobile. Ajo nuk pushonte kurrë, as me mendje e as me trup.

Sot, kur pas vdekjes i akordojmë Urdhrin “8 Shtatori”, për të cilin ajo gëzohej aq shumë, ne i shprehim mirënjohje një prej figurave më të shquara të historiografisë maqedonase, një shkencëtareje që i afirmonte maqedonasit në qarqet akademike ndërkombëtare, duke e përfaqësuar në dritën më të mirë shkencën historike maqedonase në tubime dhe konferenca shkencore, në qendra kërkimore anembanë Evropës dhe botës. Për arritjet e saj të jashtëzakonshme shkencore, ajo u nderua me dekoratën franceze “Kalorëse e Urdhrit të Palmave Akademike”.

Nade la gjurmë të thella, unike dhe të papërsëritshme në arsimin e lartë, si një intelektuale që dijen nuk e mbajti me egoizëm vetëm për vete, por e vuri në shërbim të së mirës së përgjithshme, të shkencës dhe të studentëve.

Sot, gjithashtu i shprehim mirënjohje një gruaje që ia kushtoi jetën qartësimit dhe kuptimit të së kaluarës, e bindur se pa të nuk mund ta kuptojmë plotësisht as të tashmen, e as vetveten.

Për atë kontribut, për atë përkushtim dhe për atë shembull, Republika sot i shpreh falënderim dhe respekt të thellë Nades sonë, Nades sime!

Uroj që sa më shpejt të marrë këndin e saj në Sarajin e Resnjës, pallatin e qytetit, në botën e saj të natyrshme, botën e librave me të cilët miqësohej më së miri, këtu, në bibliotekë, e tani e tutje, shpresoj, në dhomën e saj!

Uroj që Fondacioni “Nade Proeva” ta përmbushë amanetin e saj: që edhe pas vdekjes të vazhdojë t’u shërbejë atyre që janë sikur ajo, sikur Nade – të rinjve të talentuar që kanë nevojë për mbështetje në rrugën e vështirë, por të mrekullueshme të shkencës!

E për mua, për mua është nder që e kam njohur atë. Nadeja jonë na ka lënë një borxh të madh, por besoj se të paktën pjesërisht do ta shlyejmë duke i ndarë Urdhrin “8 Shtatori”, dita kur ëndrra e përjetshme maqedonase për një shtet të pavarur dhe sovran, për të, për mua dhe për të gjithë ju, u bë realitet.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit