Siljanovska Davkova priti në takim Kryetaren e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Fatma Meriç Yilmaz

9 Tetor 2026 | Kumtesat

Gordana Siljanovska Davkova priti sot në takim Fatma Meriç Yilmaz, Kryetare e Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe anëtare e Këshillit të Presidentit të Republikës së Turqisë, e shoqëruar nga Presidentja e Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Liljana Ristevska.

Presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm midis Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke, të vendosur në vitin 1995, si një faktor të fortë në krijimin e marrëdhënieve miqësore maqedono-turke.

Sipas saj, sfidat gjithnjë e më komplekse humanitare imponojnë nevojën për solidaritet më të madh ndërkombëtar, ndihmë të koordinuar dhe një kalim nga veprimi reaktiv në atë parandalues.

Ajo theksoi se forcimi i bashkëpunimit rajonal humanitar, si dhe ndarja e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira, çojnë në përgjigje më efikase, në kohë dhe të përshtatshme ndaj krizave.

Presidentja Siljanovska Davkova përshëndeti zgjerimin e projekteve ekzistuese dhe fillimin e projekteve të reja të përbashkëta midis dy organizatave kombëtare, që synojnë ndihmën e kategorive të cenueshme në kohë lufte, por edhe në kushte paqeje.

Fatma Meric Yilmaz informoi për rolin e Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe rrjetin e saj ndërkombëtar, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm me Kryqin e Kuq të Maqedonisë përmes programeve, donacioneve dhe trajnimeve të shumta.

Ajo theksoi se fokusi i aktiviteteve të tyre humanitare aktualisht është mbi personat mbi moshën 65 vjeçare, si kategoria më e lënë pas dore e qytetarëve.

Gjithashtu, kryetarja Yilmaz kujtoi ndihmën vetëmohuese turke për qytetarët e Shkupit, pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, por edhe ndihmën reciproke maqedonase për qytetarët turq pas tërmetit katastrofik në Turqi në vitin 2023. “U ndërtua një shkollë e re, e cila sot mban emrin “Maqedoni” – shtoi ajo.

Ajo i dhuroi Presidentes Siljanovska Davkova të dhëna arkivore dhe fotografi historike, të cilat dokumentojnë ndihmën e ofruar nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjatë tërmetit të Shkupit të vitit 1963.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit