Presidentja Gordana Siljanovska Davkova iu drejtua sot pjesëmarrësve të shkollës verore “Re:Europe: Rethinking Europe Together”, projekt i financuar nga Zyra e Miqësisë Franko-Gjermane, që zbatohet nga Instituti i Shkencave Politike të Parisit në Dijon dhe Universiteti Humboldt nga Berlini.
Shkolla verore, e cila udhëhiqet nga profesori i Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani I” Ivan Damjanovski, përveç studentëve nga vendi, po marrin pjesë edhe studentë nga Gjermania, Polonia, Izraeli, Bullgaria, Franca, Sllovakia, Luksemburgu dhe Ukraina.
Së pari, Presidentja Siljanovska Davkova kujtoi idetë e shumta për bashkimin europian. Pastaj, ajo theksoi vendosmërinë e etërve themelues për t’i dhënë fund luftërave, përmes formimit të Komunitetit Europian, paraardhësit të BE-së, bazuar jo vetëm në parime dhe vlera ekonomike, por edhe në ato demokratike.
Për të, Konrad Adenauer dhe Robert Schuman, por edhe Alcide De Gasperi dhe Jean Monnet janë burra shteti, paqebërës të bindur fort.
Komisioni franko-gjerman nuk u konceptua si arenë politike për presione, por si hapësirë demokratike për debat dhe mirëkuptim të tjetrit. Fatkeqësisht, përvoja maqedonase me komisionet ndërshtetërore është në stilin e Tukididit.
Duke përdorur shembullin e përvojave të ndryshme të integrimit evropian, ajo vuri në dukje mospërputhjen e politikës së integrimit evropian, shpërfilljen e kritereve të Kopenhagenit dhe akteve kushtetuese të komunitetit/bashkimit, si dhe praktikën e standardeve të dyfishta në procesin e zgjerimit.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, BE-ja duhet të reformohet për t’u bërë një sistem politik funksional dhe demokratik, por edhe të zgjerohet që të bëhet aktor konkurrues në skenën globale të ndërlikuar dhe të paparashikueshme. Ajo theksoi se pengesa kryesore në këtë rrugë është konsensusi, si metodë vendimmarrjeje, por edhe abuzimi i vetos nga disa anëtarë, duke kushtëzuar negociatat dhe progresin me kompromise identiteti me natyrë revizioniste.
Presidentja Siljanovska Davkova demonstroi fenomenin e lartpërmendur të precedentit maqedonas, anti-europian, duke analizuar ndryshimet kushtetuese të imponuara nga jashtë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por edhe europian, në frymën e inxhinierisë kushtetuese.
“Pas 36 amendamenteve dhe fluksit drejt integrimit europian, ata përsëri po kërkojnë ndryshime kushtetuese nga ne, por tani, jo për anëtarësim, por për fillimin e negociatave?!” – tha ajo.
Në fjalimin e saj, Presidentja Siljanovska Davkova ngriti një sërë pyetjesh:
– A nuk është kushtetuta jonë Lex superior dhe kontrata më e rëndësishme shoqërore e qytetarëve maqedonas, dhe jo një libër dëshirash politike të fqinjëve?
– Pse do ta ndryshonim Kushtetutën me standarde më të larta të mbrojtjes së pakicave, jo vetëm nga Bullgaria, por edhe nga shumica e anëtarëve të BE-së?
– Çfarë ndodhet me dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve maqedonas pas kaq shumë ndryshimeve kushtetuese dhe premtimeve boshe?
– Pse tolerohet dhe stimulohet deficiti demokratik në BE, duke mbrojtur kërkesat irracionale, nacionaliste?
– A nuk është lufta në tokën europiane një paralajmërim i rëndësishëm për kotësinë e politikës reaktive dhe domosdoshmërinë e politikës parandaluese?
Ajo tha se është koha për: rishqyrtim të qasjes selektive të politikës së integrimit europian të BE-së dhe për ndryshimin e saj gjatë negociatave; respektim të vazhdueshëm të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg; për marrje parasysh të mendimeve të Komisionit të Venedikut; për përqendrim mbi reformat, në vend të inxhinierisë kushtetuese.
“BE-ja duhet të frymëzohet përsëri me kapacitetin e saj demokratik dhe përmes reformave ta anulojë inercinë burokratike dhe ngadalësinë në vendimmarrje, të krijojë një mekanizëm efikas të lidhjeve dhe frenave, ta forcojë rolin e popullit europian në Parlamentin Europian dhe, përmes hapit të guximshëm të zgjerimit, si ai i vitit 2004, të bëhet lojtar i rëndësishëm dhe i fortë në marrëdhëniet ndërkombëtare” – përfundoi Presidentja Siljanovska Davkova.
Pas fjalimit të saj pyetje parashtruan studentët që treguan më shumë interes për: reformat e nevojshme në BE, si dhe në OKB; mekanizmat e mundshëm që do t’i detyronin vendet europiane të respektojnë parimet dhe vlerat e tyre, si dhe rëndësinë e reformave të brendshme dhe sundimin e ligjit në procesin e integrimit europian.






