Pendarovski-Shtajnmajer: Gjermania do të vazhdojë të jetë partneri ynë kryesor politik dhe ekonomik

29 Nëntor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake e mirëpriti Presidentin e Republikës federative të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer, i cili është në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në suazat e kësaj vizite, përveç takimit tet-a-tet, u mbajt edhe takim plenar i delegacioneve zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, pas të cilit presidentët Pendarovski dhe Shtajnmajer mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.

Në vijim është teksti i integruar i deklaratës së Presidentit Pendarovski:

I nderuar Presidenti Shtajnmajer
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot kemi nderin e madh, që pothuajse pas një dekade e gjysmë, të jemi nikoqirë të një presidenti gjerman, i cili është në vizitë zyrtare te ne. Me këtë rast, do të dëshiroja të rikujtoj se jo rastësisht, vizitën time të parë zyrtare bilaterale si president e pata pikërisht në Gjermani. Ky shkëmbim i vizitave në nivelin më të lartë shtetëror flet shumë mbi marrëdhëniet midis dy shteteve dhe mbi miqësinë midis popujve tanë, të cilët në periudhën e kaluar arritën nivel të lartë dhe përveç se në kuptimin politik kishin pasqyrim pozitiv edhe mbi zhvillimin e relacioneve ekonomike.

Kjo vizitë ka edhe vlerën e vet të shtuar, sepse realizohet në një kohë të turbulencave të mëdha gjeopolitike, kur kemi luftë në truallin evropian e cila po shkakton një sërë krizash të cilat kalojnë nga njëra në tjetrën, kur çdo vend përpiqet t’u sigurojë qytetarëve të vet siguri, mbrojtje dhe prosperitet. Nga ana tjetër, përsëri, ndërsa për ne është me rëndësi të veçantë, kjo vizitë po realizohet në një vit kur përfundimisht, pas shumë shtyrjesh i filluam negociatat me Bashkimin Evropian dhe kur na nevojitej me domosdoshmëri mbështetja për përshpejtimin e këtij procesi.

Në një kohë kur besimi në integrimet në të gjithë rajonin është lëkundur, në këtë periudhë të ndjeshme e kemi më se të nevojshme ndihmën e demokracive të mëdha evropiane, të pararendësve të idesë së kontinentit të bashkuar.

Republika Federative e Gjermanisë është një nga aleatët tanë më të afërm dhe partnerët më të sigurt, kurse pushteti gjerman tashmë prej tri dekadash, në vazhdimësi, e demonstron përkushtimin ndaj shtetit dhe rajonit tonë.

Prandaj, Presidenti Shtajnmajer në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ju faleminderit për këtë vizitë, e cila besoj se do të vendosë vulë të fuqishme në marrëdhëniet tona dhe do të hapë kapituj të rinj për bashkëpunim.

Të nderuar,

Në këtë takim, i cili kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore dhe pozitive, me kolegun tim gjerman biseduam mbi marrëdhëniet tona bilaterale, partneritetin në NATO, eurointegrimet maqedonase, lidhjet e ndërsjella ekonomike, bashkëpunimin kulturor-arsimor, por edhe mbi çështje që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin më të gjerë evropian.

Me këtë rast theksova se ne jemi tërësisht të përkushtuar mbi fazat e para të negociatave me Bashkimin Evropian sepse anëtarësimi në Bashkim mbetet përcaktimi ynë afatgjatë strategjik për të cilin do të vazhdojmë të punojmë pa e zvogëluar intensitetin. Në këtë kontekst, mbështetja e qartë të cilën e marrim nga Gjermania është me rëndësi të madhe për ne, sidomos në suazat e Procesit të ripërtërirë të Berlinit, ku Gjermania ka rolin kryesor.

Biseduam mbi gjendjen në Evropë dhe mbi sfidat e ndryshme në atë plan, në kontekstin e luftës në Ukrainë. Ndërmorëm obligim për përparimin e bashkëpunimit të deritanishëm në mbrojtje dhe në siguri, të cilët janë aspekte të rëndësishme edhe në marrëdhëniet tona bilaterale.

Në pjesën e ekonomisë, Gjermania mbetet partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik, që me vite me radhë është në vendin e parë të listës, me shkëmbim tregtar prej mbi 4 miliarda eurosh në vit. Portofoli ekonomik gjerman në Maqedoninë e Veriut është mbresëlënës, me rreth 200 firma me kapital gjerman, ku punojnë mbi 15.000 njerëz.

Me Presidentin Shtajnmajer ndërmorëm angazhim që shkëmbimi ekonomik dhe investimet midis shteteve tona të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe këta numra të zmadhohen, sepse janë me rëndësi enorme për besimin dhe prosperitetin e qytetarëve tanë. Jo më pak të rëndësishme janë edhe fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, ku dy shtetet tona realizojnë bashkëpunim intensiv.
Dhe në fund, atë që e thashë edhe në bisedën me Presidentin e nderuar, do të dëshiroja ta përsërit edhe tani: faleminderit për mbështetjen e deritanishme të tërësishme gjermane dhe e shpreh bindjen time se Gjermania do të vazhdojë të jetë partneri ynë kryesor politik dhe ekonomik dhe se në vitet para nesh miqësia dhe bashkëpunimi ynë në fushat e interesit të ndërsjellë do të shkojnë vetëm në rritje.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....