Siljanovska-Davkova në hapjen e Edicionit të 65-të të Mbrëmjeve Poetike të Strugës: Ka ardhur koha për katarsë të njerëzimit

24 Qershor 2026 | Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sonte mbajti një fjalim në hapjen e Edicionit të 65-të të Mbrëmjeve Poetike të Strugës, që u zhvillua në Qendrën e Kulturës “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë.

Për të, Struga është një qytet që jeton në ritmin e poezisë dhe një vend ku prej dekadash takohen zërat poetikë botërorë dhe adhuruesit e fjalës së bukur. Ajo e quajti Strugën “qyteti më poetik në planet”, ku poezitë krijojnë kulturë dhe vlera të përhershme shpirtërore.

Në fjalimin e saj, ajo theksoi se tashmë 65 vite Mbrëmjet Poetike të Strugës i lidhin meridianët dhe e bashkojnë elitën poetike botërore në republikën rebeluese strugane të poetëve, e cila angazhohet për një botë më të mirë dhe më humane.

Siljanovska-Davkova rikujtoi pyetjen e vitit të kaluar për kuptimin e poezisë në kohë luftërash, konfliktesh, digjitalizimi dhe tjetërsimi, duke vlerësuar se, pavarësisht ndikimit gjithnjë e më të madh të algoritmeve dhe inteligjencës artificiale, poezia vazhdon ta ruajë fuqinë për ta ndryshuar njeriun dhe shoqërinë.

„Mjerimi i botës dhe e çnjerëzuara deri në mosnjohje të asaj që është e njerëzishme nuk janë zhdukur dhe janë ende këtu, madje edhe më të dukshme se vitin e kaluar. Nuk mjafton t’i mbulojmë sytë dhe të fshihemi. Ka ardhur koha të përballemi me mjerimin e botës, me mjerimin tonë njerëzor. Ka ardhur koha për katarsë, të gjunjëzuar pranë murit të turpit, më i gjatë se Muri Kinez, porositi ajo.

Duke theksuar se letërsia nuk është vetëm një shprehje estetike, por edhe një formë e revoltës shoqërore, presidentja veçoi mesazhet që përcjell krijimtaria e laureates së sivjetme, Aneke Brasinga.

Në fund të fjalimit të saj, ajo tha që pjesëmarrja në festival për të nuk është vetëm një detyrë ceremoniale dhe protokollare presidenciale, por edhe një privilegj dhe gëzim, dhe pas kësaj zyrtarisht i shpalli të hapura Mbrëmjet Poetike të 65-ta të Strugës.

Në vijim është teksti integral i fjalimit të presidentes.

I nderuar drejtor i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, z. Nikola Kukunesh,
I nderuar ministër i Kulturës dhe Turizmit, z. Zoran Lutkov,
Të nderuar poetë,
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur struganë,

Të jesh në Strugë është një dhuratë për shqisat dhe një balsam për shpirtin, jo vetëm për Konstantin Milladinovin, por edhe për mua. Struga vazhdon të jetë qyteti i vajzave të bukura strugane dhe qyteti ku zejtarët dëshirojnë të kenë dyqanet e tyre.

Në Strugë përfundon idila dhe përqafimi dashuror i Liqenit të Ohrit me Drinin e Zi, lumin që rrjedh në ritmin e poezisë.

Struga është qyteti më poetik në këtë planet, qyteti që jeton nga dhe me shpërthimet emocionale, ku vargjet krijojnë tablo gëzimi dhe trishtimi, loti dhe buzëqeshjeje, ku njëjësi shndërrohet në shumës, pra në vepër dhe kulturë.

Tashmë 65 stina vere, kjo shtëpi poetike lidh meridianët, bashkon familjen poetike botërore me dashamirësit dhe adhuruesit e fjalës së bukur në Republikën e vjetër, por vitale dhe kryengritëse poetike të Strugës, ku poetët luftojnë për një jetë më të mirë dhe më njerëzore.

Për gjashtë dekada e gjysmë kemi qenë të bekuar të jemi mikpritës të virtuozëve të gjuhës dhe alkimistëve të mendimit, të cilët e shndërrojnë atë në estetikë dhe etikë.
Struga ka parë dhe është parë nga shumë pjesëmarrës e laureatë të shquar të Kurorës së Artë, me lidhje poetike me Prliçev. Emrat e tyre janë mbjellë në Parkun e Poezisë, së bashku me pemët e mbjella, si dëshmitarë besnikë të pafundësisë së poezisë. Falë tyre dhe falë saj, ne e mposhtim përkohshmërinë e ngjarjeve dhe gjërave që na shqetësojnë e na trazojnë, me përjetësinë e shpirtit.
Edhe këtë vit, këtu në Shtëpinë e Poezisë “Vëllezërit Milladinovci”, jemi dëshmitarë të thjeshtësisë dhe modestisë së magjistarëve të fjalës, të cilët recitojnë sikur zhvillojnë një betejë për jetë a vdekje; na trazojnë ose na ledhatojnë, hapin universe, na përballin me të vërtetat e dhimbshme, na hedhin ose na shpëtojnë nga ujërat e Drinit, si ngjala që lakmojnë Detin e Sargasit; na mësojnë dhe na nxisin drejt mosnënshtrimit, lirisë, sfidës, ndjeshmërisë dhe urtësisë.

Sikur zanat e liqenit, Struga dhe Ohri e dashurojnë, e kuptojnë dhe e ndihmojnë njëra-tjetrën, dhe vargjet, sipas traditës, do të jehojnë edhe në Shën Sofinë, si edhe në perlat kishtare Shën Naumi dhe Shën Mëria Perivlepta, duke tingëlluar hyjnisht nën bekimin e Zotit.

Të dashur miq poetik,

Vitin e kaluar, pikërisht këtu, në hapjen e edicionit të 64-t të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, në frymën e antitezës sllave, e pyeta veten por edhe të pranishmit, për kuptimin e poezisë në këto kohë të vështira luftërash dhe konfliktesh, entitetesh virtuale digjitale, emocionesh të kastruara, solidariteti të rremë e patetik të marrëdhënieve me publikun, indiference dhe apatie të frikshme, si edhe shpërthimesh vullkanike zemërimi e urrejtjeje…

Pavarësisht vërshimit të algoritmeve dhe inteligjencës artificiale të pamëshirshme, unë megjithatë besova se poezia ende e ka fuqinë ta ndryshojë, madje edhe ta shpëtojë botën, siç ka thënë Zhan-Pjer Simeon. Prandaj jam sërish këtu, “për ta dëgjuar dhe për ta ndier atë zë të çuditshëm që nuk mundet dhe nuk dëshiron të zhduket”, siç tha laureati i vitit të kaluar, Ivan Shtërpka.

I madhi Andre Breton, themeluesi i surrealizmit, gati tetë dekada më parë, në veprën e tij “Në rrugën për në San Romano” shkroi se “përqafimi poetik, ashtu si ai dashuror, e mbulon pamjen e mjerimit të botës”. Përndryshe, nëse i kërkoni inteligjencës artificiale gjithëdijëse dhe të gjithëfuqishme t’ju gjejë përkthimin maqedonas të kësaj poezie, do të mbeteni pa përgjigje; prandaj ju mbeten bibliotekat e vjetra besnike dhe librat.
Mjerimi i botës dhe e çnjerëzuara deri në mosnjohjen e njerëzimit nuk janë zhdukur; ato janë ende këtu, madje edhe më të dukshme se vitin e kaluar. Nuk mjafton t’i mbulojmë sytë dhe të fshehemi. Ka ardhur koha të përballemi me mjerimin e botës, me mjerimin tonë njerëzor. Ka ardhur koha për katarsë, të gjunjëzuar pranë murit të turpit, më i gjatë se Muri Kinez.

Por arti është lajmëtar i stuhive. Letërsia ka qenë dhe mbetet jo vetëm një revoltë estetike, por edhe shoqërore. A thua po tingëlloj utopike?

Ja çfarë thonë vargjet e laureates sonë të sivjetme, fitueses së Kurorës së Artë, Aneke Brasinga, në poezinë “E përkohshme”:

“Vetëm atomet dhe zbrazëtia janë të pavdekshme,”
tha Lukreci. Ajo që na lidh është se të gjithë
ne do të shpërbëhemi në atome.
Ajo që na lidh është se jemi kalimtarë dhe e duam njëri-tjetrin,
se më fort e ndiejmë vetëdijen tonë të përbashkët
për vdekshmërinë e qenies, ndaj njëri-tjetrit,
sesa për ato atome të mallkuara.
Vdekja është tepër e vogël
dhe tepër e madhe, por jeta është më e fortë,
ajo bashkohet me forcën e përkohshme të së dobëtës,
në rastësinë e veçantë
të këtij takimi trupor, në gëzimin
që është përtej të gjithë atomeve.

Më lejoni që në fund të theksoj edhe një herë se, për mua, mundësia për të qenë mes jush nuk është vetëm një detyrim ceremonial dhe protokollar presidencial. Ajo është privilegj dhe gëzim.

Prandaj, me nder dhe kënaqësi të veçantë, i shpall të hapura Mbrëmjet e 65-ta Strugane të Poezisë.

Le ta shijojmë poezinë me pasion!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit