Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Konferencën e 26-të të SHBA-së – Karta e Adriatikut

27 Shtator 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në hapjen e Konferencës së 26 të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve anëtare dhe mbikëqyrëse të SHBA-Karta e Adriatikut, që mbahet në Shkup.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar shefa të shtabeve të përgjithshme,

I nderuar komandanti suprem i forcave të SHBA-së për Evropën,

E nderuar ministre,

I nderuar shef i Shtabit të Përgjithshëm,

Të dashur miq,

Zonja dhe zotërinj, 

Kam nderin e veçantë të mbaj fjalim në hapjen e Konferencës së 26-të të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve anëtare dhe mbikëqyrëse të SHBA-Karta e Adriatikut. 

Më lejoni në fillim të shpreh kënaqësinë time që këtë vit kryesimi me Grupacionin A5 e mori Republika e Maqedonisë së Veriut që është kryesimi ynë i parë si vend anëtar në NATO. Kurse, ky kryesim përputhet me 20-vjetorin e formimit të kësaj iniciative, kur shënojmë dy dekada të bashkëpunimit të përbashkët të suksesshëm.

Dua gjithmonë ta theksoj faktin se jam veçanërisht i kënaqur që personalisht kam qenë pjesë e kësaj iniciative që në fillim, prandaj kënaqësia ime është edhe më e madhe kur shoh se kjo iniciativë vazhdon të mbijetojë dhe zgjerohet edhe pas dy dekadash. Meqë ra fjala, kjo tregon edhe sa të moshuar jemi.

Nëse i kthehemi historisë, Karta e Adriatikut filloi si format bashkëpunimi midis anëtarëve të atëhershëm të Partneritetit për Paqe, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, në maj të vitit 2003, për të koordinuar aktivitetet e tyre në procesin e integrimit në NATO, kurse nën patronazhin e partnerit tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë, gjatë vitit 2008, kësaj iniciative iu bashkuan Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, kështu që në janar 2009 iniciativa mori një format të ri, kurse A5 e zgjeruar, me mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, shtoi shumë më tepër në konceptin e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Nga formimi e deri më sot, Karta e Adriatikut ka përmbushur në masë të madhe qëllimin fillestar për të cilin u themelua, që është promovimi dhe zbatimi i “politikës së dyerve të hapura” të NATO-s, për të cilën është dëshmi fakti se praktikisht katër nga pesë vendet anëtare të iniciativës (Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia) janë tashmë anëtarë të Aleancës.

Kjo konfirmon se dera e zgjerimit të Aleancës mbetet e hapur jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe më gjerë, për të gjitha ato shtete që janë të përkushtuara ndaj proceseve reformuese, ndajnë vlerat e Aleancës dhe janë të gatshme të kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë kolektive.

Gjatë gjithë viteve të kaluara, Maqedonia e Veriut, si vend iniciator, pa hezitim ka investuar në promovimin e qëllimeve të Kartës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, me qëllim të kuptimit dhe pranimit sa më të mirë të përparësive të partneritetit dhe integrimit në Aleancën e NATO-s.

Në këtë kontekst, dua të theksoj rëndësinë e mbështetjes së përgjithshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat edhe sot vazhdojnë të ofrojnë për aspiratat euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kurse në funksion të sigurimit të paqes dhe prosperitetit të të gjithë rajonit.

Të nderuar,

Jemi dëshmitarë se kjo konferencë po mbahet në një kohë sfidash të paprecedentë për arkitekturën e sigurisë së Evropës, të nxitura nga invazionit i Rusisë mbi Ukrainën. Evropa po përballohet me sfidën më të madhe historike që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Breza e breza të politikanëve evropianë të pasluftës ishin të sigurt se kontinenti ynë nuk do të dëshmonte më kurrë një tragjedi kaq të tmerrshme, megjithatë, invazioni rus mbi Ukrainën i përmbysi në mënyrë flagrante parimet kryesore të rendit juridik ndërkombëtar.

Që nga fillimi, e kemi dënuar rreptësisht invazionin e paligjshëm të Rusisë. Maqedonia e Veriut i mbështet plotësisht përpjekjet e NATO-s dhe kontribuon me kapacitetet e saj për të përforcuar sigurinë e krahut lindor të Aleancës. Aktualisht, jemi ndër pesë shteteve të para anëtare të Aleancës sipas raportit midis prodhimit të brendshëm bruto dhe ndihmës ushtarake dhe materialo-teknike që i ofrojmë Ukrainës në këtë periudhë kritike. Është e vërtetë që lufta në Ukrainë mund të zgjatë, por ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ndihmojmë sepse besojmë se mbrojtja e Ukrainës është mbrojtja e rendit evropian dhe ndërkombëtar të bazuar në parime.

Invazioni rus mbi Ukrainës si kurrë më parë e imponoi nevojën që Bashkimi Evropian të fokusohet në integrimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, proces i cili do të përforcojë më tej stabilitetin, sigurinë, demokratizimin e rajonit tonë, sepse NATO-ja dhe Bashkimi Evropian janë dy korridoret për të ardhmen e parashikueshme dhe me prosperitet.

Për fat të keq, prolongimi i integrimit evropian, për arsye të ndryshme, praktikisht në të gjitha shtetet ballkanike, po e lëkund kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Ritmi i ngadaltë i procesit të integrimit në Bashkim është një nga kërcënimet për demokracinë në Ballkan. Shumica e hulumtimeve të mendimit publik tregojnë se mbështetja për organizatat dhe vendet me orientim perëndimor është në rënie dhe për herë të parë pas tri dekadash, po rritet mbështetja për disa organizata të tjera rajonale dhe modele të ndryshme të qeverisjes. Siç ishte e padiskutueshme që disa entitete të huaja tentuan ta pengojnë anëtarësimin tonë në NATO, ashtu edhe sot po tentojnë të pengojnë proceset integruese të vendit në Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, zhvillohen strategji dhe kërcënime hibride, kryhen sulme kibernetike dhe prodhohen lajme të rreme dhe dezinformata që cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe në besueshmërinë në organizatat rajonale në të cilat jemi ose dëshirojmë të jemi.

Të nderuar,

Stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë një nga prioritetet kryesore të jashtme-politike të Maqedonisë së Veriut. Me angazhime të tilla për paqen dhe sigurinë, dialogun, përgjegjësinë e përbashkët dhe angazhimin aktiv, e morëm kryesimin SHBA-Karta e Adriatikut këtë vit. Nëpërmjet qasjes dhe iniciativës sonë proaktive për të përforcuar dimensionin politik dhe rëndësinë e Kartës së Adriatikut, edhe një herë e dëshmojmë rolin dhe kontributin tonë në stabilizimin dhe prosperitetin e rajonit. Njëkohësisht, më lejoni të theksoj edhe një herë se i japim mbështetje pa rezerva “politikës së dyerve të hapura” të NATO-s dhe veçanërisht aspiratave të vendeve të rajonit të cilat duan të anëtarësohen në Aleancë.

Në fund, më lejoni, t’ju falënderoj për mundësinë që të mbaj fjalim në hapjen e kësaj konference dhe kuptohet t’ju uroj punë të suksesshme.

Faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....