Mesazhi i Presidentit Pendarovski me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Grave

8 Mars 2024 | Kumtesat

Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Grave, Presidenti Stevo Pendarovski e dërgoi këtë mesazh:

“Statusi, pozita dhe roli i grave është tregues i qartë për shkallën e demokracisë në një shoqëri. Nëse duam të jetojmë në një shoqëri me të vërtetë demokratike duhet t’i marrim parasysh nevojat e të gjithë qytetarëve në krijimin, miratimin dhe zbatimin e politikave. Kjo nënkupton ambient të shëndetshëm në të cilin gratë do të përfshihen dhe nuk do të përjashtohen nga proceset politike, si dhe garantim të buxhetit me qëllim që politikat gjinore të mos jenë vetëm në fjalë, por të zbatohen realisht në praktikë.

Në këtë rrugë duhet të vazhdojmë të luftojmë edhe më fuqishëm për tejkalimin e barrierave me të cilat ballafaqohen gratë kur hyjnë në jetën publike. T’i inkurajojmë gratë sipërmarrëse, gratë në politikë dhe gratë në pozita udhëheqëse. Të sigurojmë vlerësim të barabartë të mundit të tyre dhe paga të barabarta midis burrave dhe grave.

Ta ndërpresim shtypjen dhe dhunën gjinore, të cilat përveç se fizikisht edhe më tepër shprehen nëpërmjet injorimit dhe margjinalizimit të pozitës shoqërore të gruas. Që çdo grua të ndjehet e sigurt dhe e mbrojtur në familje, në vendin e punës dhe në shoqëri, nuk duhet të ketë precedentë në vendosjen e drejtësisë për gratë viktima të dhunës së bazuar në gjini.

Vetëm kështu do të mundësojmë përforcim politik dhe ekonomik të statusit të grave, drejtësi sociale dhe përmbushje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë.

Sa më shumë investojmë në barazinë gjinore aq më shumë u mundësojmë brezave të ardhshëm të trashëgojnë një shoqëri në të cilën stereotipat, diskriminimi dhe barrierat e sistemit do të zvogëlohen.

Lufta për barazi gjinore nuk duhet të jetë një thënie boshe, por duhet të zbatohet me të vërtetë në të gjitha marrëdhëniet shoqërore dhe ndërnjerëzore. Gruaja, zëri i saj dhe të drejtat e saj duhet të respektohen.

Gëzuar 8 Marsin!”

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....