Deklarata e Presidentes Siljanovska Davkova pas takimit me Presidenten e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu

21 Korrik 2026 | Fjalimet, Kumtesat

Si pjesë e vizitës zyrtare të Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu sot u mbajt konferencë e përbashkët për shtyp të Presidentes së Maqedonisë, Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu.

Në vijim është deklarata e plotë e Presidentes Siljanovska Davkova.

E nderuara Zonja Presidente,

Është nder dhe kënaqësi për mua t’ju përshëndes në këtë ditë historike. Prania juaj këtu është me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi kjo është vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Republikës së Indisë në vendin tonë. Jam e bindur se kjo vizitë do të jetë fillimi i një kapitulli të ri dhe shumë më ambicioz në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Do të dëshiroja të theksoja që në fillim se ju, si Presidente, keni treguar se postet më të larta fitohen me karakter dhe jo me privilegje. Ky është një shembull tepër frymëzues, jo vetëm në Indi, por edhe në nivel global dhe paraqet inkurajim për gra dhe të rinj të panumërt në të gjithë botën që të merren me politikë.

Bisedimet tona sot ishin jashtëzakonisht të përzemërta, të hapura dhe të orientuara drejt së ardhmes. Ne konfirmuam marrëdhëniet e mira politike, kemi rënë dakord se potenciali i vërtetë ende nuk është realizuar.

Kur flasim për Indinë, nuk flasim vetëm për një vend, por për një nga qytetërimet më të mëdha dhe më të qëndrueshme në historinë e njerëzimit.

Jo vetëm që u lind në brigjet pjellore të Indusit dhe Gangut, ku u shkruan kapitujt më të hershëm të qytetërimit njerëzor, por ajo ka vazhduar gjithashtu. Nga Himalajet me dëborë deri në Oqeanin Indian, nga bukuria e përjetshme e Taxh Mahalit deri te tempujt madhështorë që i kanë rezistuar shekujve, ky është një udhëtim i jashtëzakonshëm kulturor që pasuron trashëgiminë e njerëzimit.

Për të gjithë ne, jo vetëm indianët, India njihet si atdheu i Mahatma Gandhit, filozofia e të cilit e jo-dhunës transformoi fjalorin moral të politikës ndërkombëtare. Por India është gjithashtu atdheu i Tagore-s, i cili më frymëzoi mua, dhe jam e sigurt se edhe shumë prej juve na ka frymëzuar, ndërsa ka frymëzuar edhe gjenerata të tëra.

India njihet gjithashtu për vizionin shpirtëror të Vivekanandës, për artin e përjetshëm të Ravi Shankarit, India njeh gjithashtu Rahmanin, India njihet për Satyajit Ray, bëhet fjalë për një trashëgimi kulturore e jashtëzakonshme.

Ajo që dëshiroj ta theksoj sot  këtu është se India gjithmonë ka pasur aftësinë për të ruajtur mençurinë dhe lashtësinë, por në të njëjtën kohë për të qenë ndër inovatorët kryesorë. Është njëkohësisht një nga qytetërimet më të vjetra në botë, por  edhe një nga forcat kryesore lëvizëse sot të rritjes ekonomike moderne, arritjeve shkencore dhe inovacioneve teknologjike.

India nuk është vetëm demokracia më e madhe në botë, por edhe një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë, dhe jo vetëm kaq, India është një nga zërat më me ndikim në krijimin e agjendës globale.

Edhe pse kjo vizitë është ngjarja e parë në nivel presidencial, miqësia midis vendeve tona nuk fillon sot. Popujt tanë e njihnin njëri-tjetrin edhe gjatë ish-Jugosllavisë, si pjesë e Lëvizjes së të Paangazhuarve. Pse e përmend këtë? – Vetëm për të theksuar se në epokën e Luftës së Ftohtë kishte iniciativa për dialog, për barazi, për solidaritet dhe për bashkëjetesë. Këto janë parime që janë po aq të rëndësishme sot.

Dy kombet tona janë të lidhura edhe nga një lidhje e jashtëzakonshme përmes një prej humanitareve më të mëdha që ka njohur bota – Shën Nëna Terezë. E lindur në Shkup, ajo ia kushtoi jetën popullit të Indisë dhe u bë simbol universal i njerëzimit. Çmimi Nobel për Paqen dhe çmimi “Bharat Ratna” dëshmojnë për respektin dhe dashurinë e thellë me të cilën India e pranoi atë. Është, më lejoni ta përsëris edhe një herë, një urë shpirtërore midis dy popujve tanë.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot, së bashku me kolegen time, riafirmuam vendosmërinë tonë të përbashkët për të ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë.

Mirëpritëm intensitetin e shtuar të dialogut politik pas shkëmbimeve ministrore midis Shkupit dhe Nju Delhit dhe kemi rënë dakord se kontaktet midis qeverive, ministrive, parlamenteve dhe institucioneve tona duhet të bëhen më të shpeshta, më të strukturuara dhe më ambicioze.

Diplomacia parlamentare mbetet një nga shtyllat më të forta të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe jam e bindur se fjalimi i sotëm i Presidentes drejtuar anëtarëve të Asamblesë sonë do t’i përforcojë marrëdhëniet midis dy parlamenteve dhe do të hapë mundësi të reja për dialog parlamentar.

Gjithashtu shpreha mirënjohjen tonë të sinqertë për praninë gjithnjë e më aktive të Indisë në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore. Ne mirëpresim çdo iniciativë për të përforcuar dhe presim me padurim hapjen e ardhshme të një Ambasade Rezidente të Indisë në Shkup.

Takimi i sotëm konfirmoi fushëveprimin e agjendës sonë dypalëshe. Bisedimet për marrëveshje dhe memorandume të shumta mirëkuptimi janë provë e vullnetit të fortë politik për të institucionalizuar bashkëpunimin. Por besoj se bashkëpunimi ynë nuk duhet të ndalet këtu.

Ndër të gjitha temat që diskutuam sot, një në veçanti u theksua: ka ardhur koha që partneriteti ynë ekonomik të përputhet me cilësinë e marrëdhënieve tona politike.

Transformimi ekonomik i Indisë është padyshim një nga historitë më të shquara të suksesit të shekullit të njëzet e një. Vetëm në një gjeneratë, India është rritur në një fuqi kryesore ekonomike në botë, duke u bërë një nga qendrat globale të inovacionit, teknologjive digjitale dhe sipërmarrjes.

Në të njëjtën kohë, jemi të bindur se edhe vendi ynë ka shumë për t’u ofruar partnerëve të saj indianë.

Për të përmendur vetëm disa. Të vendosur në udhëkryqin e korridoreve kryesore të transportit europian, me stabilitet politik, një klimë konkurruese biznesi, një fuqi punëtore të kualifikuar mirë, qasje preferenciale në tregjet europiane, ne jemi pikë hyrjeje tërheqëse, portë hyrëse për kompanitë indiane që kërkojnë të zgjerojnë praninë e tyre në Europë.

Ne nuk jemi vetëm gjeografikisht, por edhe një udhëkryq të ideve, inovacioneve, investimeve dhe mundësive. Gjatë diskutimeve tona, identifikuam një numër fushash në të cilat ekonomitë tona, dhe sigurisht, biznesmenë shumë më të kualifikuar, mund të plotësojnë njëra-tjetrën.

Nga industria e automobilave dhe farmaceutikës, përmes kujdesit shëndetësor, teknologjive të informacionit, outsourcing-ut të proceseve të biznesit, burimeve të energjisë së ripërtëritshme, bujqësisë, industrisë ushqimore, inxhinierisë mekanike, logjistikës dhe prodhimit të avancuar – mendoj se ekziston një spektër mbresëlënës të mundësive që presin të shndërrohen në projekte konkrete.

Gjithashtu biseduam edhe për ekonominë e së ardhmes: inteligjenca artificiale, transformimi digjital, kërkimi shkencor, bashkëpunimi midis universiteteve dhe teknologjitë e reja.

Sot pasdite, zonja Presidente, do të kemi nderin të drejtohemi së bashku në Forumin e Biznesit Maqedonaso-Indian dhe të inkurajojmë bashkëpunimin midis kompanive tona. Vitin e kaluar, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti afërsisht 133 milionë dollarë amerikanë. Kjo shifër është shumë më poshtë potencialit të vërtetë. Prandaj, ndava me Presidenten Murmu bindjen time se duhet t’i vendosim vetes një qëllim të përbashkët, më ambicioz, por të arritshëm – që tregtia dypalëshe të arrijë të paktën 500 milionë dollarë amerikanë në pesë vitet e ardhshme.

Unë besoj se qëllime të tilla nuk janë vetëm  shprehje optimizmi. Ato janë angazhim strategjik që mund të inkurajojë qeveritë, institucionet dhe sektorin privat të punojnë me vendosmëri më të madhe drejt rezultateve të matshme.

E nderuara Zonja Presidente,

Kultura, arsimi, shkenca, inovacionet, shkëmbimet rinore dhe bashkëpunimi akademik, jam e sigurt se kanë një potencial të madh dhe të pashfrytëzuar. Për mua, ata krijojnë lidhjet më të thella dhe më të qëndrueshme midis popujve, sepse ata jo vetëm që lidhin institucionet, por lidhin mbi të gjitha – njerëzit.

Si trashëgimtarë të traditave të mëdha historike dhe vlerave shpirtërore, besoj se diplomacia kulturore mund të bëhet një nga forcat kryesore lëvizëse të marrëdhënieve indiano-maqedonase. Bashkëpunimi në sektorin audiovizual do të krijojë mundësi të reja emocionuese për regjisorët e filmave, producentët dhe artistët nga të dy vendet, ashtu si partneritet më i ngushtë midis universiteteve dhe qendrave shkencore do të hapë dyert për gjeneratat e reja.

Gjithashtu, përmendëm edhe turizmin, ku ka një potencial të madh, të pashfrytëzuar. Vendi ynë ofron natyrë të paprekur, pasuri nën mbrojtjen e UNESCO-s, vende antike, kisha bizantine, xhami osmane dhe, më e rëndësishmja, mikpritje të sinqertë, ndërsa shpresohemi se gjithnjë e më shumë qytetarë tanë do ta përjetojnë pasurinë qytetëruese të Indisë.

Miqësitë më të forta midis popujve nuk krijohen vetëm nga presidentët, presidentet dhe qeveritë, por edhe nga studentët, artistët, sipërmarrësit, shkencëtarët dhe të rinjtë që mësojnë nga njëri-tjetri, duke u kthyer me kujtime të paharrueshme dhe mirëkuptim të thellë të ndërsjellë.

Në fund, diskutimet tona konfirmuan se marrëdhëniet midis dy vendeve do të pasqyrohen edhe në mënyrën se si bashkëpunojmë në Kombet e Bashkuara.

Sot, trajtuam edhe disa nisma të rëndësishme globale të Indisë. Bazuar në vlerësimin tonë fillestar, nuk shohim pengesa për t’u bashkuar me Aleancën Ndërkombëtare të Energjisë Diellore, Aleancën Globale të Biokarburanteve dhe Koalicionin e Infrastrukturës Rezistente ndaj Fatkeqësive Natyrore. Presim me padurim që të identifikojmë mënyra konkrete se si vendi ynë mund të kontribuojë në mënyrë aktive në suksesin e tyre të vazhdueshëm.

Gjithashtu, diskutuam edhe për situatën më të gjerë ndërkombëtare.

Është e qartë se po jetojmë në kohë të ndryshimeve të thella gjeopolitike. Rendi ndërkombëtar po përballet me një nga periudhat më serioze të pasigurisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Konfliktet e armatosura po marrin jetë të pafajshme. Aleancat e gjata po ndryshohen. E drejta ndërkombëtare po sfidohet gjithnjë e më shumë nga logjika e forcës, nëse ka ndonjë logjikë në fuqi, ndërsa besimi në institucionet shumëpalëshe po dobësohet.

Pikërisht në momente të tilla duhet t’i rezistojmë tundimit për të braktisur parimet dhe vlerat mbi të cilat është bazuar gjithmonë paqja e qëndrueshme. Përgjigja ndaj dobësive të multilateralizmit nuk mund të jetë më pak multilateralizëm. Ne kemi nevojë për institucione të forta.

Si shtet anëtar i NATO-s, qëllimi strategjik i të cilit është anëtarësimi në BE, pozicioni ynë gjeostrategjik na lejon të ndjekim politikë të jashtme shumëdimensionale. Ne kërkojmë të thellojmë partneritetet ekzistuese, por edhe të krijojmë të reja me vendet që ndajnë angazhimin tonë për paqe, zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

India zë një vend veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim.

Gjithashtu, unë konsideroj, dhe ne besojmë, se nevojitet që Kombet e Bashkuara të reformohen, me Këshill të Sigurisë shumë më përfaqësues dhe me ndikim më të fortë të Asamblesë së Përgjithshme.

Si përfundim, derisa përfundojmë këtë pjesë të parë të vizitës suaj historike, po largohem nga takimi ynë me një ndjenjë të thellë optimizmi.

Sot, nuk kemi shqyrtuar vetëm marrëdhëniet e mira midis Indisë dhe Maqedonisë. Përkundrazi, mendoj se kemi folur për të ardhmen e tyre të përbashkët.

Një të ardhme me dialog më të fortë politik.

Një të ardhme me bashkëpunim më të mirë ekonomik.

Një të ardhme me tregti dhe investime në rritje.

Një të ardhme bashkëpunimi në fushën e shkencës, arsimit dhe shëndetësisë.

Mendoj se kemi arsye të besojmë se dekadat e ardhshme mund të paraqesin periudhë dinamike në marrëdhëniet tona dypalëshe.

Pres me padurim t’ju mirëpres përsëri. Faleminderit për ftesën për tavizituar Indinë. Si mbërritja juaj ashtu edhe ftesa juaj premtojnë miqësi, partneritet dhe prosperitet të përbashkët.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Vizita zyrtare e Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu, ka filluar

Vizita zyrtare e Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu, ka filluar

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në ceremoni solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti sot Presidenten e parë të Republikës së Indisë, Drupadi Murmu që është në vizitë zyrtare të vendit. Takimi ballë për ballë u pasua pas takimit plenar të...