Presidenti Pendarovski: Zbatimi i regjistrimit të besueshëm është testim për pjekurinë tonë si shtet

29 Janar 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në takimin që Enti Shtetëror i Statistikës e organizoi me kryetarët e komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kushtuar rëndësisë dhe rolit të vetëqeverisjes lokale në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të regjistrimit të popullatës, ekonomive familjare dhe banesave, 2021.

Në vijim e japim tekstin e fjalimit të Presidentit Pendarovski.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,
I nderuar Kryeministër i Qeverisë,
Të nderuar kryetarë komunash, ministra,
I nderuar drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës

Kam nderin t’ju përshëndes në këtë eveniment kushtuar Ligjit për regjistrim të popullatës, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021.

Ky regjistrim do të zbatohet në një periudhë jo të përditshme. Për shkak të pandemisë, e gjithë bota po kalon nëpër një transformim të madh. Suksesi i një shteti matet sipas aftësisë që të ballafaqohet me efektet e shumta ekonomike, sociale, shëndetësore, ekologjike dhe arsimore të pandemisë. Një nga elementët kryesorë që është i domosdoshëm për politika të suksesshme është pikërisht pamja reale mbi numrin e popullatës dhe strukturës së saj ekonomike, arsimore dhe sociale. Nuk ekziston mënyrë tjetër për të marrë një pasqyrë reale, përveç regjistrimit si operacion statistikor i cili është parakusht për çdo shtet të organizuar që të mund ta planifikojë zhvillimin e vet. Për fat të keq, për arsye të njohura, pothuajse 20 vjet ne nuk i kemi ata parametra statistikorë vitalë.

Edhe pse është miratuar dhe ka hyrë në fuqi vetëm para pak ditës, Ligji për regjistrimin është një temë që po e dallgëzon publikun prej një kohe të gjatë. Prandaj, para se ta nënshkruaj Dekretin për shpalljen e Ligjit u takova me përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore dhe u konsultova me ekspertë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë në këtë fushë, duke përfshirë edhe nga Eurostati. Qëndrimi i tyre parimor është se dispozitat në këtë ligj (flas për kornizën e përgjithshme) nuk devijojnë nga normat dhe parimet standarde ndërkombëtare dhe nga praktika e organizimit të regjistrimit në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Prandaj jam thellësisht i bindur se vetë zgjidhja ligjore nuk është pengesë për zbatimin e regjistrimit. Gjithashtu, jam i bindur se Enti Shtetëror i Statistikës ka njohurinë, përvojën dhe resurset e duhura që ta zbatojë këtë operacion të rëndësishëm statistikor në mënyrë profesionale, duke respektuar të gjitha rekomandimet dhe masat për mbrojtje nga kovid-19.

Sipas meje, problemet lidhur me regjistrimin nuk janë as ligjore, as kushtetuese, as teknike, as shëndetësore. Sfida më e madhe gjatë zbatimit të tij mund të jetë vetëm politizimi i panevojshëm i cili në opinion është krijuar para një periudhe të caktuar.

Ky politizim i përfshin edhe thirrjet për bojkotim të regjistrimit, licitimin për përfaqësimin procentual të bashkësive dhe paralajmërimet se nuk do të pranohen rezultatet nëse nuk reflektohet numri i dëshiruar i dikujt. Edhe pse vijnë nga palë të ndryshme, të gjitha përpjekjet për politizim kanë emërues të përbashkët. Domethënë, të gjitha janë reflektim i frikës nga rezultatet e regjistrimit.

Sipas meje, kjo frikë vjen nga kuptimi i gabuar i konceptit të të drejtave të njeriut, në thonjëza, si shumë të privilegjeve që dikush ia jep ose ia merr dikujt. Për fat të keq, është e saktë se në Ballkan të drejtat e njeriut ende shihen nëpër prizmin etnik dhe regjistrimi nuk perceptohet si operacion statistikor, por si projekt politik. Prandaj, kur numërohemi në rajon, ne ende besojmë se fuqia është te numrat dhe se vetëm prej atyre numrave varen të drejtat tona. Ky është shkaku kryesor pse pothuajse 20 vjet nuk kemi organizuar regjistrim dhe pse e ndërpremë në vitin 2011. Por, të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë privilegje që mund të humben apo të merren në varësi nga vullneti i dikujt. Në një shtet demokratik me të ardhme evropiane, të drejtat e fituara nuk duhet të merren, por vetëm të zmadhohen dhe kjo duhet të vlejë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga numri i tyre.

Në këtë kuptim, politizimi i regjistrimit është vetëm defokusim nga problemet reale me të cilat po ballafaqohen qytetarët maqedonas, kurse, ato më shumë janë në sferën ekonomike-sociale, sundimin e të drejtës, si dhe pasoja e tyre – shpërngulja.

Nëse ekziston një punë e cila duhet të na trembë me të vërtetë nga ky regjistrim të gjithë ne, ky është numri i qytetarëve të shpërngulur, numri i të rinjve të cilët kanë ikur përgjithmonë nga shteti në kërkim të jetës më të mirë për vete dhe për familjet e veta. Ky është një nga kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kurse shpërngulen qytetarë nga çdo përkatësi etnike dhe fetare. Shpërngulen nga të gjitha komunat, nga të gjitha qytetet dhe fshatrat. Efektet negative të shpërnguljes ndihen më drejtpërdrejt pikërisht në nivel lokal. Ju, si kryetarë komunash, e dini shumë mirë si reflektohet kjo në jetën dhe zhvillimin e komunave. Sigurisht që njihni edhe vetë shumë bashkëqytetarë tuaj që kanë blerë biletë në një drejtim.

Është e saktë se regjistrimi i ardhshëm do të na ballafaqojë me frikët tona më të mëdha. Por, këto nuk janë frikë nga tjetri, nga i ndryshmi, por frikë për faktin se sa pak jemi në të vërtetë në shtetin tonë.

Po, pikërisht ky ballafaqim me realitetin na nevojitet absolutisht që të na ndihmojë të fokusohemi përfundimisht në problemet reale. Në vend që të hyjmë në debate dhe akuza të panevojshme midis nesh se në cilën kohë janë shpërngulur më shumë qytetarë, duhet të kërkojmë së bashku zgjidhje për zvogëlimin e shpërnguljes. Regjistrimi është me rëndësi të jashtëzakonshme për dimensionimin e politikave, projekteve dhe buxheteve edhe në nivel qendror edhe në nivel lokal. Nga këto të dhëna varet se çfarë infrastrukture, sa kopshte, shkolla dhe spitale i nevojiten realisht çdo vendbanimi. Rezultatet do të ndikojnë edhe në korrigjimin e planeve urbanistike që të reflektohen nevojat objektive të popullatës rezidente. Në fund, regjistrimi do t’i ndihmojë institucionet në nivel qendror dhe lokal që ta kryejnë më mirë funksionin e vet në shërbim të qytetarëve.

Të nderuar,

Na nevojitet regjistrim rezultatet e të cilit nuk do të kontestohen, kurse parakusht për këtë është të kemi konsensus politik se pavarësisht nga rezultatet, nuk do të rrezikohen ose nuk do të merren të drejtat e askujt. Shumë herë thashë se regjistrimin do ta depolitizojmë vetëm nëse të gjithë faktorët relevantë politikë u dërgojnë mesazhe të qarta dhe pa dyshime qytetarëve maqedonas, në këtë drejtim. Asnjë shtet demokratik nuk mund të përparojë nëse qytetarëve të vet, nga cilado bashkësi etnik ua merr të drejtat e fituara. Një përpjekje e tillë mundet vetëm t’i thellojë ndarjet në shoqërinë shumetnike maqedonase. Prandaj, ta përsëris edhe njëherë – nëse diçka varet nga rezultatet e regjistrimit, këto nuk janë të drejtat e qytetarëve, por zhvillimi i ardhshëm i shtetit.

Dua t’ju bëj thirrje edhe juve, si kryetarë të komunave t’u dërgoni pikërisht mesazhe të tilla banorëve në komunat tuaja. Efektet nga një regjistrim i zbatuar mirë do t’i ndiejnë më shumë pikërisht qytetarët në nivel lokal. Dhe nga gatishmëria juaj që të punoni në këtë drejtim do të varet se a do të shfrytëzohen rezultatet e regjistrimit për projektimin e strategjive dhe politikave zhvillimore për të mirën e të gjithë qytetarëve, apo do të jenë edhe një shkak për thellimin e ndarjeve edhe në nivel lokal.

Personalisht, pres të gjithë ne, përfaqësuesit politikë të qytetarëve, të jemi në lartësinë e sfidës historike që është vendosur para të gjithëve ne. Organizimi i regjistrimit të besueshëm do të jetë edhe test për pjekurinë tonë si shtet. Nëse e zbatojmë me të gjitha nishanet, siç i takon një shteti serioz, ky regjistrim do të na ndihmojë ta ripërtërijmë besimin e qytetarëve dhe në institucionet qendrore edhe në ato lokale, por edhe besimin e ndërsjellë të qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Këtu, duhet ta kemi të qartë një gjë: përgjegjësinë të mos e kërkojmë te qytetarët, përgjegjësia është te ne, politikanët. Ne duhet të dëshmojmë se 30 vjet pas 8 shtatorit 1991, më në fund jemi pjekur si shtet dhe e meritojmë pavarësinë, në themelet e të cilës kanë investuar gjenerata luftëtarësh për të drejtat dhe liritë e njeriut, dekada para nesh.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....