Fjailimi i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut

18 Dhjetor 2019 | Fjalimet, Kumtesat

 Të nderuar qytetarë, i nderuar Kryetar i Kuvendit, të nderuar deputetë, të nderuar ministra, të ftuar të respektuar, Ekselencat Tuaja, përfaqësues të mediave,

Në fjalimin tim të parë në këtë Parlament, më 12 maj të këtij viti, u obligova publikisht për një sjellje me përgjegjësi, ashtu siç i shkon një Presidenti të zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta dhe të përgjithshme, me vota nga të gjitha bashkësitë etnike. Kjo nënkupton që të jetë në dispozicion dhe i afërt me qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht se a kanë votuar apo jo për të, dhe larg interesave të ngushta partiake të subjekteve politike. I pakontestueshëm, kapital fillestar në këtë kuptim ishte akti i pranimit të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet presidenciale nga opozita, për herë të parë nga pavarësia jonë deri më sot. Qytetarët do të vlerësojnë se sa kam arritur në shtatë muajt e parë të mandatit tim të jem neutral në raport me qendrat e ndryshme të fuqisë politike dhe ekonomike, qëllimi im kryesor politik ishte dhe mbetet të jem i pavarur, të jem president i të gjithëve dhe jo një shërbëtor partiak apo apologjet i ndonjë oligarku të tranzicionit. Në këtë kuptim, para meje, por, edhe para ne të gjithëve, ka një punë enorme, sepse ndarjet midis qytetarëve me të cilët dikush ka punuar me vite,janë më të thella se kurrë më parë. Nëse më përpara dhe sot kjo ecte nëpër linjën e përkatësisë etnike, në dekadën e fundit ndarjet edhe midis maqedonasve janë thelluar në mënyrë dramatike.

Këtu, nuk flas për dallimet politike të cilat ekzistojnë legjitimisht në çdo demokraci, por, për shpenzimin e panevojshëm të energjisë dhe potencialit të shoqërisë që duhet të jenë të bashkuar rreth disa punëve të rëndësishme strategjike për të cilat do të insistoj dhe për të cilat do të propozoj modele për arritjen e një konsensusi më të gjerë shtetëror. Pajtimi qytetar për të cilin fola në inaugurimin tim nuk do të ndodhë vetvetiu, askush nuk ofron platforma konkrete për dialog midis palëve të prekura. Dje, me iniciativën time mbajtëm takim me liderët e bashkësive më të mëdha fetare, ku i luta, secili në suazat e kompetencave të veta të veprojë në drejtim të kohegzistencës produktive midis besimtarëve dhe respektimin e ndërsjellë në një shoqëri multifetare dhe multikulturore  siç është shoqëria jonë.

Takimi i liderëve të partive parlamentare që e mbajtën menjëherë pas rezultatit të pakënaqshëm në samitin e fundit evropian dhe i cili ishte i parë i këtij lloji pa ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare dëshmoi se posedojmë potencial të mjaftueshëm vendas në momente të rëndësishme historike që të bashkohemi për çështje të rëndësishme.

Mbi të gjitha edhe përkundrejt të gjitha dallimeve politike midis pushtetit dhe opozitës, kur ishte më e rëndësishmja, me konsensus të gjerë janë miratuar disa ligje vendimtare me dy të tretat e shumicës në sferën e gjyqësorit, legjislacionit për antikorrupsionin dhe reformën në sistemin e sigurisë.

Deri në fund të vitit, për herë të parë në kabinetin e një presidenti do të organizojmë një sërë takimesh me grupet e tifozëve ku janë aktivë të rinj me përkatësi të ndryshme etnike, dhe në këto takime, me ftesë prej meje, do të marrin pjesë edhe disa pjesëmarrës dëshmitarë të konfliktit në vitin 2001, të cilët atëherë kanë qenë në anë të ndryshme. Qëllimi im është që këtyre të rinjve, nëpërmjet shembujve të drejtpërdrejtë t’u tregojmë, nga njëra anë çmimin e dhunës, kurse nga ana tjetër, vlerën e dialogut dhe debateve edhe për çështjet më të vështira me të cilat jemi ballafaquar në vendin tonë të përbashkët.

Ndarjet e vjetra sipas linjës partiake dhe etnike nuk i tejkaluam, kurse në bazë ditore i shohim tashmë edhe ndarjet e reja, qoftë në lidhje me personat me invaliditet, qoftë me orientimin e ndryshëm seksual dhe identitetin gjinor të disa prej nesh. Miq të dashur, deri në momentin që ndahemi në baza të ndryshme dhe i diskriminojmë ata që janë të ndryshëm nga ne, nuk mund të flasim për përparim dhe të përkufizohemi si një shoqëri progresive. Si rrjedhim, asnjë ndryshim për më mirë nuk ka ndodhur sepse publiku apo mjedisi ishin të përgatitur për këtë gjë, por, sepse dikush ka punuar aktivisht që të ndodhin këto ndryshime. Kundër paragjykimeve dhe stereotipave duhet të luftojmë të gjithë, por të mos gënjehemi, përgjegjësia që të jesh në radhët e para të asaj lufte qëndron, para së gjithash mbi ne, politikanët e zgjedhur.

Që në ditët e para të mandatit tim unë po përpiqem të jap një kontribut konkret në këtë drejtim. Në Kabinetin e Presidentit nga bashkëpunëtorët e rinj të angazhuar, 50% janë gra, janë punësuar persona me invaliditet, si edhe këshilltar për çështjet gjinore. Në bazë të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në këtë kabinet punojnë përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike. Në lidhje me përfaqësimin e bashkësisë joshumicë më të madhe, për herë të parë në histori, në shumë pozita udhëheqëse dhe me përgjegjësi ka shqiptarë etnikë, këshilltar për sigurinë nacionale, drejtor i Agjencisë për Zbulim, kurse në njësinë elite ushtarake “Ujqit” për herë të parë nga krijimi i saj kemi një përbërje multietnike. Dua ta theksoj faktin se përfaqësuesit e bashkësive joshumicë nuk janë angazhuar vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, por, para së gjithash, sepse posedojnë referencat më të larta profesionale, sipas standardeve të përcaktuara nga shtetet anëtare të aleancës perëndimore.

Më lejoni që në suazat e këtij rrethi me çështje shkurtimisht të flas edhe për Ligjin e shumëkomentuar për gjuhët, sidomos pas mendimit të Komisionit të Venecias të cilin, për fat të keq, sipas shprehive tona të vjetra, të këqija, e lexuam vetëm nëpërmjet dioptrisë politike dhe etnike. Komisioni i Venecias nuk thotë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse nuk është aspak kompetent për këtë gjë. Gjithashtu, Komisioni nuk thotë se shqiptarëve u janë dhënë shumë të drejta, përkundrazi na thekson si shembull të një shteti që shkon edhe më larg se standardet e larta evropiane në këtë fushë. Megjithatë, juristët e lartë evropianë me të drejtë thonë se shteti ynë, në këtë moment, nuk ka kapacitet dhe resurse që t’i zbatojë këto standarde në procedurat gjyqësore dhe drejtuese. Me fjalë të tjera, çfarë fitohet nga ligji nëse dispozitat e tij mbeten në letër. Të jem edhe më i qartë, në lidhje me qëndrimin tim: që para dy vjetësh, atëherë si deputet, në Komisionin për Çështje Evropiane e argumentova se asnjë shtet nuk është shkatërruar sepse u ka dhënë qytetarëve të vet shumë të drejta në fushën e gjuhës. Ligji për gjuhët me siguri nuk ka potencial që ta destabilizojë vendin, megjithatë, nëse themi se ligjet i miratojmë për qytetarët, është e ndershme, t’i bëjmë të gjitha korrigjimet e domosdoshme që ata të përjetësohen me të vërtetë.

Të nderuar,

Në këtë shtëpi ligjvënëse, në vitin 2017 ishim dëshmitarë të ngjarjeve tragjike te të cilat na solli i ashtuquajtur shtet i robëruar. Prej atëherë deri më sot, vetëm për  dy vjet e gjysmë arritëm ta kthejmë shtetin në normalitet dhe ta çojmë në prag të anëtarësimit në NATO dhe në hapje të negociatave me BE-në, që është rindërtimi më i shpejtë që është vënë re në institucionet shtetërore në Evropën pas lufte. Indikatorët kryesorë demokratikë – liria e mediave, liritë ekonomike, heqja e kontrollit politik nga gjyqësori dhe administrata, lëvizën në drejtim pozitiv dhe këtë e dëshmojnë të gjitha analizat objektive të bëra ndërkohë te ne dhe jashtë shtetit.

Megjithatë, perceptimi i përgjithshëm te qytetarët tanë është se ky progres nuk mjafton sepse pritjet e tyre pas dhjetë vitesh regjimi autokratik, me të drejtë ishin më të mëdha. Lëvizja e gjerë qytetare e rezistencës që ishte gjenerator i ndryshimeve demokratike ka dalë me moton “Pa drejtësi, s’ka paqe”, por për fat të keq, pas tri vjet e gjysmë nga revolucioni ynë i vetëm demokratik në postkomunizëm, shumë pak veta janë të bindur se drejtësia ka mbërritur. Në një sërë procesesh gjyqësore nuk pamë përfundim, disa prej rasteve më të mëdha juridike u vjetërsuan para syve tanë, kurse, krijuesi i regjimit i iku drejtësisë dhe nga shteti, ndërsa për këtë, asnjë institucion nuk tha publikisht se si është e mundur një gjë e tillë. Kulmi në gjendjet e këqija në sistemin gjyqësor ishte e ashtuquajtura afera “Reket”, ku midis të akuzuarve për vepra të rënda penale u gjend edhe personi i parë i institucionit i cili ishte formuar me një qëllim të vetëm – t’i ndjekë kriminelët.

Të nderuar, një fakt nuk flet mirë për rezistencën e sistemit tonë gjyqësor ndaj ndikimeve nga jashtë – pothuajse tri dekada jemi shtet i pavarur, kurse, asnjë politikan i lartë apo biznesmen i pasuruar për një natë nuk ka përfunduar pas kangjellave, kurse aty duhej të përfundonin më shumë se një. Perceptimi i përgjithshëm te qytetarët është se vetëm të varfrit, dhe njerëzit që janë në margjina, pa ndonjë relacion me ndonjë pushtet mbajnë përgjegjës madje edhe për vepra penale për hiçgjë. Prandaj nuk duhet të na habisë që pjesën më të madhe të të rinjve e edukojnë shoutë reale, kurse idhujt e tyre nuk janë njerëzit e ndershëm – nikoqirë, faqebardhë me integritet personal, por tipat e botës kriminale.

Këtu, pa qëllim që të futem në programet dhe idetë politike të dikujt, dua që edhe njëherë publikisht t’i rekomandoj pushtetit të ardhshëm: menjëherë pas zgjedhjeve të zbatoni spastrim edhe te gjykatësit edhe te prokurorët, por së pari, te ne – politikanët. Dhe për këdo për të cilin nuk ka arsyetim logjik se si me rrogë shtetërore është bërë milioner duhet të vijojë menjëherë jo dorëheqje, por procedurë penale.

Të nderuar,

Pushteti i ri demokratik nga fillimi i mandatit në qershor të vitit 2017, mori hapa të guximshëm politikë, me qëllim që t’i përmbyllë kontestet politike me dimension historik me Bullgarinë dhe Greqinë. Këtë mund ta bënin vetëm politikanë me vizion dhe, këtu, e kam fjalën për politikanët më të përgjegjshëm në të tri shtetet në ato momente. Për marrëveshjet është thënë dhe shkruar shumë, sot vetëm do të tentoj t’i pozicionoj këto dy dokumente në perspektivën historike. Kompromiset ishin të vështira, por pa to do të ishte më vështirë sepse do të kishim të ardhme të paqartë  afatgjate. Hyrja në NATO paraqet sukses historik për këtë gjeneratë të politikanëve, por edhe për të gjithë ata që në mënyrë aktive punonin për këtë kauzë nga viti 1993, nga Deklarata e parë e miratuar me asnjë votë Kundër, pikërisht në këtë Kuvend. Sipas modelit të njëjtë të bashkimit shtetëror do të duhet të punojmë bashkë edhe në bisedimet me BE-në, sepse nëse në këtë proces nuk i mbledhim “kokat më të mençura”, atëherë për kohëzgjatjen dhe eventualisht vendimet e këqija në fund nuk do të mund t’i akuzojmë vetëm burokratët në Bruksel.

Shkurt, vlera e dy marrëveshjeve është që bëmë kompromis që ta hapim derën e integrimeve euroatlantike si parakusht për përparimin tonë, por gjatë kësaj, nuk e komprometuam më të rëndësishmen për ne- identitetin që tani ka edhe verifikim ndërkombëtar. Pas nënshkrimit, zbatimi i tyre i plotë varet nga vullneti i dy palëve biseduese në të dyja rastet. Ne lidhur me këtë kemi dy obligime, e para, t’i respektojmë marrëveshjet, sepse ky është një prej obligimeve më të rëndësishëm ndërkombëtar i çdo shteti serioz, e dyta, të këmbëngulim për zbatim të përpiktë të obligimeve edhe nga pala tjetër, pasi marrëveshjet nuk përmbajmë obligime vetëm për ne dhe vetëm të drejta për ta.

Është e saktë që zbatimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë muajt e fundit ka ngecje të dukshme në punën e Komisionit të përbashkët, i përbërë nga historianë. Nga momenti i nënshkrimit të saj para dy viteve e gjysmë, kjo kryesi politike e kishte të qartë që në vitet e ardhshëm do të duhet patjetër haptazi dhe pa komplekse të hyjmë në bisedime për të ashtuquajturat “njollat e bardha” apo periudhat historie dhe figurat që gjatë komunizmit qëllimisht janë harruar apo janë prezantuar e sqaruar njëanshëm në opinionin e të dyja shteteve. Në këtë drejtim, jemi absolutisht të gatshëm t’i ballafaqojmë argumentet për kundërthënie të caktuara historike me interpretimet e ndryshme të një ngjarje të njëjtë të historisë, gjithashtu jemi të gatshëm, për përpjekje të përbashkëta të drejtuara kah deideologjizimi  i historisë, por të drejtën të identifikohemi si maqedonas të cilët e flasin gjuhën maqedonase dhe do të jetë jashtë çfarëdo debatit, sepse këto procese historike kanë mbaruar kohë më parë.

Hapja strategjike ndaj shteteve të treta, tani kur de facto jemi anëtare e NATO-s, duhet të ndodhë sa më shpejtë. Nuk kemi asnjë arsye të jemi të rezervuar në raportet me shtetet që nuk janë pjesë e hapësirës euroatlantike ndërsa dialogun me ta duhet ta bazojmë në interesa legjitime ekonomike që çdo shtet i ka.

Dalja jonë nga izolimi ndërkombëtar në tri vitet e fundit, njëkohësisht nënkuptonte dalje edhe nga izolimi rajonal në të cilën hymë me dëshirën e pushtetit paraprak. Për shtete të vogla si ne, prioriteti i parë i jashtëpolitik duhet të jenë me patjetër raportet e mira fqinjësore. Isha në vizita zyrtare në Shqipëri dhe Serbi ndërsa do t’i vizitoj edhe tre fqinjët e tjerë. Në kontekst të nismës aktuale rajonale dua veçanërisht të theksoj se këto në asnjë rast nuk duhet të kuptohen si ndërrim për integrimet evropiane, por vetëm si instrument për integrimin tonë më të shpejtë në Evropë. Gjatë kësaj, i ashtuquajturi “minishengen” që të jetë efikas, patjetër t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e jo vetëm tre prej tyre. Qëndrimin e njëjtë e kisha edhe për një nismë të mëhershme, që u quajt Beneluksi ballkanik, që kishte logjikë tjetër për lidhjen midis shteteve të rajoni tonë. Jam i bindur se në shekullin XXI, Ballkanit nuk i nevojiten ideologjitë shtetërore të shekullit XIX e XX, që sot të flasim për ripërtëritjen e Jugosllavisë së re apo formimin e aleancave ballkanike që do të orientohen kundër njëri-tjetrit. Nëse me të vërtetë duam jetë më të mirë, atëherë patjetër të bashkohemi sipas modelit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore – të kaluarën e mbajmë mend, por e lëmë nëpër arkiva ndërsa flasim për të ardhmen.

Pasi në Ballkan, fatkeqësisht, koha shkon më ngadalë sesa në vende tjera të botës, dhe në vitin 2019, në disa qendra të fuqisë botërore flitej për korrigjim të ri të kufijve të Ballkanit, madje edhe për këmbim njerëzish e territoresh. Qëndrimi im që nga fillimi ishte dhe mbetet që, ndryshimi i ri i kufijve ballkanikë do të na kthejë mbrapa në vitet e hershme të 1990 dhe do të shkaktojë tensione, ndërsa me siguri edhe konflikte të reja. Me gjithë respekt ndaj të gjithë atyre që kanë mendim ndryshme për bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, këtë qëndrim e kam thënë dhe arsyetuar para të gjithë funksionarëve të huaj me të cilët janë takuar deri më tani, ndërsa kuptohet këtë ia kam kumtuar edhe presidentit të Serbisë dhe presidentit e kryeministrit të Kosovës. Vendimi për statusin ndërkombëtar të Kosovës duhet të kontribuojë për ta përforcuar stabilitetin rajonal dhe sigurinë. Nuk mund të shoh logjikë të zgjidhni një problem ndërsa njëkohësisht të hapni disa tjerë në rajonin e njëjtë. Komuniteti ndërkombëtar, si kontrollues i tërë këtij procesi patjetër duhet më mirë t’i njoh specifikat historike ballkanike dhe ta dijë që siguria e të gjitha shteteve të Ballkanit është ndërlikuar.

Të nderuar,

Një prej problemeve me datë më të re, që për fat të keq, ende e trajtojmë si rrezik serioz për të tashmen dhe të ardhmen tonë është ndotja e mjedisit jetësor. Derisa i shohim incizimet nga efektet shkatërruese nga ngrohja globale, mendojmë që kjo u ndodh disa njerëzve tjerë prej nesh, por këtu, rreth nesh, vdesin qytetarët tanë si pasojë e ndotjes së ajrit. Ekspertët janë të njëzëshëm se vitet e fundit, përveç kapitullit 23, sundimi i së drejtës, bisedimet me BE-në për kapitullin 27, mbrojtja e mjedisit jetësor, janë më të rëndat dhe më të shtrenjtat për vendet kandidate. Komisioni i ri evropian para disa ditëve prezantoi të ashtuquajturin “Green Deal” me të cilin u obligua që ta bëjë Evropën kontinentin e parë neutral klimatik deri në vitin 2050. Nëse duam që një ditë, me të vërtetë të jemi pjesë e Evropës së bashkuar, viti 2050 nuk është larg.

Unë e kam prej kohësh të qartë që asnjë qeveri, asnjë pushtet lokal nuk mundet ta zgjidhë vetë këtë problem me vetëm një mandat. Për këtë, propozoj këtë çështje ta nxjerrim nga politika ditore dhe të punojmë duke miratuar strategji mbipartiake shtetërore për zbutjen e efekteve negative nga kjo dukuri që seriozisht rrezikon potencialin e kombit. Publikisht e kam mbështetur kërkesën e sektorit civil për buxhet më të madh shtetëror për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa në funksion të ndryshimit të paradigmave në këtë fushë e cila na duhet aq shumë, do të caktoj seancë të Këshillit të Sigurimit ku, për herë të parë, do të debatojmë për ndotjen e ajrit dhe ku do t’i thërras për ballafaqim të qëndrimeve edhe ministrinë përkatëse dhe organizatat joqeveritare, aktive në këtë fushë.

Më lejoni që sot të propozoj dhe publikisht të sqaroj përse edhe për një temë jam thellë i bindur që duhet ta vendosim jashtë debateve zgjedhore dhe përplasjeve ndërpartiake. Të gjithë e dimë përse 20 vite nuk kemi mundur, më saktë, nuk kemi dashur të organizojmë regjistrim të popullatës. Fakt i dukshëm është që një numër i madh i qytetarëve tanë, jo vetëm të rinj, janë larguar përgjithmonë nga shteti. Shpërngulja është një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë dhe të ardhmen e vendit sepse zvogëlon substratin biologjik të kombit, nga i cili varet drejtpërdrejtë mbijetesa dhe prosperiteti në të gjitha sektorët vital të shoqërisë. Nuk mund të shoh se si dikush mendon se mund të fitojë pikë politike nëse thotë që në “kohën tuaj” janë shpërngulur 300.000 qytetarë ndërsa në “kohën tonë” vetëm 150.000?

Formulë magjike dhe zgjidhje të shpejta për problemin në fjalë, deri më tani, nuk janë gjetur as në pjesët më të zhvilluara të botës. Njëkohësisht, është naive dhe e rrezikshme nëse dikush beson që mund të shkojë në kundërshtim me logjikën e globalizimit dhe të komplotojë hapjen e kufijve nacionale. Megjithatë, u bëj thirrje subjekteve relevante politike, të ulemi bashkë dhe ta sjellim strategji mbipartiake, të paktën për zbutjen e pasojave nga kjo golgotë e popullit tonë. Në situatë kur 15 vjet presim të nisim bisedime me BE-në, në situatë kur po hyjmë në NATO pas 20 viteve pas e fituam statusin e vendit kandidat ndërsa standardi “per-kapita” është në 80% nga mesatarja e jonë e dikurshme jugosllave, me pagë mesatare prej 400 ose 500 euro, shpërngulja mund të shënoj vetëm rekorde të reja dështuese. Më pas, jo si politikanë, por si njerëz të zakonshëm, ne duhet të pajtohemi me patjetër se nëse të paktën, vetëm një person i ri largohet nga vendi për shkak të politikave  tona, kjo nuk është tragjedi vetëm për familjen e tij, por objektivisht edhe për të gjithë ne.

Dhe propozimi i fundit, i treti, për krijimin e një konsensusi për politikat shtetërore dhe prioritetet, të domosdoshme për zhvillim të përshpejtuar në epokën globale, e kam iniciuar këtë muaj dhe deri në fundin e tij të propozuar në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, në opinion do të ndajë vetëm disa fakte elementare. Kohën e fundit kam themeluar një këshill drejtues dhe komisione pune për projektin e quajtur MKD 2030 i cili deri më qershor të vitit të ardhshëm duhet ta paraqesë kornizën strategjike për zhvillimin e shtetit në 10 vitet e ardhshme. Në përpunimin e dokumentit përfundimtar ishin të ftuar të përfshihen, individë të shquar nga komuniteti akademik dhe të biznesit, sektorit civil, nga ASHAM, nga ministritë përkatëse, Kuvendi, odat ekonomike dhe sindikatat. Na janë bashkëngjitur ekspertë të pavarur nga jashtë dhe brenda shtetit si dhe individë nga pushteti dhe opozita. Sipas skicës fillestare, digjitalizimi do të vërtetohet si një nga fushat me prioritet për zhvillimin e shtetit sepse paramendimi im është që republika jonë e katërt, nëse dëshiron të jetë e suksesshme, patjetër të jetë digjitale.

Të nderuar,

Lidhur me eurointegrimet, vlerësimi nga Brukseli është që ne, deri më tani, kemi bërë çdo gjë që është e nevojshme për fillimin e bisedimeve. Por, duke pasur parasysh që vendimi politik për këtë do të merret në pranverë, është jashtëzakonisht e rëndësishme të organizojmë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, thjesht, nuk guxojnë të jenë nën nivelin e presidencialeve, edhe atë sipas dy komponentëve thelbësorë: e para, ambient demokratik me media të lira dhe të punësuar në administratë të liruar nga presionet dhe e dyta, retorikë politike dhe kulturë që e respekton kundërshtarin dhe ia uron fitoren në fund të ditës së zgjedhjeve. Secili prej nesh ka obligim dhe përgjegjësi, jo me retorikë, por praktikisht, të tregojë para qytetarëve që beteja zgjedhore nuk është luftë për jetë apo vdekje. Të gjithë kemi qenë në fushatë dhe e dimë që emocionet në këtë periudhë janë në nivel më të lartë, se fjala ndonjëherë mund të lëshohet, të na kaplojë euforia e atmosferës, por, më e rëndësishme është të mos harrojmë që pas zgjedhjeve dhe pas mbarimit të mandatit duhet të shihemi sërish në sy, dhe për këtë duhet ta ruajmë fytyrën dhe të mbetemi njerëz deri në fund.

Qytetarë dhe deputetë të nderuar,

Dua t’ju uroj festat e funvditit ndërsa për vitin 2020 nuk do t’ju uroj fat në zgjedhje, por vetëm shëndet dhe lumturi për ju dhe të afërmit tuaj. Qofshi gjallë e shëndoshë dhe qoftë i përhershëm shteti ynë i përbashkët, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....