Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Samitin Botëror të Liderëve për ndryshimet klimatike – COP26

1 Nëntor 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski i cili po merr pjesë në samitin Botëror të Liderëve në suazat e Konferencës për ndryshimet klimatike të Kombeve të Bashkuara (COP26) në Glasgou, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, sot mori pjesë në hapjen e samitit dhe mbajti fjalim në sesionin plenar të këtij takimi.

Presidenti Pendarovski do të marrë pjesë edhe në pritjen që për liderët pjesëmarrës në këtë takim do ta organizojë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson, ndërsa do të marrë pjesë edhe në evenimentin me të cilin do të shënohet fillimi i përpjekjes globale për metan, si iniciativë e Presidentit të SHBA-së, Xhozef Bajden dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lejen, si dhe në evenimentin e liderëve “Aksion dhe solidaritet – dekadë kritike” me organizim nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson.

Qëllimi kryesor i Konferencës mbi ndryshimet klimatike së Kombeve të Bashkuara (COP26) është t’i mbledhë liderët botërorë që të përshpejtohet aksioni drejt qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit të mbajtur para 6 vjetësh, për mbajtjen e rritjes së temperaturës nën 1,5 gradë, duke treguar përkushtimin e tyre për “shkallë neto zero të emisioneve të gazeve të dëmshme” dhe përpjekjen e vendeve që të ndërpresin përdorimin e qymyrit.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Shkëlqesitë tuaja,

Pandemia e kovid-19 është akoma dominuese në agjendën botërore. Prandaj nuk duhet të nënvlerësohet një nga rreziqet më të mëdha sistematike mbi njerëzimin.

Shkencëtarët thonë se ndoshta mbetet akoma edhe një dekadë që bota t’i ripërpilojë paradigmat e veta fondamentale zhvillimore, që t’i ndryshojmë shprehitë tona jetësore dhe t’i rimëkëmbim ekonomitë tona në baza të forta dhe të qëndrueshme. Nëse i injorojmë trendet e tilla shqetësuese, do të vijojnë pasoja katastrofale mbi mjedisin jetësor, sigurinë e ushqimit dhe ujit, përkatësisht për sigurinë dhe zhvillimin e tërësishëm të njerëzve.

Atë që e premtuam në Paris, duhet ta dorëzojmë këtu, në Glasgou.

Si vend kandidat për anëtarësim në BE, i përgatitur për fillimin e negociatave, Maqedonia e Veriut tashmë e transponoi legjislacionin evropian për ndryshime klimatike në legjislacionin e vet. Duke e mbështetur Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, jemi të gatshëm me pjesëmarrjen tonë të kontribuojmë që Evropa të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050.

Edhe përkrah faktit se jemi një vend i vogël evropian, kemi ambicie të mëdha. Për këtë qëllim, i miratuam kontributet e rishqyrtuara nacionale të përcaktuara. Qëllimi ynë ambicioz i vendosur për vitin 2030 është t’i zvogëlojmë emisionet e gazrave të serrës me 51%, në krahasim me nivelin e vitit 1990, ose 82% në emisionet neto në krahasim me të njëjtin vit i cili merret si pikë fillimi. Kemi përpiluar 63 politika dhe masa për lehtësim të cilat janë të përgjegjshme në aspektin gjinor dhe lidhen me 15 qëllime për zhvillimin e qëndrueshëm.

Duke e zbatuar strategjinë tonë afatgjatë mbi aksionet klimatike, synojmë ta transformojmë Maqedoninë e Veriut në një ekonomi me emision të ulët të karbonit, duke e përforcuar konkurrencën dhe duke promovuar kohezionin social. Përfshirja e të gjithë shoqërisë do të ndihmojë në ballafaqimin me papunësinë nëpërmjet krijimit të vendeve të punës ekologjike, në zvogëlimin e ndotjes me burime të rinovueshme dhe me zhvillim të shprehive të qëndrueshme nëpërmjet arsimit.

Këto obligime i morëm përkundrejt disa sfidave strukturore për zhvillimin tonë nacional ekonomik, të përkeqësuara nga efektet shkatërruese të kovid-19, sepse besojmë fuqishëm se rimëkëmbja e vetme e qëndrueshme nga pandemia është rimëkëmbja ekologjike. Nëse shteti me PBV për banor nën 6.000 dollarë amerikan është tërësisht i përkushtuar në realizimin e këtyre premtimeve ambicioze, atëherë çdo shtet në botë mund ta bëjë këtë.

Tashmë kemi përpiluar aksion transparent, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës klimatik në partneritet me shkencën, bizneset, shoqërinë qytetare dhe të rinjtë. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm se financimi ndërkombëtar do të varet nga menaxhimi efektiv, funksional dhe i drejtë në nivel nacional dhe ndërkombëtar.

Të dashur miq,

Para 50 vjetësh, U. H. Oden e ka shkruar “Himnin e Kombeve të Bashkuara”. Në të ai thotë se “paqja nënkupton të bëhet ndryshim në kohën e duhur, ndërkohë që ora botërore troket”. Prej shumë kohe modelet e paqëndrueshme  të prodhimit dhe konsumit të njerëzimit nuk janë sinkronizuar me ritmin e natyrës. Në këtë moment të fundit, ka ardhur koha të kthehet pas ora e sistemit klimatik, që brezat e ardhshëm jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të jetojnë në një botë të sigurt, dinjitoze dhe me prosperitet.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....