Fjalimi i Presidentit Pendarovski në shkollën e parë dimërore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës

25 Janar 2021 | Fjalimet

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nëpërmjet video-mesazhit mbajti fjalim në hapjen e shkollës së parë dimërore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës, që mbahet onlajn, në suazat e kremtimit të njëqind vjetorit të lindjes së kolosit të filologjisë, gjuhësisë dhe letërsisë maqedonase, akademikut Bllazhe Koneski.

Si patron i jubileut “2021 – Viti në nder të Bllazhe Koneskit”, Presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë për ngjarjet e parapara dhe përmbajtjet programore, duke u uruar punë të suksesshme pjesëmarrësve në shkollë.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar pjesëmarrës në shkollën e parë dimërore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës,
Miq të dashur,

Kam privilegjin dhe nderin e veçantë t’ju përshëndes për fillimin e shkollës së parë dimërore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës. Besoj se kënaqësia te të gjithë ne është edhe më e madhe sepse ky eveniment mbahet pikërisht në vitin kur kremtojmë njëqind vjetorin e lindjes së kolosit të filologjisë, gjuhësisë dhe letërsisë maqedonase, të Bllazhe Koneskit.

Vitin 2021 e shpallëm për vit në nder të Bllazhe Koneskit dhe të gjitha institucionet relevante nga fusha e kulturës, shkencës dhe arsimit do të përfshihen në realizimin e aktiviteteve dhe projekteve lidhur me këtë përvjetor të rëndësishëm.

Si patron i jubileut “2021 – Viti në nder të Bllazhe Koneskit”, jam i impresionuar nga të gjitha evenimentet dhe përmbajtjet programore të parapara. Më gëzon fakti që pikërisht shkolla e parë dimërore e Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës, Universiteti “Shën. Kirili dhe Metodij” në suazat e të cilit është edhe Fakulteti Filologjik i cili e mban emrin e Bllazhe Koneskit, praktikisht fillon i pari me aktivitete për kremtimin e këtij jubileu të madh.

Të nderuar,

Si një nga kodifikuesit e gjuhës bashkëkohore letrare maqedonase, akademiku Koneski e meriton respektin dhe falënderimin më të madh. Në periudhë kur, për fat të keq, për shkaqe politike, po mohohet përsëri ekzistenca e gjuhës maqedonase, edhe pse ajo është verifikuar prej kohësh nga shkenca linguistike botërore, pikërisht vepra e Koneskit është më shumë nën goditje. Në këtë kuptim, një prej bedenave më të fortë të mbrojtjes së sulmeve të paargumentuara dhe shpesh irracionale është Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës, i cili ka një traditë prej pesë dekadash e gjysmë, me pjesëmarrje të mbi pesëqind pjesëmarrësve nga gjashtëdhjetë vende nga të gjitha meridianët e botës. Prandaj një falënderim të madh për të gjithë pjesëmarrësit e deritanishëm për përkushtimin dhe kontributin për afirmimin më të gjerë ndërkombëtar të gjuhës maqedonase, letërsisë dhe kulturës.

Në përputhje me situatën aktuale të pandemisë, si edhe në rastin me shkollën e vjetshme verore ashtu edhe tani evenimentet do të mbahen onlajn. Shpresoj se së shpejti, pas fillimit të procesit të vaksinimit, njerëzimi në tërësi do të dalë fitimtar në luftën me kovid-19 dhe dalëngadalë do të mund të mbahet tradicionalisht në Ohër me pjesëmarrje fizike të të gjithë pjesëmarrësve.

Edhe njëherë Ju përgëzoj për dëshirën që të jeni pjesë e shkollës së parë dimërore të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës Maqedonase, Letërsisë dhe Kulturës dhe në dhjetë ditët në vijim, sa zgjat edhe shkolla, ju uroj punë të suksesshme.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....