Fjalimi i Presidentit Pendarovski pas seancës së Këshillit të Sigurimit

15 Maj 2020 | Kumtesat

Sot në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt seanca e 6-të e Këshillit të Sigurimit, dedikuar gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të mbrojtjes dhe ballafaqimit me epideminë me virusin korona.

Në vijim është fjalimi integral i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Të nderuar,

Sot e mbajtëm seancën e 6-të të Këshillit të Sigurimit ku u diskutua mbi vijimin e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për shkak të pandemisë së kovid-19.

Të pranishëm në këtë seancë ishin Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, Kryeministri  Oliver Spasovski, Ministrat e punëve të brendshme dhe të jashtme, Naqe Çulev dhe Nikolla Dimitrov, dhe profesorët Trajan Gocevski, Veton Latifi dhe Nenad Markoviq. I pranishëm ishte edhe dr. Zharko Karaxhovski nga Komisioni për Sëmundjet Ngjitëse.

Këshilli i Sigurimit konkludoi se institucionet kompetente punojnë në mënyrë të koordinuar, me të gjitha kapacitetet dhe resurset për ballafaqimin me pandeminë e kovid-19. Situata prej periudhës së kaluar është  përmirësuar.  Është evidente se strategjia për ballafaqimin me krizën e koronës po jep rezultate që dëshmon se si shtet po ballafaqohemi mirë me këtë sfidë kolosale. Komisioni, përkatësisht, kryetari na informoi edhe mbi planin për relaksim të masave sipas fazave dhe dimensionimin e protokolleve të sigurisë që i kanë përpiluar deri më sot dhe po i përpilojnë për të gjitha degët e ekonomisë.

Në këtë seancë e shqyrtuam edhe raportin të cilin Qeveria e dorëzoi për zbatim të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së kovid-19, të shpallur më 17 prill.

Në seancë, Kryeministri Spasovski referoi për 30 ditët e kaluara dhe e arsyetoi propozimin e Qeverisë për shpallje përsëri të gjendjes së jashtëzakonshme në afat prej 30 ditësh.

Pas konsultimeve të gjera me ekspertët nga shumë fusha dhe me këshilltarët nga Kabineti, kurse para së gjithash bazë të asaj që u fol në seancë, vendosa të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej vetëm 14 ditësh në vend të 30 ditëve të kërkuara. Duke pasur parasysh trendet pozitive të qetësimit të gjendjes me pandeminë konsideroj se 14 ditë mjaftojnë.

Shkaku për vendimin e tillë është nevoja për implementimin e masave ekonomike sociale për zbutjen e pasojave të pandemisë të cilat ndihen tashmë si rezultat i faktit që një numër i madh firmash nuk kanë punuar dhe nuk po punojnë ende. Nga fundi i muajit, më informuan, se pritet të lidhet marrëveshje me BERZH-në, me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,  prej rreth 160 milionë eurosh. Gjithashtu, kuptohet, arsyeja më e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja për këtë vendim ishte edhe fakti se në këtë mënyrë i mundësohet Qeverisë të vazhdojë nëpërmjet dekreteve me fuqi ligjore t’i mundësojë sektorit të tërësishëm shëndetësor që të ballafaqohet më me sukses me pademinë. Këtu më lejoni vetëm shkurtimisht një koment të vogël se Qeveria mund ta shfrytëzojë gjendjen e jashtëzakonshme për blerje të votuesve. Dua t’ju them, të paktën me të dhënën e fundit që e thashë se përgatitemi si shtet të lidhim marrëveshje me BERZH-në, se gjëra të tilla me Bankën Evropiane nuk janë të mundshme. Ato janë mjete rreptësisht qëllimore dhe do të shkojnë në mbështetje të ekonomisë. Kuptohet nuk mund të jenë, dhe nëse dikush ka një qëllim të tillë nuk mund të alokohen për blerjen e votuesve.  Përndryshe për keqpërdorime eventuale dhe kjo ka qenë edhe deri tani aktivitet i Qeverisë në gjendje të jashtëzakonshme, domethënë dekretet me fuqi ligjore, dhe ajo që do të miratohet në 14 ditët e ardhshme, për këtë ekziston Gjykata Kushtetuese. Ju e dini që një pjesë të atyre dekreteve i shpalli tani si jokushtetuese dhe mori masa të përkohshme për ndalimin e veprimit të tyre. Nënkuptohet, ekziston edhe Antikorrupsioni dhe një sërë organesh të tjera shtetërore të cilat mund të kontrollojnë  se a janë këto dekrete me fuqi ligjore për ballafaqim me pandeminë apo kanë ndonjë motivim krejtësisht tjetër. Këtu duhet të përmend veçanërisht, sepse kishte edhe spekulime të tilla, se kohëzgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme, kësaj here prej 14 ditësh, nuk ka asnjë lloj korrelacioni me datën e zgjedhjeve të ardhshme. Asnjë lloj. Ajo është temë e veçantë, për të cilën e dini, do të diskutojmë në takimin e ardhshëm të liderëve në fillim të javës së ardhshme.

Të nderuar,

Ditët e kaluara tek unë, edhe nëpërmjet mediave, te të gjithë ne, mbërritën reagime dhe thirrje të shumta nga opinioni në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ku disa njerëz, ndoshta nuk ishin të informuar se cilat janë efektet e vërteta në jetën e secilit prej nesh nga gjendja e jashtëzakonshme e shpallur.

Këtu dua të shpjegoj se një pjesë e madhe e masave të cilat po ndërmerren lidhur me kufizimin e lëvizjes, mbylljen e shkollave dhe kopshteve si dhe të objekteve afariste, nuk lidhen, në asnjë mënyrë me shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme. Thënë ndryshe, madje edhe në gjendje të jashtëzakonshme ato mund të ndërpriten.

Të përsëris, gjendja e re e jashtëzakonshme na nevojitet vetëm për ballafaqimin me efektet ekonomike që lidhen me kovid-19, si dhe me përmbylljen e përgjigjeve shëndetësore ndaj pandemisë.

Te ne, masat, të cilat i përmenda dhe të cilat lidhen gabimisht me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ato restrikcione vendosen në përputhje Ligjin për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse, me rekomandim të Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse, dhe nuk janë aspak pasojë ë drejtpërdrejtë nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Në këtë kuptim, dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe të kërkoj prej Qeverisë të reflektojë, sepse ajo nuk është kompetenca ime, ajo është kompetenca e saj, megjithatë të reflektojë për zvogëlim shkallë-shkallë të restrikcioneve në lidhje me lëvizjen e qytetarëve dhe punën në subjektet afariste.

Të nderuar,

Shpresoj se nga kjo krizë, ne të gjithë do të dalim me shumë mësime të mësuara, para së gjithash, mbi rëndësinë e jetës njerëzore dhe për nevojën për kujdesin e përbashkët për shëndetin e secilit prej nesh. Ta ruajmë këtë bashkësi që e kemi treguar në dy muajt e kaluar dhe të vazhdojmë t’i japim mbështetje njëri-tjetrit që të ballafaqohemi me pasojat e virusit korona i cili për fat të keq do të mbetet edhe mandej me ne, si edhe në të gjithë botën.

Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë ta ndjekë gjendjen dhe do të mbajë takim kur të jetë nevoja për këtë gjë.

Ju faleminderit.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....