Fjalimi i Presidentit Pendarovski në debatin e pëgjithshëm të Sesionit të 76-të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara

23 Shtator 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski, sot, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, mbajti fjalim në Debatin e pëgjithshëm të Sesionit të 76-të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Në vijim është teksti i fjalimit i Presidentit Pendarovski.

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara,
I nderuar Sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara,
Shkëlqesi të respektuar,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe privilegjin e veçantë, për herë të parë të mbaj fjalim në këtë tubim eminent në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë fakti që numri më i madh i liderëve janë këtu, në vend që të mbajmë fjalim nëpërmjet video-mesazheve, flet se fillimi i fundit të pandemisë është në dukje.

Pothuajse dy vitet e kaluara nuk ka shtet i cili nuk është goditur seriozisht nga kovid-19. Të ballafaquar me sfidën pa precedent, njerëzimi u bashkua dhe e mobilizoi të gjithë kapacitetin e vet që t’i lehtësojë pasojat e pandemisë dhe të përgatitet për epokën post kovid.

Edhe përveç dallimeve midis vendeve më të zhvilluara dhe gjithë të tjerave, që dolën përsëri në sipërfaqe, ishim dëshmitarë të një sërë shembujsh të përkryer të solidaritetit dhe njerëzimit nëpër botë. Edhe pse lufta nuk është fituar tërësisht, më në fund arritëm ta shohim dritën në fund të tunelit dhe të fokusohemi përsëri tek e ardhmja. Në këtë drejtim duhet të mbështesim ide dhe iniciativa të reja, siç është iniciativa e G7 – Ndërtojmë një botë më të mirë, partneritet infrastrukturor, që synon të ndihmojë botën në zhvillim, të goditur fuqishëm nga kovid-19.

Pandemia, si dhe çdo fatkeqësi më e madhe në historinë e njerëzimit është leksion të cilin duhet ta mësojmë. Jo vetëm kovid-19, por shumica e sfidave me të cilat ballafaqohet njerëzimi nuk ndalojnë në kufijtë tanë shtetërorë dhe nuk bëjnë dallim midis kombeve, feve dhe ideologjive. Me të gjitha problemet globale, pa dallim se a bëhet fjalë për siguri, pandemi apo ndryshime klimatike mund të luftojmë vetëm me ndjeshmërinë, bashkëpunimin dhe solidaritetin më të madh.

Zonja dhe zotërinj,

 Realiteti, sot, është se bota jonë është larg nga një vend i sigurt për të jetuar. Konfliktet nëpër të gjithë planetin, aktive apo të ngrira, terrorizmi, kërcënimet hibride, vazhdojnë t’i rrezikojnë paqen dhe mënyrën tonë të jetesës. Ato vazhdojnë t’i rrezikojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke shkaktuar katastrofa humanitare dhe valë emigrantësh. Jemi shumë të shqetësuar nga zhvillimi i fundit i ngjarjeve në Afganistan. E ndajmë shqetësimin e shumë liderëve, duke e përfshirë edhe Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili paralajmëroi se bota po ballafaqohet edhe me një katastrofë humanitare dhe thërret për ndihmë, përpjekje dhe solidaritet të bashkuar.

I udhëhequr nga ndjenja e obligimeve morale, si dhe nga përgjegjësia solidare, vendi im, Maqedonia e Veriut, e dëshmoi përgatitjen e vet të pranojë një numër emigrantësh nga Afganistani, sidomos nga kategoritë më të lëndueshme dhe njerëzit të cilët vite me radhë kanë punuar për agjencitë e Kombeve të Bashkuara në atë vend. Për qindra prej tyre tashmë janë siguruar strehimore dhe kushte për jetë me dinjitet. Menjëherë sapo avioni i parë me emigrantët afganë u ul në aerodromin e Shkupit, lindi bebe në spitalin lokal, burim simbolik i shpresë dhe dëshmisë se jeta, megjithatë është fitimtare! Jemi të përgatitur të japim kontributin e vet në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të mundësojmë një jetë më të mirë për ata persona të cilët janë goditur nga kaosi dhe shkatërrimi i luftës.

Ngjarjet e fundit në Afganistan vetëm i theksuan kërcënimet e përhershme, të pranishme të terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe nëpërmjet një qasjeje multidimensionale t’i zgjidhim shkaqet themelore të terrorizmit. Është e nevojshme t’i përforcojmë përpjekjet tona dhe në nivel nacional edhe në nivel rajonal, por, edhe në suazat e Kombeve të Bashkuara, në kërkim të zgjidhjeve dhe mekanizmave në luftën kundër kësaj të keqeje.

Multilateralizmi dhe Kombet e Bashkuara si mëshirim i tij universal, duhet të jenë fuqia lëvizëse për përforcim të instrumenteve dhe metodave për sigurim të sigurisë, demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe prosperitetit për të gjithë. Duhet ta rinovojmë multilateralizmin që jep ndjenjë se të gjithë të bashku marrim pjesë në krijimin e fatit tonë.

Në këtë kontekst dëshiroj t’i theksoj sidomos përpjekjet e Sekretarit të përgjithshëm Guteresh për miratimin e raportit më të ri, “Agjenda jonë e përbashkët”, i cili i riafirmon vlerat themelore të organizatës dhe ofron propozime konkrete më efikase për Kombet e Bashkuara të bazuara në multilateralizmin inkuziv.

Gjithashtu, i përshëndes edhe aktivitetet e Aleancës së multilateralizmit të iniciuar nga Gjermania dhe nga Franca. E konsiderojmë si një platformë të dobishme, e cila mund të japë një nxitje të re mbi bashkëpunimin e përforcuar ndërkombëtar.

Në shpirtin e multilateralizmit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë t’i përmbushë obligimet e veta ndërkombëtare dhe ta mbështesë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të agjencive të saj të specializuara në krijimin dhe zbatimin e politikave publike për çështje me rëndësi globale.

Të nderuar shkëlqesi,

Dihet se çdo krizë është njëkohësisht edhe mundësi e re. Kovid-19 na bën thirrje të gjithëve që ta rishqyrtojmë marrëdhënien tonë ndaj aspekteve të ndryshme të jetës. U vërtetua se shëndeti publik, arsimi dhe shkenca meritojnë më shumë vëmendje nëse duam që zhvillimi i tyre të jetë sistematik, integrues dhe i qëndrueshëm.

Gjatë ballafaqimit me problemet e ndërlikuara dhe të ndërvarura të kohës së re na nevojitet partneritet dhe solidaritet më i fuqishëm dhe më i thellë. Jo vetëm për ballafaqimin pasojat e tyre, për ristrukturim të ekonomive dhe të zhvillimit të mëtejshëm, por, ndonjëherë, edhe të ndryshim të mënyrës së reflektimit e cila na mban në vend dhe nuk na sjell progres.

Si rrjedhim, dinjiteti njerëzor duhet të jetë në fokusin e përpjekjeve tona, si në nivel nacional ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Çrrënjosja e varfërisë është vetëm pika e nisjes për sigurim të të drejtave dhe nevojave minimale për të gjithë, kurse parakusht për këtë është fakti që brezat e rinj të edukohen në shpirtin e solidaritetit më të madh dhe të pabarazisë më të vogël midis njerëzve.

Udhëheqja vizionare e përgjegjshëm, në suazat e kufijve tanë dhe jashtë tyre, është vetëm mjet për arritjen e këtyre qëllimeve fisnike. Nuk duhet të ikim prej obligimeve personale; të mësojmë nga gabimet tona dhe nga perceptimet e gabuara të shkaktuara nga mungesa e vullnetit që të lëshojmë zonën e komoditetit dhe të dëshmojmë guxim dhe vendosmëri më të madhe në udhëheqje. Gjatë kësaj është absolutisht e domosdoshme të dëgjojmë dhe të përfshijmë qëndrime të ndryshme gjatë marrjes së vendimeve.

Nuk duhet të kursejmë resurse dhe burime që ta përforcojmë nga ana strukturore rolin e grave, me qëllim përfundimtar, barazi të tërësishme në të gjitha sferat e shoqërisë, pa dallim se a bëhet fjalë për sipërmarrje, siguri, arsim apo politikë të jashtme.

Në këtë kontekst duhet të hapim debat mbi demokracinë e cila gjendet nën kërcënim në nivel global dhe të vazhdojmë të investojmë aktivisht në vlerat demokratike, duke i shkatërruar tendencat autoritare, korrupsionin e lartë dhe çrregullimin sistematik të të drejtave të njeriut. Prandaj, si President i vendit i cili e di se ç’do të thotë sistem i ndryshëm i udhëheqjes që në fillim e mbështeta Presidentin Bajden për thirrjen mbi mbajtjen e një samiti mbi demokracinë në dhjetor të këtij viti.

Nëse duam ta ruajmë superioritetin moral të demokracisë në raport me modelet e tjera të menaxhimit politik, duhet të investojmë në të, sidomos midis brezave të rinj. Është e rëndësishme që të rinjtë të mësojnë nga mossukseset tona të shkaktuara shpesh herë nga qëllimet e mira.

E vërteta e vjetër se e kemi huazuar Tokën nga fëmijët tanë nënkupton ta hapim praktikisht hapësirën për kontributin tonë, lirinë dhe kreativitetin e tyre. Arsimi universal në dispozicion të të gjithëve, si bazë për zhvillimin personal, do t’i përgatisë të rinjtë që të ballafaqohen më lehtë me sfidat moderne dhe do ta bëjnë botën vend më me dinjitet për të jetuar sesa kjo që është sot.

Shkëlqesitë tuaja, zonja dhe zotërinj,

Ngadalë po formohet një konsensus i gjerë ndërkombëtar se ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë janë ndryshimet klimatike të cilat i shikojmë çdo ditë me një intensitet të ndryshëm dhe në forma të ndryshme. Për fat të keq, edhe përkrah faktit se i ndiejmë pasojat e ndryshimeve klimatike në jetën e përditshme, edhe përkrah vetëdijes së zmadhuar mbi domosdoshmërinë e lehtësimit të tyre, kemi problem të mobilizohemi kundër këtij rreziku. Para syve tanë po zhvillohen skena të tmerrshme në mbarë botën: përmbytjet e tmerrshme këtu në Nju-Jork dhe në Evropën Perëndimore, seria e zjarreve vdekjeprurëse në Evropën Juglindore dhe në Mesdhe që shkaktuan humbje jetësh dhe vuajtje të mëdha njerëzore.

Duke riafirmuar angazhimet tona të mëparshme, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Parisit, kurse në të njëjtën kohë e zmadhon kontributin e saj kombëtar të inkorporuar në ligjet, politikat dhe masat rregullatore kombëtare. E presim me shpresë të madhe Samitin e ardhshëm mbi ndryshimet klimatike – COP 26 në Glasgou, duke e konsideruar atë si një nga fazat kryesore në përpjekjet tona të përbashkëta për të rindërtuar shtëpinë e vetme që kemi – planetin tonë Tokë.

Të dashur miq,

Më lejoni që të kthehem nga çështjet dhe dilemat globale në ato rajonale, përkatësisht nacionale: Ballkani Perëndimor po ballafaqohet me sfida serioze në aspektin e aspiratave të tij për integrim evropian. Ngërçi aktual në atë proces i frustron qytetarët dhe po e zvogëlon vazhdimisht entuziazmin e tyre për ndryshime pozitive.

Nga ana tjetër, gjendja e tillë i hap dyert për garë gjeopolitike, por edhe për modele më të ndryshme të sundimit, duke e ngushtuar hapësirën për reforma demokratike, kaq të rëndësishme për perspektivën rajonale për stabilitet dhe prosperitet.

Është koha që ta rishqyrtojmë fazën aktuale të projektit më të madh kontinental që nga Lufta e Dytë Botërore, idenë për Evropën, e bashkuar, të lirë dhe në paqe. A është statusi aktual i integrimit evropian në rajon në përputhje me vizionin e konceptuar nga themeluesit e tij para shumë dekadash? Nëse duam një Ballkan Perëndimor stabil dhe me prosperitet si një hallkë e rëndësishme në stabilitetin dhe sigurinë kontinentale dhe transkontinentale, duhet të kuptojmë se nevojitet urgjentisht një përparim në planin e integrimit të tij evropian.

Si një vend i vogël në Evropën Juglindore, Maqedonia e Veriut e dëshmoi aftësinë e vet, së bashku me Greqinë, kurse me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara, të zgjidhë edhe çështje më të komplikuara, si është i ashtuquajturi “konteksti me emrin”, që kontribuoi për stabilitet shtesë në rajon. Efektet e Marrëveshjes së Prespës e cila po zbatohet, me vullnet të mirë, do të jetë në dobi edhe të vendeve tona edhe të rajonit në tërësi. Njëkohësisht jemi të gatshëm të përfshihemi në dialog konstruktiv me fqinjin tonë Bullgarinë, që të sigurojmë zbatim të tërësishëm të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Vazhdojmë t’i përforcojmë stabilitetin dhe zhvillimin tonë të brendshëm, si shoqëri shumetnike funksionale, të bazuar mbi parimet e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se kontributi më i mirë i mundshëm, që mund ta ofrojmë për stabilitetin dhe përparimin më të gjerë, është t’i zbatojmë të gjithë këto vlera në shtëpi, te qytetarët tanë.

Në fund do të dëshiroja të theksoj se nga mesazhet, të cilat do t’i japim këtë javë nga Nju-Jorku, nuk duhet të mbeten vetëm fjalët. Pa vendime konkrete sot, botën nuk do ta bëjmë më të mirë nesër. Kemi mundësi unike dhe përgjegjësi si brez liderësh, të cilët vendet e veta i udhëheqin nëpër sfidat më të mëdha pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, të ndërmarrim hapa drejt krijimit të një bote më të drejtë dhe më paqësore ku do të kthehet besimi te humanizmi, liria, solidariteti dhe respektimi i dinjitetit njerëzor.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

 

 

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....