Presidenti Pendarovski i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit grek të porsaemëruar, Rusos Kunduros

12 Janar 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të porsaemëruar të jashtëzakonshëm dhe të autorizuar të Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij z. Rusos Kunduros.

Në këtë ceremoni, Presidenti Pendarovski tha se marrëdhëniet midis dy vendeve, sot karakterizohen nga miqësia, shkalla e lartë e dialogut politik dhe përkushtimi ndaj politikës së fqinjësisë së mirë dhe nga bashkëpunimi rajonal. Presidenti Pendarovski shprehu edhe bindjen se në periudhën që vijon prioritet do të jetë realizimi i projekteve konkrete, të cilat do të ndikojnë në intensifikimin e mëtejshëm të relacioneve ekonomike.

Ambasadori Kunduros theksoi se Greqia është e gatshme ta mbështesë vendin tonë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi përpjekjen e fuqishme për përforcim të marrëveshjeve të përgjithshme bilaterale, me theks të veçantë në përparimin e bashkëpunimit ekonomik.

Në vijim po i japim dy fjalimet e integruara të Presidentit Pendarovski dhe të Ambasadorit të Republikës së Greqisë, Rusos Kunduros.

Fjalimi përshëndetës i Presidentit Pendarovski

Shkëlqesia Juaj,

Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme dhe nder të madh të pranoj letrat kredenciale të Shkëlqesisë së Saj, Presidentes së Republikës së Greqisë, znj. Katerina Sakellaropullu, me të cilat Ju jeni emëruar ambasadori i ri grek në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Më lejoni t’Ju dëshiroj një mirëseardhje të sinqertë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe t’Ju dëshiroj sukses në ushtrimin e këtij funksioni të përgjegjshëm.

E vlerësojmë shumë angazhimin Tuaj të deritanishëm profesional dhe konsiderojmë se ai do të kontribuojë për pasurimin e marrëdhënieve bilaterale dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona të cilat ndajnë të njëjtat angazhime për paqe, liri, demokraci dhe prioritet në rajon dhe më gjerë.

Ju bind se në zbatimin e misionit Tuaj do ta keni mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të tërësishëm.

I nderuar Ambasador,

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës filloi një kapitull i ri në marrëdhëniet tona bilaterale. Nëpërmjet marrëveshjes, jo vetëm që dëshmuam si duhet të zgjidhen pyetjet e hapura midis dy shteteve, por e shtruam edhe rrugën drejt përparimit të theksuar të bashkëpunimit të bazuar në respektimin e ndërsjellë dhe raportin partner, nga i cili më shumë dobi do të kenë, para së gjithash, popujt tanë.

Në këtë kontekst, më lejoni të konstatoj se, sot, raportet midis shteteve tona karakterizohen nga miqësia e sinqertë, shkalla e lartë e dialogut politik dhe përkushtimi i mëtejshëm ndaj politikës së miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.

Përndryshe, vitaliteti i marrëdhënieve tona u dëshmua në vepër edhe në ballafaqimin me pasojat e pandemisë me kovid-19. Bashkëpunimi dhe koordinimi midis institucioneve të të dy shteteve në valën e parë, në funksion të riatdhesimit të qytetarëve maqedonas dhe grekë, ishin me të vërtetë në nivel të lartë.

Nuk duhet ta harrojmë edhe angazhimin dhe kontributin e përhershëm të përbashkët për mbrojtjen dhe për stabilitetin e kufirit tonë të përbashkët në ballafaqimin me valët e migrantëve, që ende po shkaktojnë pasoja dhe probleme serioze në Evropë dhe më gjerë.

Duke u nisur nga këta shembuj pozitivë, jam thellësisht i bindur se ne kemi mundësi të shumta për përparim të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në të gjitha sferat e interesit të përbashkët.

Në këtë drejtim, vlerësoj se duhet t’u japim prioritet të veçantë fushave, në të cilat, për shkak të mungesës së kornizës përkatëse juridike në të kaluarën, bashkëpunimi pothuajse nuk ka ekzistuar.

Prandaj, konsideroj se realizimi i projekteve konkrete për përmirësim të lidhjes hekurudhore, rrugore dhe energjetike, komunikimeve, turizmit, qarkullimit të njerëzve, shkencës dhe arsimit, do ta pasurojnë theksueshëm spektrin e marrëdhënieve dhe do të ndikojnë në intensifikimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, ku tashmë vëmë re rezultate të përkryera.

Greqia është midis pesë partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të shtetit tonë, kurse ky fakt na jep hapësirë të mjaftueshme për shfrytëzim të potencialit dhe mundësive për përparim të relacioneve të biznesit.

Shkëlqesia Juaj,

Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020 edhe zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, ku kontribuon në mënyrë të barabartë me vendet e tjera anëtare në sigurimin e paqes dhe të stabilitetit. Në suazat e bashkëpunimit me NATO-n, si aleatë dhe fqinjë i nënshkruam Angazhimet teknike midis dy ministrive të mbrojtjes së të dy shteteve për mbrojtjen e hapësirës ajrore, që është edhe një vërtetim plus për besimin e përbashkët të ndërtuar dhe kontribut ndaj sigurisë së përbashkët në kontekst më të gjerë.

Në të ardhmen na pret një proces i rëndësishëm në realizimin e aspirimeve evropiane për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Evropian. Sinqerisht, presim mbështetjen e zëshme të Greqisë, si mik, aleat dhe partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë proces.

Pritjet tona se gjatë vitit 2021 do të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të shënohet edhe fillimi zyrtar i negociatave të aderimit, nëpërmjet të cilave do të kemi mundësi që të dëshmojmë praktikisht se jemi të gatshëm që ta lëvizim procesin e integrimit tonë evropian.

I nderuar Ambasador,

Duke pasur parasysh atë që përmenda më sipër, dua ta shpreh bindjen time se gjatë mandatit Tuaj, me angazhim dhe përpjekje të përbashkëta, do të kontribuojmë në thellim dhe intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral midis dy shteteve tona mike dhe do të kemi rastin së bashku të jemi dëshmitarë të një afrimi edhe më të madh midis popujve tanë.

Me këtë rast do t’Ju lutja, që në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ia përcillni përshëndetjet Shkëlqesisë së Saj, Presidentes së Republikës së Greqisë, znj. Katerina Sakerallopullu, me dëshira të sinqerta për shëndet të mirë të saj.

Njëkohësisht, do të dëshiroja të shpreh kënaqësinë për ftesën që ta vizitoj Athinën në vizitën e parë zyrtare në nivel presidencial për të gjithë periudhën e marrëdhënieve tona.

Gëzohem për mundësinë që të fillojmë bisedime për bashkëpunimin e përgjithshëm të shteteve tona edhe në nivelin më të lartë, si dhe jam i bindur se kjo do të jetë nxitje e fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Në fund, Shkëlqesia Juaj, më lejoni, edhe njëherë, t’Ju uroj shumë sukses dhe shëndet të mirë në ushtrimin e funksionit Tuaj të ambasadorit.

Fjalimi përshëndetës i ambasadorit Kunduros  

Shkëlqesia Juaj,

Kam nderin që t’Jua dorëzoj letrat kredenciale, si dhe letrën për tërheqjen e paraardhësit tim.

Më lejoni të filloj duke theksuar dëshirën e sinqertë dhe përkushtimin e Greqisë për përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësinë me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Si fqinjë të drejtpërdrejtë, me punë të përbashkët, mund të arrijmë shumë.

Ekzistojnë mundësi premtuese për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha të interesit të përbashkët, që do të jetë në dobi të vendeve tona dhe të qytetarëve tanë.

Kjo i përfshin edhe ekonomitë tona, kështu që konsiderojmë se bashkëpunimi gjithnjë dhe më i madh ekonomik do të jetë prioriteti më i lartë.

Ekzistojnë shenja nxitëse, prandaj duhet ta shfrytëzojmë momentin.

Kuptohet, një nga shtyllat e ndërtimit të lidhjes së fortë, por edhe për në të ardhmen, është zbatimi i tërësishëm, i qëndrueshëm dhe me qëllim të mirë i Marrëveshjes së Prespës në tërësi.

Përveç hapit të rëndësishëm për aderim në NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut e përzgjodhi rrugën e integrimit evropian dhe u bë kandidat për aderim në Bashkimin Evropian.

Greqia e ndjek me kënaqësi këtë proces, sepse ai u dëshmua si faktor stabiliteti , demokracie dhe prosperiteti në Evropë dhe është me rëndësi thelbësore edhe për pjesën tonë të kontinentit.

Gjithashtu, shumë e rëndësishme, Greqia është e bindur në domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal të bazuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Kusht i domosdoshëm për këtë është respektimi i parimeve të Kombeve të Bashkuara dhe respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare nga të gjithë, pa përjashtime.

Si vend anëtar i BE-së, Greqia është e gatshme t’ju mbështesë në lëvizjen e procesit të aderimit, nëpërmjet plotësimit të kushteve të nevojshme dhe, në fund, kjo përzgjedhje thelbësore e popullit tuaj të bëhet realitet.

Shkëlqesi, me padurim e pres vizitën Tuaj zyrtare në Greqi, më vonë këtë vit, me ftesë nga Presidenti i Republikës së Greqisë, që e dëshmon dinamikën e marrëdhënieve tona bilaterale.

Në fund, më lejoni ta shpreh edhe përpjekjen time personale për kontribut në realizimin e hapave të nevojshëm për thellim dhe përforcim të mëtejshëm të vendeve tona.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....