Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në festimin e 15-vjetorit të formimit të Universitetit Kolegji Amerikan Shkup

6 Tetor 2020 | Fjalimet

I nderuar dekan,
I nderuar rektor,
Të nderuar prorektorë dhe dekanë,
Të nderuar kolegë dhe miq të dashur,

Kam nderin që sot mund ta festojmë së bashku këtë jubile të rëndësishëm – 15 vjet nga themelimi i Universitetit Kolegji Amerikan Shkup. Përvjetorët janë gjithmonë një rast që të kujtojmë se çfarë kemi kaluar, por edhe të shohim se çfarë na pret në periudhën që është para nesh.

Nga fillimet e veta, Universiteti u ofron mundësi studentëve maqedonas dhe të huaj të studiojnë sipas programeve mësimore ndërkombëtare të akredituara dhe të njohura. Kjo është shumë e rëndësishme nëse merren parasysh dobësitë të cilat janë evidentuar më parë për një periudhë të gjatë në arsimin tonë të lartë: niveli i ulët i investimit në veprimtaritë arsimore dhe shkencore-kërkimore, hiperinflacion diplomash, programe dhe metoda të vjetërsuara, si dhe prodhim i profileve profesionale që nuk janë në hap me nevojat reale të tregut të punës. E gjithë kjo e nxit largimin e të rinjve nga vendi.

Që në vitin 2005, themeluesit e Universiteti e dinin se shoqëria ndryshon nëpërmjet arsimit dhe prandaj ofruan një alternativë të qëndrueshme. Duke i kombinuar standardet më të mira arsimore evropiane dhe amerikane, UKASH dha një shembull pozitiv se si mund të jetë arsimi i lartë te ne. Është e pakontestueshme në këta 15 vjet Kolegji Amerikan ka realizuar shumë prej qëllimeve të veta dhe nëpërmjet kësaj dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e standardeve në arsimin e lartë maqedonas.

Universiteti Kolegji Amerikan është shembull për universitet të gjeneratës së tretë që i bashkon tri veprimtaritë themelore – arsimin, kërkimin shkencor dhe aplikimin know-how. Sipas referencave për punën e vet shkencore-kërkimore Universiteti është në vendin e parë midis universiteteve private në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Banka Qendrore e SHBA-së e ka renditur Fakultetin për Ekonomi Afariste dhe Shkenca Organizative në vendin e parë midis të gjitha fakulteteve ekonomike që punojnë në vendin tonë. Programi MBA është midis 5 programeve më të mira në Evropën Lindore. Falë punës shkencore-kërkimore, midis të tjerash, UKASH-ja gjendet edhe në vendin e dytë të Listës së Shangait për universitetet nga vendi.

Universiteti arrin vazhdimisht ta ngushtojë jazin midis njohurive dhe shkathtësive që studentët i marrin dhe kërkesat e tregut të punës. Mesatarisht, te ne, nga 100 studentë të diplomuar, vetëm 13 pa probleme të veçanta mund të gjejnë punësim të mirë, në përputhje me kualifikimet e tyre. Për dallim nga kjo, madje 78% e studentëve në UKASH gjejnë punë pas diplomimit.

Këto suksese janë rezultat i punës afatgjate të mundimshme të shumë individë të përkushtuar. Këtu janë themeluesit të cilët kishin ide të qartë për misionin, vizionin dhe vlerat e Universitetit. Këtu jeni edhe ju, profesorët, asistentët dhe kuadri administrativ që i mbajtët kriteret e karta gjatë gjithë këtyre viteve. Kuptohet, këtu janë edhe studentët që i morën dhe i transmetuan vlerat në vendet e tyre të punës, në sferat e tyre të ndikimit. Kisha nderin të jem profesor dhe mentor i shumë studentëve të jashtëzakonshëm në fakultetet e shkencave politike dhe të shkencave juridike. Ato janë suksese me të cilat mund të krenohemi të gjithë.

Të dashur miq,

Në këtë botë e cila ndryshon shumë shpejt, institucionet arsimore duhet të përshtaten me trendët globale. Sot jemi mbledhur në Muzeun e Artit Bashkëkohor që si simbol i kreativitetit dhe qëndrueshmërisë njerëzore u ngrit pas tragjedisë së tërmetit në Shkup. Nëse tërmeti e ndryshoi hapësirën fizike në qytetin tonë, pandemia kovid-19 e ndryshoi dinamikën funksionale të sistemeve tona, duke përfshirë edhe sistemin e arsimit të lartë.

Jemi dëshmitarë të një transformimi të madh të politikës, ekonomisë, industrive, tregut të punës. Deri në fund të kësaj dekade shumë profesione që i njohim do të vjetërsohen pse do të humbasin tërësisht. Pandemia vetëm se i përshpejtoi këto procese. Shteti dhe institucionet e arsimit të lartë duhet ta shohin këtë periudhë si mundësi për reforma themelore në arsim. Para syve tanë po ndodh revolucion në mësimdhënien onlajn.

Në vend të bërthamave statike, universitetet duhet të rriten në bërthama dinamike, ku bë vend të ligjërimeve për matricat dhe modelet e vjetërsuara, të rinjtë do t’i mësojnë të vëzhgojnë me mendje kritike dhe të krijojnë alternativa të reja, më të mira, të qëndrueshme. Qëllimi i arsimit të lartë nuk është vetëm marrja e diplomës, pavarësisht se nëse është ajo e njohur ndërkombëtarisht apo jo. Qëllimi është të ndihmohen studentët të zhvillojnë kapacitetet personale për reflektim kreativ dhe të pavarur. Të fitojnë njohuritë e domosdoshme për profesionet e të ardhmes, që do t’i ndihmojnë, së pari të realizohen si persona dhe, së dyti, por jo më pak e rëndësishmja, të kontribuojnë mbi prosperitetin e bashkësisë në të cilën jetojnë. Universitetet duhet të jenë gjeneratorë të ideve të reja dhe iniciatorë të debateve publike mbi çështjet më të rëndësishme shoqërore.

Njohuritë dhe shkathtësitë e shekullit të 19-të dhe 20-të tashmë nuk janë të mjaftueshme për t’u ballafaquar me shekullin e 21. Kapaciteti për adaptim është shumë më i rëndësishëm se kapaciteti që t’i përsëritim modelet e domosdoshme të përvetësuara. Falë adaptimit të shpejtë të ndryshimeve që i solli situata e re, UKASH-ja ishte në vendin e parë që vendosi një model hibrid në mësimdhënie në kushte të pandemisë kovid-19.

Arsimi i lartë cilësor është kyçi për prosperitet, stabilitet dhe përparim. Prandaj, ngritja e cilësisë së tij duhet të jetë prioriteti ynë më i lartë. Duhet të mësojmë nga shembujt më të mirë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda vendit. Një prej këtyre shembujve pa dyshim është Universiteti Kolegji Amerikan Shkup.

Me këtë mendim, në fund, më lejoni, edhe njëherë t’jua uroj këtë jubile të rëndësishëm. Dëshiroj, Universiteti të vazhdojë të jetë inspirim për arsimin e lartë jo vetëm te ne, por edhe në rajonin më të gjerë.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....