Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në hapjen e Konferencës VIII shkencore-ndërkombëtare “Kërste Misirkov dhe gjuha maqedonase – burim i hulumtimeve shkencore”

28 Qershor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në hapjen solemne të Konferencës VIII shkencore-ndërkombëtare “Kërste Misirkov dhe gjuha maqedonase – burim i hulumtimeve shkencore”, që u mbajt në suazat e ditëve të hapura të Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Petkov Misirkov” – Shkup, me rastin e 70 vjetorit jubilar të themelimit të Institutit dhe 120 vjetorit të botimit të librit “Za makedonckite raboti” (Mbi çështjet maqedonase) të Kërste Misirkovit.

Në hapjen e kësaj konference mori pjesë edhe Hristo Misirkov, pasardhës i Kërste Misirkovit, kurse u promovua edhe Përmbledhja me punime shkencore e Konferencës VII shkencore ndërkombëtare “Gjuha maqedonase – burim i hulumtimeve shkencore”.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar organizatorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Miq të dashur,

Më lejoni së pari të uroj jubileun e madh, 70 vjet nga themelimi i Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov”. Këtë vit përveç këtij jubileu të madh, kremtojmë edhe disa përvjetorë të rëndësishëm të cilët do të dëshiroja t’i përmend. Bëhet fjalë për 120-vjetorin e daljes nga shtypi të librit “Za makedonckite raboti” (Për çështjet maqedonase) të Kërste Misirkovit, pa dyshim nga prej veprave më të rëndësishme të gjuhës, letërsisë dhe kulturës maqedonase, si edhe 100-vjetorin e lindjes së kolosit, poetit maqedonas, Aco Shopovit. Ky është vendi dhe koha të rikujtojmë se këtë vit mbushen edhe 80 vjet nga ora e parë në gjuhën maqedonase në fshatin Podvis.

Me rastin e jubileut të madh, Instituti i Gjuhës Maqedonase “Kërste Petkov Misirkov”, në suazat e ditëve të tij të hapura organizon një sërë evenimentesh me të vërtetë interesante. Kam nderin që jam sot me ju në hapjen e Konferencës shkencore ndërkombëtare “Kërste Misirkov dhe gjuha maqedonase – burim i hulumtimeve shkencore” dhe më lejoni, para se të them me ju një pjesë të reflektimeve time, ta përgëzoj Institutin e Gjuhës Maqedonase që e vazhdon me dinjitet veprën e Misirkovit, duke kontribuuar aktivisht në promovimin dhe afirmimin e gjuhës maqedonase.

Zyrtarizimi dhe standardizimi i gjuhës maqedonase që ka filluar që në veprat e Gjorgjija Pulevskit, Jordan Konstantinov-Xhinot, Partenij Zografskit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kulturorë të shekullit të 19-të, kulminoi me veprimtarinë e Kërste Misirkovit. Vepra e tij “Za makedonckite raboti” (Për çështjet maqedonase) është baza mbi të cilën janë vendosur gjuha bashkëkohore maqedonase, alfabeti dhe drejtshkrimi i saj. Misirkovi ka vend veçanërisht të rëndësishëm në historinë tonë si shkencëtar, sllavist, historian, etnograf, analist i problemeve nacionale-politike, publicist, mbledhës dhe studiues i krijimtarisë popullore maqedonase.

Për jetën dhe veprën e tij janë shkruar shumë faqe edhe nga autorët tanë edhe ata të huaj. Është fakt se bëhet fjalë për një personalitet kompleks që ka jetuar në kohë të komplikuara dhe të vështira, të mbushura me luftëra, trazira dhe kthime politike. Në rrugën e tij jetësore shihen të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohet një intelektual nëpër turbulencat ballkanike. Personalitet i cili duke u realizuar si shkencëtar, lufton njëkohësisht për ekzistencën e vet dhe është në kërkim të lumturisë personale.

Tek Misirkovi ekzistojnë edhe pikëpamje dhe qëndrime të kundërta të ndryshme nga qëndrimet e atëhershme konvencionale, por edhe ndryshime në bindjet dhe pikëpamjet e tij gjatë kalimit të kohës. Është veçanërisht interesant raporti i tij me Organizatën Maqedonase Revolucionare dhe kritika e hapur në llogari të saj. Në çdo rast, personaliteti dhe vepra e tij meritojnë vëmendje dhe hulumtim të vazhdueshëm, kurse, pikërisht, takimet shkencore si i sotshmi janë një nga mënyrat më kompetente.

 

Të nderuar,

E theksoj vazhdimisht se është e rëndësishme opinioni shkencor të mos bjerë nën presionin e ngjarjeve ditore politike, duke e ruajtur autonominë, dinjitetin, objektivitetin dhe qasjen e vet kritike në studimin e fenomeneve historike dhe aktuale. Pikërisht shkencëtarët, shkrimtarët artistët janë vertikalja morale dhe estetike e cila e ruan integritetin e njerëzimit në këto kohë të realitetit virtual, të modeluar nga mediat e reja dhe rrjetet sociale ku shpesh herë forma është më e rëndësishme se përmbajtja.

Është e rëndësishme të ruajmë njohurinë se ekzistenca, gjuha, arti, kultura, pikëpamja jonë, nuk ekzistojnë sepse janë të verifikuara nga të tjerët, por sepse janë bërthama, vetë thelbi i jetëve tona, që na mundëson qëndrueshmëri në kohë dhe në hapësirë. Në këtë kuptim, edhe si e kaluar, edhe si e tashme edhe si e ardhme, Misirkovi dhe “Za makedonckite raboti” (Për çështjet maqedonase) ishin dhe mbeten të jenë shtylla e identitetit gjuhësor, nacional dhe historik maqedonas.

Në fund, më lejoni t’ju uroj ditë të hapura të suksesshme të Institutit dhe konferencë të suksesshme të mbushur me punime provokuese të cilat do të ofrojnë aspekte të reja mbi ngjarjet historike dhe interpretime të reja të të vërtetave të njohura historike.

Të nderuar miq,

Është e qartë se përkundrejt proceseve globale të cilat nga shumica dëshirojnë të bëjnë një, megjithatë, në këtë botë mbijetojmë më shumë për faktin se jemi maqedonas të cilët flasin në gjuhën maqedonase.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....