Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në Konferencën e 51-të të inxhinierëve të rinj

6 Tetor 2023 | Fjalimet, Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski mbajti fjalim me rastin e hapjes së Konferencës së 51-të të inxhinierëve të rinj, nikoqir i të cilës për herë të dytë është Klubi i inxhinierëve të rinj në Institucionin inxhinierik të Maqedonisë.

Konferenca me temë “Lidhja e shtigjeve të inxhinierëve” mbahet nga 5 deri në 8 tetor në Fakultetin e shkencave elektroteknike dhe teknologjive informatike (FEIT), më mbështetje nga Presidenti Pendarovski.

Në hapjen e kësaj konference mbajtën fjalim edhe kryetarja e Institucionit inxhinierik të Maqedonisë, Hristina Spasevska, kryetarja e Klubit të inxhinierëve të rinj, Tina Manoleva dhe kryetari i Inxhinierëve të rinj evropianë, Pol Xhenkinson.

Të nderuar inxhinierë,

Të nderuar të pranishëm,

Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Më gëzon fakti që Organizata e inxhinierëve të rinj evropianë ka pranuar që mikpritjen tonë virtuale nga viti 2020 ta plotësojmë me prani fizike në këtë Konferencë të 51-të evropiane të inxhinierëve të rinj.

Falënderoj organizatorët, partnerët dhe sponsorët, veçanërisht Klubin e inxhinierëve të rinj në Institucionin inxhinierik të Maqedonisë, që i mundësoi bashkësisë së re krijuese evropiane të diskutojë për të ardhmen e profesionit këtu në Shkup.

Slogani i konferencës së sivjetshme është: “Lidhja e shtigjeve të inxhinierëve”. Në këto fjalë qëndron thelbi i punës suaj, sepse inxhinieria është arti i gjetjes së zgjidhjeve për problemet praktike nëpërmjet asaj që e quajmë në mënyrë figurative lidhjen e pikave. Inxhinierëve, edhe në kohët e lashta, u është besuar detyra e ndërtimit të rrugëve që do të lidhnin qytetet, me qëllim zhvillimin e atyre qytetërimeve.

Në themel, ju atë e bëni edhe sot. Me ndryshimin që rrugët që ju bëni nuk janë domosdoshmërisht prej guri, betoni apo asfalti, por janë edhe korridore digjitale kabllosh optike dhe sinjale uajerles. Në kohët moderne, këto janë rrugët kryesore për transferimin e të dhënave, njohurive, ideve dhe teknologjive nga të cilat varet zhvillimi i ekonomive në epokën digjitale.

Shtigjet inxhinierike nuk janë gjithmonë të parashikueshme dhe mund të çojnë në përparime të papritura shkencore, teknike dhe teknologjike. Do të përmend vetëm dy shembuj. Në vitin 1957, dy projektues ndërtuan një pajisje që mundësohej nga energjia diellore dhe e quajtën me shaka “makina diellore që nuk bën asgjë”. Sot, energjia diellore është çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin e gjelbër të ekonomive. Dhe sistemi energjetik maqedonas gjithnjë e më shumë po orientohet drejt shfrytëzimit të potencialit diellor.

Së dyti, para më pak se një vit shumë pak veta dini për ChatGPT. Sot, modelet e inteligjencës artificiale që gjenerojnë përmbajtje janë përditshmëria jonë dhe mbeten të pazëvendësueshme në shumë sektorë.

Shtigjet e paparashikueshme inxhinierike janë rezultat i guximit dhe krijimtarisë së inxhinierëve që guxojnë të dalin nga zona e rehatisë së profesionit të tyre të ngushtë për të kombinuar ide dhe koncepte nga disiplina të ndryshme shkencore. Nga interdisiplinariteti kanë dalë rrjetet sociale, robotika, printimi 3D, sistemet e energjisë së rinovueshme, bioinxhinieria, qytetet inteligjente, ndërtimet dhe përpjekjet inxhinierike që i tejkalojnë edhe imagjinatat më të egra të futuristëve.

Por, këto shtigje nuk janë tërësisht të parrezikshme. Inovacionet inxhinierike e tejkalojnë shpesh rregulloren dhe hapin hapësirë ​​për një sërë abuzimesh, nga dezinformimi te krimi kibernetik dhe sulmet kibernetike. Në një rast thashë se ekuivalenti inxhinierik i Betimit të Hipokratit është i ashtuquajturi Betimi i Arkimedit, i cili nënkupton përdorimin e përgjegjshëm të njohurive dhe aftësive për të mirën e përbashkët, duke marrë parasysh, ndër të tjera, cilësinë e jetës së njerëzve dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Të nderuar inxhinierë,

Midis shumë pasigurive që sjell revolucioni i katërt industrial, një gjë është e sigurt – profesioni i inxhinierit do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme. Nga ju do të varet më shumë se nga kushdo tjetër nëse një vend dhe një ekonomi do të përparojë apo do të ngecë, sepse ju lidhni pikat e zhvillimit dhe ndërtoni rrugët drejt së ardhmes. Prandaj është detyra jonë të forcojmë partneritetin midis shtetit, shkencës, ekonomisë dhe sektorit qytetar që të mundësojmë arsim cilësor inxhinierik.

Duhet të investojmë në ekosistemet inovative që tërheqin investime, gjenerojnë vende pune cilësore dhe mbajnë të rinjtë në vend. Ju inxhinierë të rinj, jo vetëm në letër, por edhe në jetën reale, duhet të jeni nxitës të ndryshimeve pozitive.

Jam i bindur se kjo konferencë do të kontribuojë në lidhjen e shtigjeve tuaja inxhinierike dhe në hapjen e horizonteve të reja kreative, ju uroj qëndrim të këndshëm dhe konferencë të suksesshme.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....