Presidenti Pendarovski nuk e nënshkroi Dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje

14 Maj 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, e informoi Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, se vendosi të mos e nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje.

Në vijim është teksti integral i lajmërimit:

I nderuar z. Xhaferi.

Në bazë të nenit 75, paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse në lidhje me nenin 38, paragrafin 2 të Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ju informoj se vendosa të mos e nënshkruaj Dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktim të statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi në seancën e mbajtur më 11 maj 2021.

Vendimin tim që të mos e nënshkruaj Dekretin për shpalljen e këtij Ligji e mora në bazë të një analize të detajuar të tekstit të Ligjit, ku përcaktova se teksti i Ligjit është në kundërshtim me disa vlera themelore të Kushtetutës, si dhe me dispozitat kushtetuese që dalin ose lidhen me vlerat themelore të Kushtetutës. Gjithashtu, konsideroj se teksti i Ligjit nuk ka arsyetim shoqëror, përkatësisht nuk është në drejtim të mbrojtjes dhe promovimit të interesit publik, që është detyra themelore e çdo institucioni të pushtetit publik.

Teksti i Ligjit është në kundërshtim me nenin 8, paragrafin 1, alinenë 3 të Kushtetutës ku sundimi i të drejtës është përcaktuar si vlerë themelore e rendit kushtetues dhe, në përgjithësi, e rendit tonë juridik. Domethënë, fakti se me këtë Ligj legalizohen veprime të kundërligjshme të personave fizikë dhe juridikë për ndërtim pa leje, i cili është përcaktuar si vepër penale në Kodin Penal, i vendos në pozitë të pabarabartë subjektet juridike dhe e shkel sigurinë juridike. Veprimi i tillë është në kundërshtim me nenin 9, paragrafin 1 të Kushtetutës, ku është përcaktuar se qytetarët para Kushtetutës dhe ligjeve janë të barabartë. Mandej, në nenin 51, paragrafin 2 të Kushtetutës përcaktohet se çdokush është i obliguar t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Jam i bindur se Ligji i miratuar jo vetëm që i vendos qytetarët në pozitë të pabarabartë, duke i privilegjuar ata që nuk i kanë respektuar dispozitat juridike në dëm të qytetarëve të ndërgjegjshëm të cilët gjatë ndërtimit të objekteve kanë vepruar në përputhje me dispozitat ekzistuese, por, edhe më shumë, stimulon mosrespektimin e dispozitave ligjore duke u shkaktuar dëm të përhershëm të gjitha përpjekjeve që shtetin tonë ta ndërtojmë si shtet demokratik të bazuar në sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarëve.

Mandej, sidomos është kontestues neni 41 i tekstit të Ligjit me të cilin nga dita e hyrjes në fuqi e Ligjit parashikohet “ndalim i procedurave administrative të cilat nuk kanë përfunduar në zbatimin e vendimeve për heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe procedurat administrative dhe gjyqësore (procedura penale dhe qytetare) të cilat janë në vijim dhe të cilat dalin nga procedurat e largimit të objekteve të cilat kanë përfunduar ose janë vijim”. Kjo dispozitë është në kundërshtim me nenin 8 , paragrafin 1, alinenë 4 të Kushtetutës ku ndarja e pushteti në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor është përcaktuar si vlerë themelore e rendit kushtetues. Nëpërmjet zgjidhjes ligjore të formuluar në këtë mënyrë kryhet sulm mbi punën e gjykatave dhe mundësohet amnisti “e fshehur” për kryerësit e veprave penale që lidhen me ndërtimin pa leje dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare. Është e pakontestueshme kompetenca kushtetuese e Kuvendit, në përputhje me nenin 68 të Kushtetutës, që të japë amnisti. Por, amnistia, siç kërkohet nga praktika ligjvënëse, duhet të jepet me ligj të veçantë për amnisti, kurse në arsyetimin e një ligji të tillë eventual duhet të jepet arsyetim shoqëror përkatësisht interesi publik për dhënien e amnistisë. Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare të Ligjit për përcaktim të statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje nuk është vendi ku në mënyrë jotransparente do të jepet amnisti.

Ligji i miratuar, gjithashtu, është në kundërshtim me nenin 43 të Kushtetutës në të cilit secilit i garantohet e drejta e mjedisit të shëndetshëm jetësor, kurse shteti është i obliguar të krijojë kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për mjedis të shëndetshëm jetësor. Ligji i miratuar në neni 17 parashikon mundësi për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje, madje edhe në “rezervat të rreptë natyror, park nacional, përmendore e natyrës, park në natyrë, zonë e mbrojtur, rrip i mbrojtur bregdetar në liqenet artificiale dhe natyrore dhe në shtretërit e lumenjve, si dhe në zonën e parë dhe të dytë sanitare mbrojtëse të burimeve për ujë të pijshëm”. Mundësia e tillë është shkelje e detyrës themelore të shtetit për të mbrojtur mjedisin jetësor, kurse mundësi shtesë për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në zonat e mbrojtura për ujë të pijshëm e rrezikon potencialisht shëndetin publik, mbrojta e të cilit, është, gjithashtu, obligim ligjor i shtetit. Mundësia, në nenin e dhënë, për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në rajone të trashëgimisë së patundshme të mbrojtur kulturore (të mira të veçanta, tërësi dhe lokalitete arkeologjike) është shkelje e obligimit ligjor të shtetit që t’i mbrojë të mirat kulturore dhe trashëgiminë kulturore.

Në fund, por jo dhe më pak e rëndësishme, si President i shtetit u betova se do t’i respektoj dhe mbroj Kushtetutën dhe ligjet. Ky obligim nënkupton jo vetëm respektim dhe zbatim formal të Kushtetutës dhe të Ligjeve, por shumë më shumë, promovim të kulturës juridike. Kultura juridike është karakteristikë e të gjitha bashkësive të qytetëruara, kurse sundimi i të drejtës dhe mbrojtja e interesit publik është parim i të gjitha shteteve demokratike. Sundimi i të drejtës është parakushti themelor për realizimin e qëllimit strategjik të shtetit tonë për integrim në Bashkimin Evropian, për realizimin e të cilit kanë punuar dhe punojnë të gjithë presidentët e deritanishëm, të gjitha përbërjet e Kuvendit dhe qeveritë. Si demokrat dhe legalist i bindur besoj në udhëheqjen e politikës në kufijtë e ligjit dhe prandaj nuk mund të dakordohem që të krijojmë ligj nga padrejtësia. Për fat të keq, Ligji i miratuar është shembull për një sjellje të tillë.

Në këtë drejtim, u bëj apel të gjithë deputetëve, pavarësisht nga përkatësia politike, kurse duke u udhëhequr nga fjala e Kushtetutës dhe interesit publik, të mendojnë, edhe njëherë, para se të vendosin përsëri për këtë tekst të Ligjit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....