Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u takua sonte me pjesëmarrësit e sesionit të 14-të plenar të Parlamentit Ndërkombëtar të Tolerancës dhe Paqes (PNTP), i cili do të mbahet në Parlamentin e Maqedonisë, nën patronazhin e Kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi.
Të bëhesh nikoqir i këtij forumi të shquar ndërkombëtar parlamentar është njohje dhe nder i madh për Parlamentin dhe shtetin. Tema e sesionit plenar “Promovimi i Tolerancës dhe Paqes: Roli Strategjik i Parlamenteve në Krijimin dhe Miratimin e Politikave për të Ardhmen” është sfidë e rëndësishme e sotme.
Për Presidenten Siljanovska Davkova, diplomacia parlamentare dhe dialogu ndërparlamentar janë instrumente demokratike veçanërisht të rëndësishme, për shkak të legjitimitetit të drejtpërdrejtë të deputetëve, burimi i të cilit është populli si bashkësi politike, d.m.th. tufë individësh – qytetarësh, nga të cilët buron dhe të cilëve u përket sovraniteti.
Ajo theksoi rëndësinë e mbajtjes së eventit të tillë në kohë krize të demokracisë deliberative, baraspeshë të çrregulluar të pushtetit në favor të ekzekutivit, konflikteve ndërkombëtare në rritje dhe nismave të dobëta paqësore.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, Parlamenti Ndërkombëtar i Tolerancës dhe Paqes tejkalon axhendat parlamentare kombëtare dhe bashkon deputetët rreth vlerave universale, siç janë paqja dhe toleranca. Qëllimi i tij kryesor është të zgjojë përgjegjësinë njerëzore në parandalimin e dhunës, promovimin e mirëkuptimit dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
“Në një botë ku muret shpesh ndërtohen më shpejt se urat, kjo platformë na kujton se urat mbeten arkitektura më e guximshme e politikës”, shtoi ajo.
Ajo u uroi pjesëmarrësve debat të gjallë, të hapur, të frytshëm dhe të mençur, siç e meritojnë ata që ata përfaqësojnë – qytetarët!
“Le të dërgojë ky takim një mesazh të qartë nga Shkupi: se toleranca nuk është pasivitet, paqja nuk është heshtje dhe diplomacia parlamentare nuk është protokoll. Toleranca është respekt aktiv. Paqja është diçka e përditshme. Diplomacia parlamentare është demokraci që flet përtej kufijve”, theksoi Presidentja Siljanovska Davkova.
Në seancën plenare marrin pjesë përfaqësues të lartë parlamentarë, senatorë dhe deputetë nga disa vende, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare parlamentare.
Në vazhdim është teksti integral i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova
Të nderuar,
Është një nder i madh dhe kënaqësi e sinqertë për mua t’ju përshëndes në vendin tonë me rastin e sesionit të 14-të plenar të Parlamentit Ndërkombëtar të Tolerancës dhe Paqes, kushtuar temës që vështirë se mund të jetë më aktuale dhe e nevojshme: “Avancimi i Tolerancës dhe Paqes: Roli Strategjik i Parlamenteve në Krijimin dhe Zbatimin e Politikave për të Ardhmen”.
Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për Parlamentin Ndërkombëtar të Tolerancës dhe Paqes, platformë ndërkombëtare parlamentare e krijuar brenda Këshillit Global të Tolerancës dhe Paqes, që zgjodhi vendin tonë si nokoqir i këtij takimi të rëndësishëm. Jam e njohur nga afër dhe e vlerësoj shumë punën e Këshillit Global të Tolerancës dhe Paqes dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për dialog, bashkëjetesë dhe kulturë paqeje.
Gjithashtu, në mënyrë të veçantë e kujtoj vizitën time në Emiratet e Bashkuara Arabe në shkurt të këtij viti, kur mora pjesë në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai. Gjatë asaj vizite, pata nderin të vizitoja Emiratin e Fujairah dhe, me ftesën dhe mikpritjen e SH.T. Ahmed bin Mohammed Al Jarwan, muzeun Al Aka. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, pashë nga afër se si traditat e forta dhe investimet e guximshme në teknologjitë e përparuara mund të bashkohen në sintezë të jashtëzakonshme. Pashë se e ardhmja nuk ka pse të fshijë kujtesën dhe se moderniteti mund të jetë më i fortë kur bazohet në trashëgimi.
Në Samitin Botëror të Qeverive, diskutuam për të ardhmen e qeverisjes, teknologjinë, inovacionin dhe aftësinë e shteteve për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Por, në atë moment, përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme që pasoi nuk ishte zhvilluar ende në formën që kemi parë që nga fundi i shkurtit. Vetëm pak kohë pasi udhëheqësit dhe ekspertët u mblodhën për të diskutuar të ardhmen, Lindja e Mesme është tërhequr përsëri në një spirale të rrezikshme konflikti. Ky kontrast i dhimbshëm na kujton një të vërtetë të thjeshtë, por të thellë: paqja nuk është kurrë zotërim i përhershëm. Paqja është arritje e brishtë që ripërtërihet çdo ditë nëpërmjet mençurisë, përmbajtjes, dialogut dhe përgjegjësisë.
Siç i kujtoi njerëzimit Martin Luther King Jr., paqja nuk është vetëm qëllim i largët, por edhe mjet me të cilin e arrijmë atë qëllim. Sot, kjo mençuri na flet me urgjencë të re. Jetojmë në kohë kur lufta është rihyrë në fjalorin e politikës së përditshme, kur civilët paguajnë çmimin më të lartë për gabimet strategjike dhe kur gjuha e dialogut zëvendësohet shumë shpesh nga gjuha e forcës.
Sipas institucioneve kryesore ndërkombëtare kërkimore, mjedisi global i sigurisë po përkeqësohet. Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime mbi Paqen vlerëson se numri i vdekjeve të lidhura me konfliktin arriti në rreth 239,000 në vitin 2024. Instituti i Kërkimeve mbi Paqen në Oslo, së bashku me Programin e të Dhënave mbi Konfliktet në Upsala, tregojnë se viti 2024 ka shënuar numrin më të lartë të konflikteve ndërshtetërore të regjistruara që nga viti 1946. Projekti ACLED paralajmëron se dhuna politike dhe ekspozimi ndaj konfliktit janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm të një pjese shqetësuese të madhe të njerëzimit. Pas çdo numri është fytyrë njerëzore, familje, nshtëpi e shkatërruar, fëmijë shkolla e të cilit është bërë strehë, komunitet kujtimi i të cilit është shndërruar në pikëllim.
Kjo është arsyeja pse mbledhja e sotme nuk është ceremoniale. Është thellësisht politike në kuptimin më fisnik të fjalës. Është morale. Është njerëzore.
Rendi ndërkombëtar po kalon në një periudhë pasigurie të thellë. Multilateralizmi, i cili për dekada të tëra ofroi kornizë për dialog, kompromis dhe përgjegjësi të përbashkët, po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga multipolarizimi, fragmentimi dhe sferat konkurruese të ndikimit. Besimi në institucionet ndërkombëtare po bie. Rregullat globale zbatohen shumë shpesh në mënyrë selektive. E drejta ndërkombëtare thirret nga shumë njerëz, por mbrohet vazhdimisht nga pak veta. Ne po dëshmojmë jo vetëm rivalitet gjeopolitik, por edhe një krizë serioze të lidershipit.
Në një botë të tillë, roli i parlamenteve bëhet i domosdoshëm. Qeveritë negociojnë, por parlamentet legjitimojnë. Dega ekzekutive vepron, por parlamentet ushtrojnë mbikëqyrje. Diplomatët ndërtojnë kanale, por parlamentarët sjellin zërin e qytetarëve në dialogun ndërkombëtar. Prandaj, diplomacia parlamentare nuk është një zëvendësim për diplomacinë klasike. Është ndërgjegjja e saj demokratike.
Parlamentet janë vende ku dallimet nuk duhet të heshten, por të dëgjohen. Ato janë institucione ku konflikti shndërrohet në debat, ku mosmarrëveshja politike disiplinohet përmes procedurës dhe shumicës i kujtohet se demokracia do të thotë edhe respekt për pakicën. Në këtë kuptim, çdo parlament është, ose duhet të paraqesë shkollë për bashkëjetesë paqësore.
Për mua personalisht, tema e sotme ka një kuptim të veçantë. Si ish-anëtare e parlamentit, si aktivistе e të drejtave të njeriut për një kohë të gjatë, si ish-anëtare e Grupit të Ekspertëve të Pavarur për Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës, si ish-nënkryetare e saj dhe si ish-anëtare e Komisionit të Venedikut, gjithmonë kam besuar se institucionet kanë më shumë rëndësi kur pasionet janë më të fuqishme. Ligji, dialogu, kushtetutshmëria dhe procedura demokratike nuk janë detaje teknike. Ato janë përgjigje qytetëruese ndaj arbitraritetit.
Diplomacia parlamentare ka kapacitet unik për të humanizuar marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo u lejon përfaqësuesve të kombeve të ndryshme të flasin jo vetëm si funksionarë, por edhe si zërat e zgjedhur të popullit të tyre. Ajo ndërton ura aty ku diplomacia formale mund të jetë e ngrirë. Ajo u mundëson shoqërive të njohin njëra-tjetrën përtej stereotipeve, propagandës dhe frikës. Na kujton se paqja nuk krijohet vetëm nga traktatet e nënshkruara në sallat ceremoniale, por edhe nëpërmjet bisedave të duruara, dëgjimit, kuptimit të shqetësimeve të të tjerëve dhe refuzimit për ta shëndërruar diversitetin në armiqësi.
Në periudhë të rëndësishme të tranzicionit si kjo, kur dallimet perceptohen gjithnjë e më shumë si rrezik dhe armiqësi, kur përhapet perceptimi se problemet e ndryshme të vendeve rrjedhin nga “delet e zeza” të shoqërisë dhe kur populizmi dhe propaganda e papërpunuar po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë reflektimin e thellë dhe gatishmërinë për të njohur të ndryshmen, fakti që një ngjarje e tillë, e cila bashkon parlamentarë nga vende të ndryshme, mbahet në vendin tonë ka një rëndësi të veçantë.
Edhe pse herë pas here ndërpritet nga kriza afatshkurtra, vendi ynë ka arritur të krijojë një model të gjallë të demokracisë që nga pavarësia, i njohur nga të drejtat dhe garancitë kushtetuese që gëzojnë pakicat, shpesh mbi standardet ndërkombëtare. Për shekuj me radhë, tingujt e thirrjes për lutje dhe kambanat e kishave kanë jehuar së bashku në këtë terren, ndërsa buka e Pashkëve dhe tryezat e iftarit janë bërë aroma të zakonshme të kujtesës sonë kolektive. Edhe sot, në vendin tonë, mund të gjenden vende të shenjta të përbashkëta të vizituara nga besimtarë të feve të ndryshme dhe shkolla ku fëmijë të besimeve dhe gjuhëve të ndryshme ulen në të njëjtat banka. Mozaiku maqedonas paraqet model që nuk mohon asnjë nga ngjyrat e tij, por përkundrazi njeh çdo ngjyrë si një vlerë të jashtëzakonshme, si dhe pasuri të veçantë të këtij vendi.
Kjo është arsyeja pse toleranca nuk është një fjalë e importuar për ne. Është pjesë e historisë sonë të jetuar. Nuk është gjithmonë e lehtë dhe nuk është kurrë automatike. Kërkon institucione, arsim, guxim dhe lidership. Por ajo është e mundur.
Zonja dhe zotërinj,
E ardhmja nuk do të formësohet vetëm nga teknologjia, inteligjenca artificiale, korridoret e energjisë apo aleancat ushtarake. Ajo do të formësohet edhe nga cilësia morale e politikës sonë. Pyetja para nesh nuk është vetëm se çfarë lloj bote krijojmë, por edhe çfarë lloj njeriu krijon politikën tonë. A po krijojmë qytetarë të aftë për empati apo turma të trajnuara për dyshim? A po i edukojmë të rinjtë për dialog apo po i mobilizojmë ata për indinjatë? A po i forcojmë institucionet apo po i zëvendësojmë ato me zemërim?
Parlamentet kanë një rol strategjik në përgjigjen e këtyre pyetjeve. Përmes legjislacionit, ato mund të mbrojnë barazinë dhe dinjitetin njerëzor. Përmes mbikëqyrjes, ato mund të parandalojnë abuzimin me pushtetin. Përmes debatit publik, ato mund të zvogëlojnë frikën dhe dezinformimin. Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ato mund të krijojnë rrjete besimi përtej kufijve. Përmes edukimit dhe shembullit personal, ato mund të tregojnë se mosmarrëveshja nuk duhet të shndërrohet në urrejtje.
Parlamenti Ndërkombëtar i Tolerancës dhe Paqes reflekton pikërisht këtë ide. Ai i bashkon parlamentarët jo rreth agjendës së ngushtë kombëtare, por rreth përgjegjësisë universale njerëzore: ta parandalojë dhunën, ta promovojë mirëkuptimin dhe ta mbrojë dinjitetin e çdo personi. Në një botë ku muret shpesh ndërtohen më shpejt se urat, kjo platformë na kujton se urat mbeten arkitektura më e guximshme e politikës.
Prandaj, më lejoni ta shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë të ftuarit e shquar që kanë udhëtuar në vendin tim për këtë seancë: presidentëve dhe nënkryetarëve të parlamenteve, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare parlamentare, senatorëve dhe deputetëve, si dhe të gjithë atyre që besojnë se dialogu nuk është dobësi, por forcë.
Diskutimet tuaja le të jenë të mençura, të hapura dhe të frytshme. Le të dërgojë ky takim një mesazh të qartë nga Shkupi: se toleranca nuk është pasivitet, paqja nuk është heshtje dhe diplomacia parlamentare nuk është protokoll. Toleranca është respekt aktiv. Paqja është një çështje e përditshme. Diplomacia parlamentare është demokracia që flet përtej kufijve.
Por, le të dërgohet edhe një mesazh tjetër nga Shkupi. Në kohën që jetojmë, nuk ka më vend për mohimin e identiteteve, për instrumentalizimin e interpretimeve të ndryshme të identitetit dhe historisë si mjete për të penguar të ardhmen e një shteti dhe shoqërisë së tij, as për kërkesat për revizionizëm historik. Përfshirja e parlamenteve në procese të tilla i bën ato edhe më të pakënaqura. Parlamentet duhet të paraqesin roje të dialogut, legjitimitetit demokratik dhe dinjitetit njerëzor, jo arena ku historia bëhet armë kundër së ardhmes.
I uroj sesionit të 14-të plenar të Parlamentit Ndërkombëtar të Tolerancës dhe Paqës shumë suksese.
Ju faleminderit.





