Darkë shtetërore për nder të Presidentit të Republikës Federative të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer

29 Nëntor 2022 | Kumtesat

Me rastin e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës Federative të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer, ku janë ftuar përfaqësues të udhëheqjes shtetërore, deputetë, përfaqësues të partive politike, si dhe afariste nga sektori i biznesit të cilët kanë bashkëpunim ekonomik me shtetin gjerman. Njëkohësisht, në këtë darkë morën pjesë edhe përfaqësues nga shoqëria qytetare dhe individë të cilët kanë kontribut në ndërtimin e lidhjeve maqedonase-gjermane arsimore dhe kulturore në vitet e kaluara.

Në suazat e mbrëmjes solemne, dy presidentët kishin fjalime protokollare në nder të miqësisë maqedonase-gjermane, bashkëpunimit dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.

Shkëlqesia Juaj, i nderuar mik,
të nderuar të ftuar,

Kam kënaqësinë e veçantë që jam nikoqir i vizitës Suaj të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut si President i Republikës Federative Gjermane.
Vizita ime e parë bilaterale, pasi mora detyrën në vitin 2019, ishte pikërisht në Republikën Federative të Gjermanisë, kurse nga takimi ynë i parë në atë kohë në Berlin, në tre vjet e gjysmë kemi komunikuar vazhdimisht, që është shumë e rëndësishme për shtetin tim dhe për mua personalisht.

Republika Federative e Gjermanisë është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, kurse bashkëpunimi ynë intensiv në shumë fusha në dekadat e kaluara është dëshmia më e mirë për marrëdhëniet dhe miqësinë e fortë midis dy shteteve dhe popujve tanë. Vitin e ardhshëm do të kremtojmë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, që është një jubile i rëndësishëm për shtetin tim dhe bazë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

I nderuar mik,

Jetojmë në një kohë turbulente në Evropë dhe në botë. Për fat të keq, kur menduam se luftërat në Evropë janë e kaluar, këtë vit u ballafaquam me agresionin brutal mbi një shtet sovran evropian. Sulmi mbi Ukrainën nga Federata Ruse është sulm mbi vlerat themelore të Evropës të cilat i vendosëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Këto ngjarje janë vërtetimi më i mirë dhe rikujtuesi mbi rëndësinë e unitetit evropian dhe rolit të Bashkimit Evropian si një projekt unik paqësor në historinë e re botërore. Gjithashtu, ato janë paralajmërim se procesi i integrimit evropian duhet të përfundohet si garancia më e mirë se paqja, demokracia, të drejtat dhe liritë e njeriut, prosperiteti ekonomik dhe solidariteti do të jenë baza e Evropës së Bashkuar.

Këtë vit, shteti im filloi një kapitull të ri në rrugën drejt Evropës. Në atë kontekst, Ju faleminderit për mbështetjen e fuqishme dhe konsistente nga Ju personalisht dhe nga Republika Federative e Gjermanisë. Ju dhe shteti gjerman jeni një prej promotorëve dhe përfaqësuesve më të fuqishëm në integrimin evropian të Maqedonisë e Veriut dhe të rajonit tonë. Bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe kompleks në të cilin, si edhe deri më tani, e presim mbështetjen Tuaj. Dua t’ju bind se ne jemi tërësisht të vetëdijshëm dhe të përkushtuar ndaj pjesës sonë të obligimeve dhe do të jemi partner i besueshëm në këtë proces deri në fund.

Zoti President, të nderuar të ftuar,

Sot, në bisedime e konfirmuam përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve tona të përgjithshme, si në plan politik ashtu edhe në plan ekonomik. Gjermania është partneri ynë më i madh ekonomik dhe një nga investitorët më të rëndësishëm te ne.

Kemi bashkëpunim intensiv edhe në sferat e arsimit, shkencës dhe kulturës. E shfrytëzojmë modelin gjerman të arsimit dual në reformën e arsimit tonë të mesëm profesional, kurse një numër i madh studentësh dhe kuadër mësimdhënës nga universitetet tona marrin pjesë në programet për shkëmbim akademik midis shteteve tona. Mësimi i gjuhës gjermane te ne është gjithnjë dhe më i popullarizuar, kurse prioriteti ynë strategjik është promovimi i gjuhës maqedonase në katedrat e sllavistikës në universitetet gjermane.

Arritëm shumë në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale në tri dekadat e kaluara. Rezultatet e arritura duhet t’i respektojmë, por edhe të kemi ambicie për një bashkëpunim më të madh, në një kohën të shpejtë, edhe në suazat e Bashkimit Evropian.

Zoti President, të nderuar të ftuar,

Më lejoni t’Ju ftoj të ngremë dolli në nder të miqësisë maqedonase-gjermane, bashkëpunimit dhe të ardhmes së përbashkët evropiane!

Gëzuar!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....