Fjalimi i Presidentit Pendarovski në festimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

13 Gusht 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në panelin e liderëve në konferencën “Përtej Ohrit”, që u mbajt me rastin e shënimit të 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të ftuar
Të nderuar nikoqirë,
Zonja dhe zotërinj,

Në fillim më lejoni t’i përgëzoj organizatorët të cilët arritën të mbledhin një listë mbresëlënëse të ligjëruesve në konferencën e sotshme, me rastin e 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë. Ky dokument, përveç se ndikoi fuqishëm mbi sistemin politik dhe juridik të shtetit, është edhe pjesë përbërëse e udhëtimit profesional dhe personal jetësor të shumë prej nesh që jemi të pranishëm këtu sot. Unë jam një prej tyre, e kisha privilegjin dhe nderin të jem bashkëpunëtor i afërm me dy nga nënshkruesit, kurse marrëveshja është nënshkruar dhe shpallur në shtëpinë në të cilën unë po jetoj përkohësisht.

Sipas meje, tri dokumente veçohen sipas rëndësisë së vet për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit: Kushtetuta e parë më 17 nëntor 1991 të cilën Komisioni i Badinterit e përkufizon si pikë të shkëputjes sonë formale nga ish-Jugosllavia, kurse pastaj, Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001 dhe Marrëveshja e Prespës në vitin 2018, që na mundësoi hyrje në organizatat ndërkombëtare me markerë të përcaktuar të identitetit edhe për shtetin edhe për popullin maqedonas. Për Marrëveshjen e Ohrit komentet jashtë vendit ishin pozitive, pothuajse pa përjashtim, megjithatë, brenda në vend, ato nuk mund të jenë të ndryshme, jo vetëm midis subjekteve politike. Për fat të keq, qëndrimet mbi Marrëveshjen, edhe pas 20 vjetësh, lidhen më shpesh me përkatësinë etnike të qytetarëve ose politikanëve.

Megjithatë, edhe në ato suaza, ekziston një tendencë pozitive, domethënë, në disa vitet e para pas nënshkrimit, shumica maqedonas etnikë e vendosnin marrëveshjen në grupin e kërcënimeve më të mëdha të sigurisë për shtetin. Qëndrimi i tyre dilte nga frika se zbatimi i Marrëveshjes kornizës do ta shtrojë rrugën për dezintegrim të shpejtë të vendit sepse Maqedonia për shqiptarët, me demek, është vetëm entitet tranzitor. Megjithatë, ajo që ndodhi në vitet e mëtejshme, dëshmoi se edhe pse potenciali i marrëveshjes për përforcim të kohezionit të shoqërisë në tërësi, nuk është i madh, është fakt se me secilën fazë të zbatimit të saj nuk u zmadhuan, por, përkundrazi, u zvogëluan konfrontimet e brendshme në linja etnike. Madje edhe më shumë, tensionet politike dhe të sigurisë, kohë pas kohe shfaqeshin për shkak të interpretimeve kontradiktore të dispozitave të saj kryesore, kurse, jo për shkak të zbatimit të marrëveshjes. Sot, në të gjitha anketat, Marrëveshja Kornizë ose nuk figuron si kërcënim i sigurisë ose gjendet krejt në fund të listës së indikatorëve negativë të sigurisë.

Të nderuar,

Në 20 vitet e kaluara në qëndrimin tim për këtë marrëveshje nuk kishte ndryshime: domethënë, edhe atëherë edhe sot konsideroj se kjo ishte marrëveshja më e mira e mundshme e udhëheqjes politike në kontekstin e atëhershëm të brendshëm të sigurisë, si dhe në kontekstin politik dhe historik. Argument solid në favor të kësaj teze është se, edhe atëherë edhe sot, madje edhe kritikuesit e saj më të flaktë nuk janë në gjendje të ofrojnë alternativë të qëndrueshme të logjikës së saj themelore. Kështu që, suksesi i zbatimit të marrëveshjes, që është i pakontestueshëm, nuk i dedikohet strukturës së saj të patëmetë ose zgjidhjeve unike politike, sepse dispozitat e saj kryesore, me modifikime të vogla, i ka në të gjitha dokumentet e tilla, të ngjashme me të cilat kanë përfunduar konfliktet jo vetëm në rajonin tonë, për shembull, në Marrëveshjen e paqes në Irlandën e Veriut në vitin 1998.

Vendimtare ishte fakti se ata që e nënshkruan atë nuk kishin qëllim ta simulojnë realizimin e saj dhe një gjë të flasin para të huajve, kurse tjetër gjë të bëjnë para elektoratit të vet vendas. Kuptohet, parakusht kritik ishte sinkronizimi i pjesës evropiane dhe atlantike të aleancës perëndimore që ndodhi në kohë për dallim nga konfliktet ballkanike në vitet 1990.

Mbi rolin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në vitin 2001 në opinionin tonë ka spekulime të shumta, të shpërhapura, para së gjithash, nga një pjesë e aktorëve vendas, të cilët duke e hedhur përgjegjësinë, e mbulonin paaftësinë e vet, ose nuk e kuptonin strategjinë e aktorëve kryesorë perëndimorë pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Megjithatë, mbi rolin e nënshkruesve të Marrëveshjes Kornizë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme të cilat vërtetojnë se ato nga viti 1991 dhe deri më sot, e kanë mbështetur vazhdimisht pavarësinë tonë. Kurse, në udhëkryqet kritike të historisë maqedonase ishin faktor i pashmangshëm i skenës: nga hyrja në Kombet e Bashkuara, nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë, deri në ndryshimin e regjimit autokrat para 4 vitesh, vlerat e të cilit nuk përputheshin me demokracitë perëndimore.

Të nderuar,

Për shtyllat e Marrëveshjes – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe decentralizimin, në Ohër, midis pjesëmarrësve në negociata kishte më shumë mosmarrëveshje, në momente, mosbesim të tërësishëm ndaj kërkesave të tjetrit, kurse, në fund edhe kompromise më të vështira nën presionin e ndërmjetësuesve. Përfaqësimi i margjinalizuar i shqiptarëve në institucione para vitit 2001, te ta ishte burim i frustracioneve dhe tezave të përhershme, kurse, në situatë kur një e katërta e popullsisë nuk merr pjesë në krijimin e politikave, është e qartë se lojaliteti i tyre ndaj shtetit do të jetë në nivel minimal.

Për decentralizimin është e rëndësishme se, përkundrejt perceptimeve në disa rrathë, kjo nuk nënkuptonte territorializim të të drejtave etnike. Të gjithë e kemi të ditur se gëzimi i të drejtave etnike pa demarkim të territorit e bën punën e politikanëve më të komplikuar, për shkak të domosdoshmërisë për arritje të kompromiseve etnike, por, të drejtat etnike joterritoriale janë modeli i vetëm i qëndrueshëm në Ballkan, sepse federalizimi ose kantonizimi janë një rrugë e sigurt në ndarje më të thella, madje edhe në pastrimet etnike.

Megjithatë, një dimension i dokumentit, sipas meje – thelbësor, nuk është vendosur në mënyrë eksplicite në të. Domethënë, se dy bashkësitë më të mëdha për çështjet e rëndësishme, për çështjet strategjike nuk duhet të punojnë pas shpine, por së bashku. Sfida themelore është si të mendojmë jashtë agjendave etnike dhe partiake të cilat shpesh janë të ngjyrosa etnike dhe në këtë plan, neve, politikanëve na pret akoma shumë punë. Këtu kemi se çfarë të mësojmë nga qytetarët tanë, të cilët për dallim nga ne, kanë traditë të gjatë të respektimit dhe të bashkëjetesës së ndërsjellë që daton shumë kohë para se të jetë nënshkruar Marrëveshja Kornizë në përgjithësi.

Të nderuar,

Marrëveshja i rezistoi testit të kohës, edhe pse është larg të përkryerës. Nëse kërkojmë lëshime në të, atëherë, sipas meje, gabimi më i madh ishte që nën presionin e dinamikës tërësisht të papërshtatshme të ngjarjeve në terren pjesëmarrësit në negociata nuk kishin aspak kohë që t’u përkushtohen të drejtave dhe statusit të bashkësive më të vogla në numër dhe prandaj me të drejtë marrëveshja është kualifikuar si binacionale, kurse, kjo me siguri nuk është përparësi në një shoqëri multikulturore. Në një bashkësi heterogjene politike si e jona, modeli binacional nuk duhet të jetë zëvendësim i modelit autentik multinacional, të cilin duhet ta zhvillojmë.

Që të vazhdojë të ekzistojë edhe mandej shembulli i vetëm i suksesshëm i demokracisë funksionale shumetnike në rajon duhet që të kemi vazhdimisht parasysh alinenë e Parimeve themelore të Marrëveshjes Kornizë me të cilën përdorimi i dhunës që të arrihen qëllimet politike hidhet poshtë tërësisht dhe pa kushte, sepse vetëm zgjidhjet politike mund të garantojnë të ardhme stabile dhe demokratike. Me fjalë të tjera: tani kemi kornizë, kemi kushtetutë, kemi përvojë dhe duhet çdo krizë ta futim brenda në institucione dhe ta menaxhojmë nëpërmjet procedurave demokratike.

Nëpër vite, edhe një fjali të rëndësishme nga marrëveshja po e humbim nga kujtesa. Në preambulën e saj ku shpjegohet pse është bërë, thuhet qartë se bëhet fjalë për kornizë të dakorduar për të ardhmen e demokracisë maqedonase, por, edhe për zhvillimin e relacioneve të integruara me Bashkësinë euroatlantike. Për këtë në vitin 2005 kishim edhe vërtetim praktik: statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian e morëm, para së gjithash, për shkak të zbatimit të Marrëveshjes kornizë. Asnjë organizatë e aleancës perëndimore nuk dëshiron të futë në radhët e veta konteste bilaterale midis fqinjëve, kurse, edhe më pak, kontekste të cilat ekzistojnë në një bashkësi të njëjtë politike, të ndarë në brendësi sipas linjave partiake.

Të nderuar,

Nuk kam dilemë se vendit nuk i nevojitet koncept i ri politik i brendshëm dhe i jashtëm sepse i vjetri i vendosur pas vitit 1991 dhe pas vitit 2001 ofron potencial për zhvillim. Stabiliteti dhe prosperiteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut varen nga kapaciteti ynë që ta pozicionojmë në grupin euroatlantik të kombeve. Gjatë kësaj, imperativ është vizioni liberal dhe modern që e ardhmja jonë të fitojë përparësi para politikave të ngushta, nacionaliste dhe të kufizuara të cilat i kanë rrezikuar disa herë themelet e shtetit. Jam i bindur se në suazat e një vizioni të tillë për të ardhmen, rezoni për të cilin është arritur Marrëveshja kornizë e Ohrit është përparësi dhe jo pengesë për zhvillimin dhe prosperitetin tonë.

Domethënë, këtu qëndron edhe sfida kryesore për ne, brezin aktual të politikanëve, të shpjegojmë se shteti nuk mund të humbasë nëse disa nga bashkëqytetarët tanë fitojnë të drejta, kur ato të drejta nuk janë fituar në llogari të humbjes së të drejtave të bashkëqytetarëve tanë të tjerë apo bashkësive të tjera etnike. Ta përdor titullin e konferencës “Përtej Ohrit”, jemi mjaft larg Ohrit që ta dimë vlerën e tij praktike por, edhe të vërtetën – ku ishim para 20 vjetësh, kurse ku jemi sot.

Ju faleminderit!

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....