Fjalimi i Presidentit Pendarovski dhe dekoratat me rastin e 18 Gushtit – Ditës së Armatës

18 Gusht 2021 | Fjalimet

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti Suprem i forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në solemnitetin qendror me rastin e festimit të 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski me Dekoratën për Merita Ushtarake e dekori Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për profesionalizmin dhe për përkushtimin e përfaqësuesve të saj, pjesëmarrës në Forcat ndërkombëtare të sigurisë për ndihmë (ISAF) dhe në misioni “Mbështetje vendimtare” në Afganistan.

” Pamjet e tmerrshme të cilat vijnë nga ai vend ditët e fundit nuk ishin të mundshme kur ushtarët tanë së bashku me 130.000 paqeruajtësit nga 50 shtetet e botës ishin aty. Prandaj mora vendim t’i dekoroj me Dekoratën për Merita Ushtarake të gjithë përfaqësuesit e Armatës të cilët ishin në misionin në Afganistan dy dekadat e fundit. Ushtarët tanë e meritojnë këtë” tha Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski ia dha edhe mirënjohjen Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nënkolonelit Egill Dalltvejt, përfaqësues i forcave të Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë, Qendrës për Gjuhë të Huaja në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Batalionit të artilerisë në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar përfaqësues të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Shkëlqesi të respektuar,

Bashkëqytetarë të dashur,

Kam nderin t’Ju përshëndes dhe ta uroj 18 Gushtin – Ditën e Armatës. Këtë herë, festën më të madhe të ushtrisë e shënojmë në vitin e dy jubileve të mëdhenj për shtetin tonë.

Më 11 tetor do të festojmë 80 vjet nga fillimi i luftës nacionalçlirimtare dhe antifashiste nëpër të cilën partizanët për herë të parë krijuan shtetin e çliruar maqedonas. Kurse, muajin e ardhshëm më 8 shtator, do të festojmë 30 vjet nga pavarësia maqedonase.

Si mbrojtës të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju, përfaqësuesit e Armatës jeni lidhja e gjallë midis këtyre dy jubileve të mëdha dhe të dy ngjarjeve të mëdha historike për qytetarët dhe shtetin tonë.

Në tri dekadat e kaluara u ballafaquam me shumë sfida të jashtme dhe të brendshme në ambientin politik, gjeopolitik dhe të sigurisë. Nëpër ato cikle ndryshimesh, të gjitha udhëheqjet shtetërore të zgjedhura legjitimisht, pa përjashtim, e kanë ndjekur konstanten, e përcaktuar që në fillim të pavarësisë. Kurse ky është vullneti i shprehur qartë i shumicës enorme të qytetarëve maqedonas për integrim të tërësishëm në bashkësinë euroatlantike të shteteve demokratike. Integrim që nënkupton mbështetje dhe ndihmë të ndërsjellë, por, edhe aksione të përbashkëta me aleatët tanë.

Në emër të koalicionit të tillë të bazuar në vlerat e përbashkëta, në vitin 2002 morëm një vendim të vështirë të dërgojmë ushtarët tanë në Afganistan, në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1386. Edhe pse sapo kishim dalë nga konflikti i brendshëm, Kuvendi në gusht 2002 me konsensus të tërësishëm nga të gjitha subjektet politike, pa asnjë votë kundër e miratoi Vendimin e parë për pjesëmarrjen tonë në misionin ndërkombëtar ISAF.

Gjatë këtyre 19 viteve, mbi 3300 përfaqësues të Armatës morën pjesë në këtë mision jashtëzakonisht të ndërlikuar ndërkombëtar. Rotacioni i parë e filluam si kandidat, kurse të fundit e përfunduam si anëtar i NATO-s. Kur sot e përmbledhim këtë mision, është e qartë se pa pjesëmarrje në misionin në Afganistan nuk do të bëheshim anëtar i Aleancës së NATO-s. Pothuajse 20 vjet, paqeruajtësit maqedonas e ndihmuan popullin e Afganistanit të jetojë në një mjedis më stabil dhe e gjithë kjo pa asnjë viktimë nga paqeruajtësit tanë!

Për profesionalizmin e ushtarëve tanë, guximin dhe përkushtimin e tyre shumë prej tyre janë dekoruar me mirënjohje të larta ushtarake dhe civile nga përfaqësuesit e anëtareve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Pamjet e tmerrshme të cilat vijnë nga ai vend ditët e fundit nuk ishin të mundshme kur ushtarët tanë së bashku me 130.000 paqeruajtësit nga 50 shtetet e botës ishin aty.

Prandaj mora vendim t’i dekoroj me Dekoratën për Merita Ushtarake të gjithë përfaqësuesit e Armatës të cilët ishin në misionin në Afganistan dy dekadat e fundit. Ushtarët tanë e meritojnë këtë!

Të nderuar,

Partneritetet fillojnë me vendime të qarta politike, kurse mirëmbahen me përmirësim të vazhdueshëm të gatishmërisë luftarake nëpërmjet pjesëmarrjes në stërvitjet ushtarake dhe misionet ndërkombëtare ushtarake. Por lidhjet midis shteteve ndërtohen dhe përforcohen edhe nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta për ballafaqim me fatkeqësitë elementare dhe kërcënimet joluftarake të sigurisë. Në vitin e kaluar Batalioni i Artilerisë në përbërjen e brigadës së parë të këmbësorisë ishte aktiv në të gjitha këto fusha. Një pjesë e përfaqësuesve të batalionit ishin dhe janë përfshirë jo vetëm në ballafaqimin me valët e migrantëve dhe të pandemisë së kovid-19, por edhe në shuarjen e zjarreve katastrofale që janë shpërhapur në shumë vende në shtetin tonë.

Edhe pse janë themele të vlerave të ndërsjella, siç janë paqja, demokracia dhe të drejtat dhe liritë njerëzore, koalicionet ndërkombëtare ushtarake funksionojnë falë edhe gjuhës së përbashkët. Tashmë prej 20 vjetësh Qendra e Gjuhëve të Huaja organizon kurse profesionale për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, dhe kështu mundëson ndërveprim të tyre në strukturat e NATO-s.

Prandaj, mora vendim për dhënien e Urdhrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe Batalionit të artilerisë dhe Qendrës së Gjuhëve të Huaja.

Më në fund, sipas karakterit dhe strukturës së vet aleancat nuk janë të njëanshme. Madje edhe para anëtarësimit në NATO, ne kishim shumë miq të cilët na ndihmuan. Shembulli më i mirë se pas kësaj mbështetjeje të përgjithshme shumë shpesh qëndrojnë individë konkretë, njerëz me emër dhe mbiemër është atasheu i mbrojtjes në Mbretërinë e Norvegjisë, nënkoloneli Egill Dalltvejt. Në tri vitet e kaluara, falë angazhimit të tij profesional dhe personal, janë siguruar donacione të rëndësishme për ballafaqimin me pandeminë kovid-19, por edhe për përforcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes, të Akademisë Ushtarake dhe në përgjithësi, në gatishmërinë luftarake të Armatës.  Ne dimë t’i dallojmë, respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë, midis të cilëve është gjithsesi edhe nënkoloneli Dalltvej. Prandaj mora vendim ta dekoroj me Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar të pranishëm,

Ditën e Armatës e festojmë jo vetëm e vitin e dy jubileve të përmendur, por edhe gjatë kohës kur ballafaqohemi me dy sfida serioze – pandemia e kovid-19 dhe zjarret katastrofale. Si Komandat Suprem i Armatës dëshiroj t’i falënderoj të gjithë burrat dhe gratë e guximshme në uniforma që janë përfshirë aktivisht në ballafaqimin me këto rreziqe të mëdha. Duhet të jeni të bindur se qytetarët maqedonas e dalluan dhe e vlerësojnë profesionalizmin dhe sakrificë tuaj dhe dinë se mund të mbështeten te ju edhe në kohë paqësore edhe në kohë të vështira. Prandaj, në emër të të gjithë qytetarëve, ju falënderoj, edhe njëherë, për gjithçka që bëni në këtë plan.

Këtu duhet të përmendim me patjetër se edhe pse si edhe shtetet e tjera nga rajoni, luftojmë njëkohësisht në të dy frontet, pandemia dhe zjarret theksuan edhe disa dobësi dhe mospërputhje prej të cilave duhet të nxjerrim mësime. Në këtë drejtim, një orë e më parë duhet të hyjmë në procesin e analizave dhe përpilimit si të ndërtojmë një sistem më rezistent dhe më efikas për zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat.

Në disa vitet e kaluara po e zmadhojmë vazhdimisht buxhetin e mbrojtjes dhe duhet të vazhdojmë me patjetër me investimin në këtë fushë. Kjo është e domosdoshme që të kemi Armatë të përgatitur për pjesëmarrje jo vetëm në misionet paqësore ose ushtrimet ushtarake, por edhe armatë me kapacitet, në çdo kohë, t’i ndihmojmë qytetarët e vet në bashkëpunim me strukturat kompetente civile.

Të nderuar përfaqësues të Armatës,

Sot shprehim respektin më të thellë për të gjithë ushtarët dhe oficerët të cilët e dhanë jetën e vet që sot të jetojmë në paqe. Gjithashtu, në këtë festë të përbashkët tuajën dhe tonën, shprehim falënderim të madh edhe për të gjitha gjeneratat e mëparshme të cilat para jush në armatë e vendosën njohurinë e vet dhe patriotizmin e vet.

Sot jemi krenarë me profesionalizmin tuaj dhe me përpjekjet të cilat i investoni në zhvillimin e ardhshëm, edhe më të suksesshëm të Armatës. Duke e njohur përkushtimin tuaj dhe i bindur në vullnetin tuaj, e di se kemi Armatë tërësisht të përgatitur që ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe të jetë anëtare e Aleancës së NATO-s nga e cila nuk do të turpërohemi.

Gëzuar Ditën e Armatës!  

Rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut!

  Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....