Fjalimi i Presidentit Pendarovski në debatin e hapur për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit

21 Shtator 2023 | Fjalimet, Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot pasdite në Nju-Jork mbajti fjalim në debatin e hapur për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit, me temë “Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”.

Në këtë fjalim, Presidenti Pendarovski rekomandoi se detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është të angazhohet në mënyrë proaktive që t’i vihet fund luftës në Ukrainë. “Mënyra e vetme që të arrihet ky qëllim është nëpërmjet diplomacisë dhe negociatave, të bazuara në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndëkombëtarisht. Për këtë qëllim, hapi i parë duhet të jetë armëpushimi urgjent dhe pa kushte, që të krijohet ambient për fillimin e negociatave. Gjatë të gjithë procesit, Kombet e Bashkuara duhet të vendosin mision paqësor me obligim kryesor që ta mbikëqyrin armëpushimin dhe ndihmën humanitare për civilët”, theksoi Presidenti Pendarovski në debatin e hapur në Këshillin e Sigurimit.

“Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës u dha një goditje të fuqishme paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, parimeve themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar.

Kjo luftë e sfidoi multilateralizmin, si bazë të rendit ndërkombëtar, në një nivel të paparë. Kurse, siç e dimë të gjithë, arkitektura ndërkombëtare dhe e sigurisë, reflektimi më i rëndësishëm i të cilës janë Kombet e Bashkuara janë drejtuar kah multilateralizmit.

Situata e tanishme është rezultat i ignorimit të obligimeve që i përmban Karta e OKB-së e vitit 1945. Pa respektim të barazisë sovrane dhe integritetit territorial të çdo vendi anëtar, nuk mund të flasim për multilateralizëm efektiv. Deri më tani pamë disa përpjekje për ripërcaktim të themeleve të rendit ndërkombëtar, por asnjë prej tyre nuk mori kaq mbështetje të gjerë si parimet që bota e qytetëruar i vendosi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore.

Në atë kuptim, bllokada ku gjendet Këshilli i Sigurimit si trupi kryesor i OKB-së, që ka për qëllim ruajtjen dhe përparimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ishte nxitur pikërisht nga mosrespektimi dhe, do të thosha, madje dhe anashkalimi i vetëdijshëm i parimeve themelore të rendit ndërkombëtar.

Është e qartë se kjo bllokadë e zvogëlon kredibilitetin dhe besimin e njerëzve se Kombet e Bashkuara mund ta arrijnë me efektivitet qëllimin kryesor për të cilin janë themeluar para pothuajse tetë dekadash. Pa alternativë të besueshme në perspektivën e rendit të tanishëm ndërkombëtar i cili ka mbështetje shumicë nga kombet, është i kuptueshëm pse frustracioni i njerëzve ndaj mosaktivitetit të OKB-së  të bëhet gjithnjë dhe më i fuqishëm.

Është e qartë se bota moderne është shumë e ndryshme nga bota në vitin 1945 dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të ballafaqohet dhe të jetë në harmoni me këtë realitet të ri. Në suazat e debateve aktuale për reformën eventuale të trupit kryesor të OKB-së, duhet të shqyrtohet themelisht çështja e vetos së anëtarëve të përhershme, sidomos kur njëra prej tyre është e përfshirë në konflikt.

Detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është të angazhohet në mënyrë proaktive për dhënien fund të luftës në Ukrainë. Mënyra e vetme që të arrihet ky qëllim është nëpërmjet diplomacisë dhe negociatave, të bazuara në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndëkombëtarisht. Për këtë qëllim, hapi i parë duhet të jetë armëpushimi urgjent dhe pa kushte, që të krijohet ambient për fillimin e negociatave. Gjatë të gjithë procesit, Kombet e Bashkuara duhet të vendosin mision paqësor me obligim kryesor që ta mbikëqyrin armëpushimin dhe ndihmën humanitare për civilët.

Komponentët kryesorë të marrëveshjes së ardhme të paqes duhet të jenë së pari, respektimi i tërësishëm i integritetit territorial të Ukrainës, tërheqja e tërësishme e trupave ruse, mundësimi i kthimit të të gjithë të ikurve dhe personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre, mbështetje e madhe për rinovim psotkonflikti i vendit të shkatërruar dhe garanci ndërkombëtare për të drejtat e të gjitha bashkësive etnike dhe fetare që jetojnë në Ukrainë me shekuj.

Siç thashë, lufta në Ukrainë e ka rrënuar seriozisht kredibilitetin e organizatës ndërkombëtare, por ofron, gjithashtu, mundësi të jashtëzakonshme që Këshilli i Sigurimit të veprojë në mbështetje me parimet e Kartës së OKB-së dhe të ndihmojë të kthehet besimi i popujve në Kombet e Bashkuara si organizatë e pazëvendësueshme globale.

Ju faleminderit për vëmendjen.”

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....