Fjalimi i Presidentit Pendarovski në Forumin e Hapur për Antikorrupsion

6 Dhjetor 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në hapjen e Forumit të Hapur dyditor për Antikorrupsionit të organizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në kuadër të Programit Qytetarët kundër Korrupsionit dhe Programit Rajonal të Rrjetit kundër Korrupsionit (SELDI).

Duke theksuar se si shtet e kemi ratifikuar Konventën kundër korrupsionit të Kombeve të Bashkuara para 20 vjetësh, Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij theksoi se edhe pas dy dekadash nga kjo Konventë, 63% e qytetarëve maqedonas e konsiderojnë korrupsionin problemin tonë më të madh.

Të nderuar të pranishëm,

I falënderoj Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që na bashkuan në këtë forum të rëndësishëm për antikorrupsionin.

Para saktësisht 20 vjetëve, Kombet e Bashkuara miratuan Konventën kundër Korrupsionit. Me atë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan e krahasoi korrupsionin me një “murtajë tinëzare” që minon demokracinë dhe sundimin e ligjit, shkel të drejtat e njeriut, shkatërron tregun, gërryen cilësinë e jetës dhe mundëson krimin e organizuar, terrorizmin dhe kërcënime të tjera mbi sigurinë njerëzore. Ne e ratifikuam këtë konventë dhe aderuam mjaft shpejt në një sërë dokumentesh dhe mekanizmash globalë dhe rajonalë kundër korrupsionit.

Megjithatë, edhe pas dy dekadash, 63% e qytetarëve maqedonas e konsiderojnë korrupsionin për problemin tonë më të madh. Indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2022 e rendit Maqedoninë në vendin e 85-të në botë. Vetëm 6 apo 7 shtete evropiane, në varësi nga periudha e matjes, janë pas nesh, prej të cilave asnjë nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Indeksi i sundimit të ligjit na rendit në vendin e 67-të nga 142 vende gjithsej, me një rënie të vërejtur në disa fusha. Rreth gjysma e hetimeve që Shërbimi Evropian kundër Mashtrimit – OLAF ka hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë të bëjnë me keqpërdorime të fondeve evropiane në Maqedoni.

Në varësi nga konteksti lokal, shkaqet për këtë gjendje më shpesh i kërkojmë në mungesën e vullnetit politik, në boshllëqet e sistemit dhe ligjeve, në bllokadën shumëvjeçare të integrimeve evropiane, dhe kuptohet, para së gjithash, në kulturën e mosndëshkimit.

Një nga rekomandimet e GREKO-s, që mbeti i pazbatuar, ka të bëjë me zbatimin e sistemit të sanksioneve në lidhje me shkeljen e të normave për konfliktin e interesave, integritetit dhe antikorrupsionit. Lëshimet e tille sistematike, nuk janë aspak naive. Ata që korruptojnë arrijnë të shmangin llogaridhënien duke përdorur disa taktika, nga mohimi i korrupsionit, minimizimi i efekteve të tij, largimi i vëmendjes së publikut nga problemi, deri te diskreditimi i kritikuesve apo heshtjen e sinjalizuesve.

Nëpër vite, për fat të keq, korrupsioni u bë përditshmëria jonë, mënyrë e jetës, ku, segment enorm i shoqërisë beson se pa ryshfet, nepotizëm, miqësi dhe klientizëm nuk mund të përparoni. Një e treta e qytetarëve deklarojnë se kanë qenë të pasqyruar në tension korruptues, kurse madje  një e katërta e tyre kapin portofolin ose telefonin që të japin ryshfet ose të kërkojnë lidhje.

Pasojat e kësaj gjendjeje janë të dukshme për të gjithë ne, për të gjithë qytetarët. Korrupsioni gjeneron varfëri dhe padrejtësi sociale duke i thelluar kështu ndarjet në shoqërinë maqedonase, e përshpejton shpërnguljen sepse e shkatërron praktikisht sistemin e meritave gjatë punësimit dhe përparimit.

Kur të vazhdojmë me negociatat për në BE-në, korrupsioni do të jetë padyshim pengesa më e madhe në procesin e integrimit evropian. Negociatat e anëtarësimit hapen dhe mbyllen me kapitullin për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, kurse në raportin e fundit të Komisionit Evropian thuhet se nuk është vërejtur përparim në luftën kundër korrupsionit te ne.

Të nderuar,

Nëse këto janë problemet, cilat do të ishin zgjidhjet e mundshme?

Së pari, legjislacioni duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin evropian. Për t’i dhënë fund edhe përpjekjeve më kreative të mashtrimit, duhet të mësojmë nga praktikat më të mira evropiane dhe globale kundër korrupsionit.

Së dyti, nuk duhet të matim qëllimet, por rezultatet e antikorrupsionit. Legjislacioni i mirë është i pavlefshëm nëse nuk zbatohet dhe nëse nuk zbatohet njësoj për të gjithë. Në këtë drejtim, shteti, autoritetet duhet të mbështesin në punën e tyre institucionet si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të paktën përbërjen e tij të përhershme.

Së treti, krijimi i një fronti të gjerë kundër korrupsionit. Për të qenë efektiv, antikorrupsioni nuk duhet të reduktohet në procedurë në kompetencë të disa institucioneve, por duhet të shndërrohet në angazhim që do të ketë mbështetjen e të gjithë shoqërisë. Njëkohësisht, është e pakontestueshme se lufta kundër korrupsionit është në radhë të parë detyrë e çdo institucioni, për secilën nga degët e pushtetit, si për koalicionin qeveritar ashtu edhe për opozitën, në nivel qendror dhe lokal. Megjithatë, mediat, gazetaria hulumtuese, sektori joqeveritar dhe publiku kanë një rol të pazëvendësueshëm në atë proces.

Së katërti, ngritja e kulturës për antikorrupsion. Kjo nënkupton, midis të tjerash, heqjen e një prej besimeve më të famshme, por të gabueshëm, që përmblidhet në deklaratën “këta vjedhin, por të paktën punojnë ose ndërtojnë diçka”.

Të nderuar, funksionarët  e zgjedhur dhe të emëruar duhet të punojnë dhe të ndërtojnë, jo të vjedhin. Njëkohësisht, duhet të kuptojmë se një sasi e vogël nuk e bën korrupsionin më pak serioz. Pavarësisht se a është 500 apo 500.000 denarë, korrupsioni është korrupsion dhe nuk duhet toleruar.

Të nderuar të pranishëm,

Shumë prej jush këtu janë luftëtarë të përkushtuar për një periudhë të gjatë kundër korrupsionit. Në atë luftë ju keni dy aleatë kryesorë, kuptohet, përveç pushtetet që duhet ta udhëheqin atë betejë.

I pari është Bashkimi Evropian. Hulumtimi i SELDI-t dëshmon se sa më afër është integrimi evropian aq më i suksesshëm është antikorrupsioni. Integrimet evropiane sigurisht që mund të na ndihmojnë të ndërtojmë shtet ligjor funksional me sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas. Negociatat ndihmojnë që korrupsioni të bëhet shumë më i papranueshëm nga ana shoqërore dhe kultura e mosndëshkimit, në një masë të konsiderueshme, të zëvendësohet nga një kulturë përgjegjësie dhe integriteti. Mënyra më e shpejtë dhe më e besueshme për reformat themelore evropiane pa pengesa burokratike dhe makinacione partiake dhe biznesi janë negociatat për anëtarësim në Bashkim.

Aleati i dytë janë të rinjtë të cilët janë kryesorët në çdo shoqëri për çdo lloj transformimi shoqëror. Sipas anketave, shumica e të rinjve nuk tolerojnë praktika korruptuese, por që zëri i tyre kritik të sjellë ndryshime shoqërore, ata duhet të jenë edhe masa kritike në shoqëri. Dhe është e qartë se nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen dhe zbatohen, të rinjtë ose do të largohen ose me kalimin e kohës do të përshtaten me sistemin ekzistues.

Të dashur miq,

Më 9 dhjetor, për vetëm tri ditë, do të festojmë Ditën Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, kurse më 10 dhjetor është Dita e të Drejtave të Njeriut. Këto dy ditë, nuk janë zgjedhur rastësisht. Nuk ka të drejta dhe liri të njeriut ku e drejta i nënshtrohet korrupsionit.

Antikorrupsioni nuk është vetëm temë juridike ose politike dhe me siguri nuk është vetëm procedurë, por edhe një çështje e thellë morale dhe praktike që prek të drejtat dhe liritë fondamentale të njeriut.

Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të drejtë të bazuar në vlerat më të larta etnike dhe në integritet, atëherë antikorrupsioni duhet të jetë në mesin e të gjitha përpjekjeve dhe politikave tona.

Ju faleminderit për vëmendjen.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....