Fjalimi i Presidentes Siljanovska-Davkova me rastin e Ditës së Republikës – Ilinden

2 Gusht 2026 | Fjalimet, Kumtesat

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar pasardhës të ilindenasve dhe të partizanëve,

Ilindeni është dita e vërtetë për të kujtuar dhe për të shënuar luftën e shumë brezave për një shtet të pavarur maqedonas.

ASNOM-i nuk është një ngjarje spontane apo e rastësishme, por një akt shtetformues demokratik, i menduar thellësisht, i frymëzuar historikisht nga traditat e Revolucionit Francez dhe të Kryengritjes së Ilindenit.

Ilindenasit e vjetër, Panko Brashnarov, Dimitar Vllahov dhe Pavell Shatev, në ASNOM i kanë mishëruar amanetin dhe testamentin e Goce Dellçevit dhe të heronjve të Ilindenit.

Vlladimir Polezhinovski, doktor i ri i drejtësisë nga Sorbona, frymën e Revolucionit Francez të vitit 1789, me të cilën ishte edukuar, e përshkoi në “Deklaratën mbi të Drejtat Themelore të Qytetarit të Maqedonisë Demokratike”, sipas modelit të “Deklaratës Franceze për të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit”. Pikërisht për këtë arsye, dokumentet shtetformuese të ASNOM-it janë konceptualisht më të afërta me traditat demokratike dhe liberale perëndimore sesa me zgjidhjet dogmatike sovjetike të Lindjes.

Tribuni karizmatik i popullit, Metodija Andonov – Çento, të cilit i përulemi sot, afirmoi të drejtën e vetëvendosjes së popullit maqedonas. Kjo e drejtë u bë pjesë përbërëse e dokumenteve themeluese të OKB-së, por edhe e kushtetutave të republikave anëtare të Federatës Jugosllave, përfshirë edhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë të vitit 1974. Pikërisht kësaj të drejte iu referuam 35 vjet më parë, kur më 8 shtator 1991, këtu, në këtë shesh, e shpallëm republikën e lirë, sovrane dhe të pavarur, mbi bazën e rezultateve të referendumit të zhvilluar në mënyrë demokratike.

Dua të rikujtoj gjithashtu se partizanët dhe veprimtarët e ASNOM-it e ngulitën antifashizmin si përcaktim thelbësor dhe të përhershëm maqedonas dhe si një nga themelet e shtetit maqedonas. Lufta jonë nacionalçlirimtare ishte një vepër epokale dhe autentike, ndërsa liria nuk na u dhurua nga askush tjetër; ne e fituam vetë me Ushtrinë tonë Nacionalçlirimtare prej 120.000 luftëtarësh. Pra, ne askujt nuk i detyrohemi asgjë për shtetin e fituar me aq shumë sakrifica. Pikërisht për këtë arsye, askush nuk ka të drejtë ta rishikojë historinë tonë kombëtare, sepse çdo popull ka të drejtën e historisë së vet.

Kemi një borxh ndaj së vërtetës historike dhe ndaj brezit të ASNOM-it, që me gjak e fituan lirinë dhe republikën maqedonase.

Fatkeqësisht, menjëherë pas fitores sonë më të madhe historike, shumë prej themeluesve të shtetit popullor maqedonas u mënjanuan nga skena politike. Brezi im shumë vonë mësoi për Metodija Andonov – Çenton, presidentin e parë të Presidiumit të ASNOM-it, dhe dinte shumë pak për fatin e tij dhe të bashkëmendimtarëve të tij.

Shumë më vonë mësuam për jetën dhe veprën e Metodija Andonov – Çentos, i cili ishte vazhdimisht i përndjekur, i burgosur dhe i dënuar, por megjithatë u rezistoi sprovave dhe qëndroi besnik bindjeve të tij të palëkundura maqedonase gjatë regjimeve pushtuese. Pikërisht këtu qëndron arsyeja e autoritetit të tij të jashtëzakonshëm tek populli dhe e propozimit të Kuzman Josifovskit – Pitu që ai të përfshihej aktivisht në Luftën Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste të Maqedonisë, fillimisht si anëtar i Shtabit Kryesor dhe kryetar i Këshillit Nismëtar për konvokimin e ASNOM-it, më pas si delegat në AVNOJ dhe, në fund, si ushtrues i njërit prej funksioneve më të larta – president i Presidiumit të ASNOM-it.

Nënshkrimi i tij qëndron në vendimet dhe aktet shtetformuese me të cilat ASNOM-i u përcaktua si organi më i lartë legjislativ dhe ekzekutiv, për vendosjen e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare, për shpalljen e Ilindenit festë shtetërore popullore, për themelimin e institucioneve dhe organeve shtetërore, si dhe për shumë vendime të tjera të rëndësishme.

Shumë herë e kam pyetur veten se si ndodhi që ky kolos maqedonas jo vetëm të jetë i larguar nga politika, por edhe të jetë i shlyer nga historia. Sot e dimë me siguri që, me parimësinë, qëndrueshmërinë dhe konsistencën e tij, ai krijoi armiq nga disa prej bartësve të fuqishëm të pushtetit, ish-bashkëluftëtarëve të tij. Dua të rikujtoj që, përmes një procesi gjyqësor të montuar, ai u gjykua dhe u dënua për qëndrime dhe ide që ishin identike me vendimet e seancës së parë të ASNOM-it. E shtroj pyetjen: a mund të mbahej Çento penalisht përgjegjës para gjykatës popullore maqedonase për idetë e ASNOM-it? Natyrisht që jo, por nomenklatura politike në pushtet dhe gjyqësori komunist i varur e dënuan me një vendim partiak, e jo në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Më 6 shkurt 1956, para 70 vjetësh, Çento kishte shënuar: “Një gjë duhet ta dini, kur ndodhi Revolucioni Francez, të gjithë të mëdhenjtë u flijuan dhe një filozof kishte thënë – revolucioni i ha fëmijët e vet.” Dhe pikërisht viktimat e para janë më të mirët, më të aftët. Unë shpesh e mendoj në vete: si do të ishte shteti ynë sikur më të mirët të kishin mbetur dhe të kishin qenë në timonin e tij? Pa dyshim, ata do të ishin rrethuar me njerëz të ngjashëm me veten.

 Të dashur bashkëqytetarë,

Sot, të mbledhur para monumentit të njërit prej bijve më të mëdhenj të Maqedonisë, së bashku me anëtarët e familjes së tij, besoj se nuk është rastësi që skulptori e ka përjetësuar Metodija Andonov – Çenton jo me uniformë, por me veshje civile, si qytetarin e parë të republikës së re maqedonase, si presidentin e saj të parë.

Dhe, ndërsa me kapelën e tij mbulon zemrën që rreh për atdheun dhe popullin, me gishtin e drejtuar na kujton detyrën tonë, që brez pas brezi ta ruajmë dhe ta mbrojmë lirinë e shtetit tonë “si dritën e syrit”.

Unë besoj se shteti ruhet përmes një sistemi politik demokratik dhe patriotizmit kushtetues. Si patriot i palëkundur maqedonas dhe demokrat i bindur, Çento nuk hoqi dorë nga e drejta e vetëvendosjes së popullit maqedonas dhe nuk lejoi ndërhyrje në çështjet e brendshme të republikës, duke përfshirë respektimin e akteve më të larta shtetërore nga secili, kudo. A nuk duhet të reflektojmë kur bëhet fjalë për dokumentet e ASNOM-it dhe dhjetëra ndryshimet e Kushtetutës së vitit 1991?!

Natyrisht, paqja dhe bashkëjetesa në një shoqëri heterogjene ruhen përmes garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të bashkësive, por jo në dëm të të drejtave individuale të njeriut, nëse duam të jetojmë në demokraci.

ASNOM-i e ka marrë parasysh realitetin multietnik të Maqedonisë. Manifesti i tij iu drejtua të gjitha bashkësive etnike. Edhe sot, krenohemi me standardet e larta të mbrojtjes së të drejtave minoritare të shqiptarëve, turqve, vllehëve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Të përmendur ose jo në pjesën që i paraprin tekstit normativ, e cila zakonisht quhet preambulë, të gjithë qytetarët e Maqedonisë gëzojnë të drejta të barabarta dhe kanë detyrime të njëjta ndaj shtetit, të përcaktuara në tekstin normativ.

Shteti ruhet duke investuar tek të rinjtë. Pikërisht të rinjtë luftuan për lirinë dhe e krijuan shtetin. Gati gjysma e pjesëmarrësve të ASNOM-it ishin nën moshën 30-vjeçare. Fatkeqësisht, sot të rinjtë më me perspektivë po largohen masivisht në kërkim të një vendi më dinjitoz për të jetuar. Disa prej tyre, për shkak të eurointegrimeve të bllokuara, detyrohen të marrin edhe pasaportë të shteteve të tjera anëtare. Është detyra jonë të luftojmë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër partitokracisë dhe ndotjes. Vetëm kur dija dhe suksesi të jenë më të rëndësishme se libreza partiake dhe lidhjet personale, të rinjtë do të qëndrojnë këtu, për të jetuar, punuar dhe për të krijuar familje, në vendlindje.

Shteti mbrohet përmes një politike të jashtme të mençur. Një nga “mëkatet” më të mëdha të Çentos ishte orientimi i tij pro-perëndimor. Ashtu sikur edhe disa prej veprimtarëve të ASNOM-it, ai angazhohej për ndarje të qartë të pushteteve, për të drejta të garantuara të njeriut dhe për ekonomi tregu. Madje edhe në burg, i kanë bërë vërejtje se, në vend që ta lexonte Marksin, Engelsin dhe Leninin, ai mësonte gjuhën angleze, frënge dhe gjermane. Edhe rruga jonë është e orientuar drejt Evropës, ashtu siç ishte edhe rruga e Çentos.

E dimë se çdo shtet kandidat bën kompromise për adaptimin e marrëdhënieve dhe proceseve me ‘acquis communautaire’, ose për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme. Por përvoja jonë është unike, si një varg i pandërprerë dhe i papërfunduar kërkesash me të cilat kontestohet dhe cenohet e drejta jonë sovrane për vetëvendosje. Megjithatë, fakt është se nga bllokimi i eurointegrimit tonë nuk humbasim vetëm ne, por edhe ata që na bllokojnë.

Shteti forcohet përmes pajtimit kombëtar. Çentos i është bërë vërejtje për gatishmërinë e tij që të pajtohej me ish-kundërshtarët politikë, me kusht që të qëndronin në të njëjtën vijë – në vijën maqedonase. Nëse duam që shteti ynë të jetë një vend dinjitoz për të jetuar, duhet t’i kapërcejmë ndarjet dhe të mësojmë të flasim me një zë për çështjet e interesit kombëtar. Kjo na nevojitet më shumë se kurrë më parë.

Të dashur bashkëqytetarë,

Duke iu drejtuar mbledhjes së tretë të ASNOM-it, Metodija Andonov – Çento kishte thënë: „duke shërbyer për të mirën e popullit tonë, ne i shërbejmë të mirës së shtetit. Atë që populli na ka dhënë, ne duhet ta realizojmë përgjithmonë. Vetëm kështu mund të ecim përpara drejt përparimit…“
Fjalët e tij janë detyrimi ynë.

Gëzuar për shumë mot Ilindeni!
Qoftë e përjetshme Republika Maqedonase!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Vizita zyrtare e Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu, ka filluar

Vizita zyrtare e Presidentes së Indisë, Drupadi Murmu, ka filluar

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në ceremoni solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake priti sot Presidenten e parë të Republikës së Indisë, Drupadi Murmu që është në vizitë zyrtare të vendit. Takimi ballë për ballë u pasua pas takimit plenar të...