Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në konferencën e Diasporës së Bashkuar Maqedonase (DBM)

20 Korrik 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti në konferencën e parë të DBM-së Maqedonia Simpozium dhe Praktika të organizuar me mbështetje nga Diaspora e Bashkuar Maqedonase, me qëllim të prezantimit të mundësive dhe potencialeve të shtetit dhe diasporës maqedonase në skenën globale.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin të mbaj fjalim në këtë konferencë të Diasporës së Bashkuar Maqedonase. Historiani i famshëm amerikan i emigracionit, Markus Hansen u bë i famshëm me tezën se në çdo diasporë, brezi i tretë përpiqet të zbulojë atë që gjenerata e dytë u përpoq të harronte. Mirëpo, diaspora maqedonase e hedh poshtë këtë parim, sepse jo vetëm që nuk ka pasur përpjekje për të harruar origjinën e saj maqedonase, por ajo kalohet brez pas brezi si vlera më e madhe. Këtë e vërtetojnë të rinjtë emigrantë të cilët janë pjesë e programit “Me prejardhje nga Maqedonia” dhe të cilët në dy javët e fundit kanë qenë praktikantë në disa institucione dhe kompani maqedonase. Goran Stefanovski thoshte se të kalosh kohën në vendlindje është një përvojë transformuese, sepse këtu është burimi i identitetit maqedonas, i historisë sonë maqedonase.

Është veçanërisht e rëndësishme që interesimi i diasporës maqedonase të mos kalojë në një lloj nostalgjie pasive, por të jetë shembull i angazhimit aktiv dhe i vullnetit për t’u përfshirë në proceset moderne në atdhe. Këtë e dëshmon edhe konferenca e sotme, e cila synon të shkëmbejë njohuritë, përvojat dhe sukseset më të vlefshme të diasporës. Kurse ka shumë suksese. Në udhëtimet e mia nëpër Evropë dhe në botë, takoj rregullisht burra dhe gra maqedonase të suksesshme, që respektohen dhe vlerësohen shumë në shoqëritë në të cilat jetojnë. Duke folur për suksesin, para pak kohe u takova në Shkup me profesorin izraelit Dan Shehtman, i cili mori çmimin Nobel për Kimi në vitin 2011 për arritjet e tij shkencore. Në pyetjen e tij se cilat janë arritjet më të mëdha maqedonase që nga pavarësia e deri më sot, unë iu përgjigja se, parë nga këndvështrimi historik, arritja e parë dhe më e rëndësishme është se ne u bëmë shtet dhe mbijetuam si shtet edhe përkrah të gjitha sfidave. Pavarësinë e fituam në rrethana jashtëzakonisht komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë, në fund të Luftës së Ftohtë dhe në fillim të shpërbërjes së përgjakshme të shtetit të mëparshëm.

Ne u ballafaquam dhe po ballafaqohemi me një seri të gjatë mohimesh, presionesh dhe bllokimesh të integrimeve tona, me konflikte brenda dhe rreth nesh, të cilat sollën recesione dhe shkatërrime, na morën kohë, energji dhe mundësi enorme dhe për shkak të të cilave bëmë kompromise të vështira. Por ne mbijetuam si shtet dhe brenda këtyre kufijve.

Arritja e dytë maqedonase është se me të gjitha mangësitë tona që i dëshmojmë, ne nuk jemi shtet vetëm në letër, por demokraci të cilën po e ndërtojmë gjatë dhe me mundim që nga fillimi i pavarësisë. Në festimin e 30 vjetorit të 8 shtatorit 1991, thashë se qeveria që qytetarët maqedonas e zgjedhin në zgjedhje të lira demokratike nuk mund të jetë më e keqe se çdo qeveri e imponuar nga jashtë, siç ishte me shekuj në të kaluarën nën pushtetin e huaj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot kur jemi dëshmitarë të kërcënimeve të populizmit dhe autokracisë edhe në demokracitë e vjetra dhe të pjekura.

Arritja jonë e tretë është se me dekada po e mbajmë modelin e demokracisë funksionale multietnike, siç nuk ka shumë të tilla në Evropë. Trazirat aktuale në kontinent dhe më gjerë janë dëshmi se demokracia multietnike është një sfidë serioze për shtetet shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se shteti ynë. Bashkëjetesa multietnike dhe tradita shekullore e respektimit të diversitetit janë vlera jonë më e madhe dhe parakusht për stabilitet dhe prosperitet të brendshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Diaspora maqedonase ka një pjesëmarrje të konsiderueshme në secilin prej këtyre tri sukseseve tona të përbashkëta maqedonase. Emigrantët maqedonas nuk kanë qenë asnjëherë vëzhgues pasivë të këtyre proceseve, por faktorë aktivë. Diaspora loboi për njohjen e pavarësisë së shtetit maqedonas, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shumë vende të botës dhe për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet atdheut të tyre të parë dhe të dytë. Edhe sot, ju, anëtarët e diasporës, vazhdoni të përfaqësoni interesat tona, të hapni dyer për bashkëpunim dypalësh dhe të kontribuoni në afirmimin ndërkombëtar të shtetit.

Por, që këto tri arritje të shtetit maqedonas dhe të qytetarëve të vazhdojnë të mbijetojnë dhe të jenë platformë për zhvillim dhe prosperitet të mëtejshëm të brezave tanë të tashëm dhe të ardhshëm, janë të domosdoshme tri kushte.

Kushti i parë është siguria gjeopolitike të cilën na e garanton anëtarësimi në NATO. Lufta në Ukrainë dëshmoi se sa është e rëndësishme të jemi në anën e vërtetë të historisë. Por që ta përmbyllim integrimin në atë hapësirë gjeopolitike dhe gjeoekonomike na nevojitet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Kushti i dytë është sundimi i të drejtës. Nga siguria e të drejtës varet edhe besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik shoqëror. Ligjet që  nuk zbatohen për të gjithë njësoj, gjenerojnë jo vetëm pabarazi juridike por edhe pabarazi socioekonomike dhe politike. Që ta arrijmë atë qëllim, ne duhet të investojmë shumë më tepër energji në luftën kundër nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar, partizimit dhe etnizimit edhe të politikës edhe të institucioneve.

Kushti i tretë është zhvillimi dhe zmadhimi dinamik ekonomik. Duhet të ndërtojmë ekonomi të bazua mbi teknologjitë e reja dhe të investojmë në zhvillimin e ekosistemeve inovative. Është thelbësore të mbyllim hendekun e shkathtësive digjitale dhe arsimit digjital me pjesën e zhvilluar të botës, që të rinjtë të mund të gjejnë punë të paguar më mirë këtu në atdheun e vet.

Të nderuar,

Besoj se investimin më të madh që diaspora mund ta bëjë në atdhe nuk janë mjetet financiare, megjithëse janë të rëndësishme. Investimi më i madh që na sjellin anëtarët e diasporës këtu janë vlerat dhe parimet demokratike euroatlantike të punës, kultura e respektimit të ligjeve dhe shpirti sipërmarrës. Është i pakontestueshëm fakti se një pjesë e madhe e përfitimeve dhe praktikave të mira që kemi janë sjellë pikërisht falë bashkatdhetarëve tanë të etur që ta shohin atdheun e tyre të parë të suksesshëm dhe të zhvilluar.

Një shembull i mirë në këtë drejtim është “Maqedonia 2025” e cila është përfshirë në përpilimin e Kornizës strategjike për zhvillim “MKD 2030”, dhe e cila organizon çdo vit kampe verore për origjinën ku i lidh të rinjtë maqedonas pavarësisht se ku jetojnë.

Konferenca e sotshme e Diasporës së Bashkuar Maqedonase është një shembull i përkryer. Diaspora duhet të vazhdojë të lobojë për përmbylljen e integrimeve tona evropiane, të sjellë praktika të mira biznesi, bashkëfinancojë projekte zhvillimore dhe projekte për përgjegjësinë shoqërore. Pikërisht kjo triadë e sigurisë gjeopolitike, sigurisë juridike dhe qëndrueshmërisë ekonomike është garancia më e madhe se do të arrijmë zhvillim shumë më të madh ekonomik, besim më të lartë tek institucionet, si dhe atë që është shumë më e rëndësishme shpërngulje të zvogëluar ndjeshëm të të rinjve.

Të dashur miq,

Për më pak se dy javë së bashku me bashkëkombësit tanë nga e gjithë bota do ta festojmë festën më të madhe maqedonase – Ilindenin dhe do të festojmë 120-vjetorin e Kryengritjes së lavdishme të Ilindenit. Lufta e ilindenasve dhe e pjesëmarrësve në LNÇ ishte për liri dhe të drejta njerëzore. Lufta jonë në shekullin e 21-të është për shtet maqedonas të zhvilluar dhe me prosperitet ku qytetarët do të kenë shans t’i realizojnë idealet e veta jetësore. Vetëm me ndihmë të diasporës dhe me përpjekje të përbashkëta të të gjithë maqedonasve në botë do të mund ta arrijmë qëllimin dhe të ndërtojmë shtet që me krenari do ta quajmë shtëpia jonë e përbashkët.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....