Fjalimi i Presidentit Pendarovski në pritjen me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimdhënies në Gjuhën Turke, organizuar nga MATUSITEB

21 Dhjetor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në pritjen që me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Mësimdhënies në Gjuhën Turke, e organizoi Lidhja e organizatave joqeveritare në Maqedoni – MATUSITEB.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të pranishëm,
Të dashur bashkëqytetarë,

Kam nderin e veçantë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj 21 Dhjetorin – Ditën e Mësimdhënies në Gjuhën Turke. E falënderoj udhëheqjen e Lidhjes së organizatave joqeveritare turke në Maqedoninë e Veriut – MATUSITEB për ftesën që të mbaj fjalim në këtë festë të bashkësisë turke.

Një nga vendimet e parë të Maqedonisë së KAÇKM-së, ishte të mundësojë mësimdhënie në gjuhën amtare për shumicën e bashkësive, duke përfshirë edhe atë turke. Kështu, në këtë ditë, në vitin 1944, filloi mësimdhënia në gjuhën turke në shkollën “Tefejuz” të Shkupit. Me këtë vendim u çlirua potenciali kryeso krijues i këtij populli, duke ruajtur identitetin dhe duke zhvilluar kulturën e tij për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Shumë shpejt mësimdhënia u përhap në pjesë të tjera të vendit ku turqit kanë jetuar me shekuj, nga Gostivari në Dojran, nga Kumanova në Ohër.

Por, rrënjët e festës së sotme të bashkësisë turk enë Maqedoninë e Veriut i paraprijnë jo vetëm shtetit modern maqedonas, por edhe shtetit modern turk. Ndryshe, bashkësia turke në Maqedoni gjatë shekujve ka nxjerrë shumë personalitete të mëdha, ndër të cilët më i madhi është themeluesi i Turqisë moderne – Mustafa Qemal Ataturku, shtëpia e familjes së të cilit gjendet në fshatin Koxhaxhik.

Këtë vit shënohen 100 vjet nga themelimi i Republikës Turke dhe 95 vjet nga reformat gjuhësore dhe vendosja e alfabetit të ri turk. Dihet se Ataturku ia kushtoi vitet e fundit të jetës reformave në arsim. Ai besonte se nga arsimi varet nëse një komb do të jetë vërtet i pavarur dhe i begatë apo nëse do të zhytet në varësi dhe varfëri. Ai ka thënë: për të mbrojtur shtetin duhet ushtri, por për të mbrojtur lirinë nevojitet arsim. Prandaj, një shoqëri e lirë duhet të jetë një shoqëri e arsimuar në të cilën të gjithë kanë qasje të barabartë në njohuri.

Ataturku e ka krahasuar mësuesin e mirë me qiririn i cili digjet që t’ua ndriçojë rrugën të tjerëve. Dhe me të vërtetë, me të fillon epoka e mësimdhënies në gjuhën turke që për një kohë të shkurtër bëri arsimim masiv të turqve, jo vetëm në Republikën e Turqisë por edhe në diasporë, duke përfshirë këtu edhe te ne.
Të nderuar të pranishëm,

Poeti dhe filozofi i shquar turk, Junus Emre, ka thënë: “Ejani të njihemi, të duhemi dhe të jemi të dashur. Kjo botë nuk do t’i mbetet askujt”. Në këtë thirrje e dalojmë paradigmën e bashkëjetesës midis të ndryshmëve të cilët respektohen ndërmjet tyre, në vend që të përjashtohen, kurse vlerat i shkëmbejnë, në vend që t’i përvetësojnë për vete.

Ajo që jemi të ndryshëm është vlera jonë më e madhe. Çdo bashkësi, duke përfshirë edhe atë turke, jep kontribut unik në ndërtimin dhe zhvillimin e atdheut tonë të përbashkët. Arsimi në gjuhën turke kontribuon në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës turke dhe kështu kontribuon në pasurimin e bashkëjetesës në shoqërinë maqedonase shumetnike, shumëgjuhësore dhe shumëfetare.

Përballë sfidave në arsim dhe në fushat e tjera, përfaqësuesit e bashkësisë turke në Maqedoni japin një kontribut të madh në çdo sferë, në arsim, shkencë, shëndetësi, art dhe sport. Disa prej tyre e përfaqësojnë me krenari shtetin tonë në takimet dhe garat ndërkombëtare. Prandaj, shteti duhet t’i heqë edhe pengesat e fundit për bashkëqytetarët tanë turq që të mund ta realizojnë pa asnjë lloj problemi të drejtën njerëzore të arsimit, që të ndjehen se janë qytetarë tërësisht të barabartë.

Përveç se me lojalitetin e vet kontribuojnë për kohezionin më të madh në shoqërinë maqedonase, bashkësia turke përbën një lidhje të fortë me Turqinë mike. Kurse efektet e kësaj miqësie janë marrëdhëniet e përkryera bilaterale dhe mbështetja e ndërsjellë, investimet e shumta, projektet e përbashkëta, donacionet në arsim, shkencë, shëndetësi dhe kulturë.

Dëshiroj që ky bashkëpunim të vazhdojë të pasurohet me përmbajtje të reja edhe në të ardhmen.

Të dashur miq,

Në fund do të dëshiroja t’ia uroj jubileun 20-vjeçar MATUSITEB-it dhe t’ju dëshiroj shumë suksese në realizimin e vizioneve tuaja. E shfrytëzoj këtë rast, juve dhe të gjithë përfaqësuesve të bashkësisë turke t’ju uroj 21 Dhjetorin – Ditën e Mësimdhënies në Gjuhën Turke. Gëzuar për shumë vjet këtë festë të madhe.

Eğitim bayramınız kutlu olsun!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....