Dhënia e mirënjohjeve për gjashtë artistë të kulturës dhe për Teatrin Shqiptar

26 Dhjetor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski në ceremoni solemne i dha mirënjohjet, Urdhri për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Medaljen për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Dekoratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me Urdhrin për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidenti Pendarovski i dekoroi Goce Todorovskin, Bajrush Mjakun dhe Kole Angellovskin.

Goce Todorovski u dekorua për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm në zhvillimin, njohjen dhe afirmimin e artit të teatrit. Me talentin e vet unik të aktorit u vendos në zemrat tona duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën dhe traditën tonë.

Bajrush Mjaku dekorohet për karrierën e vet prej tri dekadash si një nga aktorët më të rëndësishëm të teatrit bashkëkohor maqedonas. Ai u vendos si një prej figurave qendrore të teatrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kole Angellovski dekorohet për karrierën e pasur artistike 60-vjeçare si një nga figurat më komplekse të teatrit dhe filmit maqedonas. Opusi i tij i aktrimit dhe mbi të gjitha i regjisorit lë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të gjerë, vepra e tij vlerësohet gjerësisht dhe ka një rëndësi të paçmueshme për zhvillimin dhe popullarizimin e përgjithshëm të artit teatror dhe filmik.

Medalje për Merita për Republikën e Maqedonisë së Veiur u është dhënë Branko Ognjanovskit, Vasko Todorovit dhe Llupço Karovit.  

Llupço Karov dekorohet për kontributin autorial dhe për pjesëmarrjen në shfaqjen e papërsëritshme humoristike “K-15”, nëpërmjet të cilës ka transmetuar një satirë unike sociale, politike dhe ekonomike për gjendjet në shoqërinë maqedonase dhe, në përgjithësi, për të gjithë angazhimin në radio dhe në televizion, për kontributin në muzikën maqedonase, por edhe për aktivizmin e tij qytetar dhe për përfshirjen në ruajtjen e mjedisit jetësore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në hapësirën mediatike dhe estradën maqedonase, por edhe në jetesën e përgjithshme shoqërore.
Branko Ognjanovski dhe Vasko Todorovi dekorohen për shfaqjen e papërsëritshme humoristike “K-15”, nëpërmjet të cilës transmetojnë një satirë unike sociale, politike dhe ekonomike mbi gjendjet në shoqërinë maqedonase. Si një nga personalitetet më karakteristike televizive ata lënë gjurmë edhe nxitje mbi zhvillimin e kësaj krijimtarie dhe për brezat e ardhshëm.

Mirënjohja Dekorata e Republikës së Maqedonisë së Veriut i është dhënë Teatrit Shqiptar për ekzistencën prej shtatë dekadash nëpërmjet të cilës është etabluar në një nga institucionet udhëheqëse artistike i cili realizon një veprimtari jashtëzakonisht të rëndësishme kulturore, edukative dhe estetike në shoqërinë maqedonase, si dhe për kontributin e pashlyeshëm në zhvillimin e teatrit bashkëkohor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.   

Në vijim është fjalimi i Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Vlerësimi i asaj që institucionet dhe individët i lënë trashëgim popullit të tyre, veçanërisht atyre që me punën e vet e kanë obliguar shoqërinë së cilës i përkasin, është detyrim dhe përgjegjësi e çdo shteti serioz, por edhe një akt që sigurisht nuk është vetëm i natyrës protokollare.

Ne jemi një vend i vogël, por mund të mburremi me personalitete të jashtëzakonshme, autorë, krijues, në shumë fusha të jetës shoqërore, veçanërisht në kulturë dhe art.

Gjatë katër viteve e gjysmë të fundit të mandatit tim, kam pasur mundësinë të jap një numër të konsiderueshëm mirënjohjesh dhe çmimesh për individë dhe institucione vërtet të jashtëzakonshme dhe të etabluara.

Për fat të keq disa ngjarje kanë qenë pas vdekjes ose me vonesë, sepse edhe kur ekziston vullneti, nuk keni mundësi për disa vjet të rregulloni atë që nuk është bërë me dekada.

Megjithatë, më e rëndësishmja është që ato personalitete dhe institucione të mos harrohen nga shteti i vet.

Besoj se së bashku me Komisionin për Dhënien e Mirënjohjeve dhe Dekoratave, në periudhën e kaluar arritëm t’u tregojmë respekt shumë vetave të cilët e meritojnë dhe e valorizuam kontributin e tyre në jetën e shumë brezave.

Sot vazhdojmë në këtë rrugë me dhënien e Dekoratës njërës prej institucioneve tona më të shquara artistike-kulturore, si me dhënien e tri medaljeve dhe tre urdhrave për merita aktorëve, regjisorëve dhe personaliteteve mediatike, të shquar të cilët janë pjesë e pandashme e kulturës maqedonase.

Në një prej shtëpive tonë më të shquara të teatrit – Teatrit Shqiptar i japim Dekoratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për përkushtimin prej shtatë dekadash në etablimin e artit teatror. Nëpërmjet interpretimit të shfaqjeve nga autorët më të shquar botërorë në gjuhën shqipe, teatri ka luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin dhe kultivimin e gjuhës amtare të një prej bashkësive tona më të mëdha etnike.

Njëkohësisht, Teatri Shqiptar, i cili i kushton vëmendje të veçantë politikave të repertorit, është një institucion nga sfera e kulturës që promovon krijimtarinë më të rëndësishme dramatike dhe trashëgiminë kulturore maqedonase, por edhe atë botërore, duke ndjekur trendet bashkëkohore në artin skenik.

Teatri apo dërrasat që nënkuptojnë jetë ishte edhe vendi ku njëri prej aktorëve dhe regjisorëve tanë më të angazhuar dhe më të suksesshëm, Kole Angellovski, pati arritje të paharrueshme.

Përveç teatrit, ai do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij televiziv dhe filmik, me të cilin Angellovski padyshim u shndërrua në një nga emrat më të rëndësishëm artistikë të cilit i ka obliguar përgjithmonë kulturën maqedonase.

Televizioni, filmi dhe skena e teatrit janë mediat ku Gane Todorovski realizoi role mjeshtërore, duke e impresionuar publikun e të gjitha brezave. Talenti i tij artistik ka arritur të shkaktojë gjithmonë emocione te shikuesit, duke e bërë një ndër aktorët më të preferuar midis popullit.

Gjithmonë kur i përmendim emrat e aktorëve të mëdhenj, nuk mund të mos përmendet emri i Bajrush Mjakut, një prej aktorëve tanë maqedonas më të eksponuar, më të rëndësishëm dhe më kompleksë, me kapital ndërkombëtar enorm. Me talentin e vet të pakontestueshëm dhe me portretizimin mjeshtëror të personazheve, Mjaku vepron sugjestivisht dhe fuqishëm, në një sërë shembujsh të aktrimit të jashtëzakonshëm.

Të nderuar,

Përveç këtyre tre emrave të mëdhenj të artit të cilëve u japim Urdhrin për Merita, sot me ne është edhe një treshe televizive të domosdoshme që janë bërë sinonim në kulturën popullore me humorin dhe satirën sociale në Maqedoninë e pavarur – Lupço Karov, Branko Ognjanovski dhe Vasko Todorov. Këta janë tre krijuesit dhe producentët të emisionit më të njohur televiziv, pa dyshime, në historinë e Maqedonisë së pavarur – K15, të cilëve sot do t’ua japim Medaljen për Merita – e merituar.

Prezantimi i tyre kritik dhe humoristik i ngjarjeve aktuale politiko-ditore dhe skeçet e tyre të përjetshme, të paharrueshme edhe sot e kësaj dite mbahen mend dhe shkaktojnë humor të mirë te teleshikuesit. Të shpresojmë se ndoshta akti i sotshëm do të jetë motiv për ta që të na krijojnë edhe ndonjë episod të ri të K-15 dhe t’i ringjallin personazhet e Tosho Malerot, Cackos dhe Mile Panikas ose të na befasojnë me ndonjë projekt krejtësisht ndryshe. Sinqerisht, të gjithë e preferojmë opsionin e parë.

Të nderuar,

Që në fillimet e qytetërimit, njeriu kishte nevojë për katarzë, duke zbërthyer përditshmërinë dramatike nëpërmjet ironisë dhe humorit, duke e transferuar realitetin në art dhe më pas, nëpërmjet artit, duke fisnikëruar të njëjtin realitet. Sot, gjashtë individëve dhe një institucioni që e bëjnë botën tonë më të mirë, që kontribuojnë në zbukurimin dhe fisnikërimin tonë, besoj se në emër të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë ua vlerësojmë punën dhe arritjet e tyre profesionale në mënyrën e duhur.

Jam i bindur se veprat dhe arritjet e tyre do të jenë nxitje edhe për brezat e tashëm edhe për brezat e ardhshëm që të krijojnë në teatër, në film, në televizion dhe në mediat e reja. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohen tempujt e trashëgimisë kulturore maqedonase, siç e bebe atë edhe personalitetet të cilave sot ua shprehim respektin dhe falënderimin tonë.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....