Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në Konferencën ballkanike të liderëve të Klubit të Podgoricës dhe Federatës Universale Paqësore

14 Tetor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në Konferencën ballkanike të liderëve që mbahet në Shkup me temë “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE – Sfidat dhe perspektivat”, organizua nga Klubi i Podgoricës dhe Federata Universale Paqësore.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për ftesën që të mbaj fjalim në këtë konferencë të rëndësishme. Kam nderin të jemi midis jush, liderëve të Klubit të Podgoricës. E di se si veteranë të proceseve, secili prej jush ia ka kushtuar një pjesë të karrierës së vet aktive politike integrimeve evropiane. Si rrjedhim, me përvojën e vet të pasur ju mund të kontribuoni në ndërtimin e paqes së qëndrueshme, zhvillimit dhe prosperitetet në rajon.

Këtë vit përfundojnë 20 vjet nga Agjenda e Selanikut për Ballkanin Perëndimor e cila kishte si qëllim ta pajtojë rajonin dhe ta përshpejtojë integrimin e shteteve tona në Bashkimin Evropian. Për fat të keq, Agjenda e Selanikut është realizuar vetëm pjesërisht dhe me vonesë të madhe. Vetëm Kroacia u bë anëtare, kurse shtetet e tjera janë në një farë limbo-pozitë midis statusit kandidat dhe negociatave që më tepër qëndrojnë në vend, sesa lëvizin.
Nëpër vite u kristalizuan dy shkaqe kryesore për këtë qëndrim në vend. Së pari vendet e rajonit nuk i përfunduan detyrat e veta të shtëpisë ose të paktën jo aq mirë dhe në kohë që të marrin dritë të gjelbër për anëtarësim. Në një nga pikat kryesore të Agjendës së Selanikut, shtetet e rajonit e ndërmorën obligimin të luftojnë krimin dhe korrupsionin e organizuar si një nga pengesat kryesore për stabilitet demokratik, sundim të të drejtës, zhvillim ekonomik dhe përparim të shoqërisë qytetare. Në vend të kësaj, korrupsioni u bë një nga gjeneratorët kryesorë të shpërnguljes së të rinjve nga rajoni ynë, të cilët duan të jetojnë në vende dhe sisteme ku mund të përparojnë në karrierë, por në bazë të njohurive dhe shkathtësive personale.
Shkaku i dytë është se edhe vetë Bashkimi Evropian nuk ishte tërësisht i fokusuar te zgjerimi, duke lënë hapësirë për përforcim të proceseve të caktuara retrograde në disa nga shtetet e rajonit. Të tri zgjerimet në periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2007 dhe cikli i krizave financiare dhe kreditore shkaktuan lodhje në Bashkim. Ballkani Perëndimor de facto është hequr nga agjenda evropiane dhe shtetet ishin lënë të merren vetë me veten. Me zgjerim praktikisht të ngrirë, qytetarët filluan ta përjetojnë Bashkimin si një qëllim gjithnjë dhe më të largët dhe të paarritshëm.

Të nderuar shkëlqesi,

Lufta në Ukrainë krijoi një kontekst të ri gjeopolitik dhe të sigurisë në kontinentin evropian. Pas shumë vitesh, zgjerimi më në fund është rikthyer në agjendën e Bashkimit Evropian, por në mënyrë të papritur. Në samitin e qershorit, Këshilli Evropian vendosi t’u japë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Vendimi është marrë në një kohë kur nuk ka përparim në negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë, kur ekziston rreziku që të përfundojë skriningu pa filluar negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe kur nuk ka lëvizje reale përpara për Bosnjën dhe Hercegovinën, pavarësisht nga statusi zyrtar i kandidatit. Është e pakontestueshme se me statusin kandidat u jepet mbështetje simbolike Ukrainës dhe Moldavisë në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë dhe kjo është mirë, por, Ballkanit Perëndimor nuk i nevojitet simbolizam politik, por vendim konkret politik.
Mandej duke u bazuar në vendimet e veta për Ukrainë dhe për Moldavinë mbi rezonin gjeopolitik, në vend të agjendës tradicionale të reformave dhe performancave, Bashkimi Evropian filloi të ngjasojë me Aleancën e NATO-s.

Presidentja e Komisionit Evropian, e promovon shpesh idenë për BE-në si një lojtar global gjeopolitik. Por, nëse ka vërtet ambicie për të qenë lojtar gjeopolitik, BE-ja duhet së pari të rrumbullakoset dhe të sigurojë hapësirën e saj gjeopolitike evropiane nëpërmjet integrimit të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset në Bosnjë dhe Hercegovinë janë përkujtues se nuk duhet të neglizhojmë çështjet e hapura dhe pikat kritike që kanë potencial të destabilizojnë rajonin tonë, kurse nëpërmjet rajonit edhe vetë Bashkimin.

Dinamika e zgjerimit të Bashkimit dhe bashkimi i Evropës nuk duhet të varet nga krizat dhe nga luftërat. Përndryshe, lind një pyetje e pakëndshme: Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, çfarë do të ndodhë kur armiqësitë do të pushojnë? A do të jemi të vendosur sërish mënjanë, deri në krizën e ardhshme të sigurisë apo emigrantëve në kontinent si në vitin 2015 dhe 2016? Jam i sigurt se askush nga ne nuk dëshiron që suksesi i vendeve tona të varet nga tragjedia e ndonjë vendi tjetër në botë.
Gjatë kësaj, nuk ndihmojnë aspak deklaratat e dykuptimshme të disa udhëheqësve evropianë që avokojnë, së pari, reformat e brendshme në Bashkim, kurse mandej zgjerimin. Së pari, shohim se edhe me rastin e planit të fundit francez-gjerman për reformat e brendshme të BE-së, po bëhet një ndarje e brendshme e Bashkimit, së dyti, deklaratat e tilla ushqejnë drejtpërdrejt euroskepticizmin në rajonin tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë kontekst, mund të flas në mënyrë relevante për përvojën maqedonase. Nga pavarësi e këndej, gjenerata të liderëve politikë morën vendime të vështira dhe bënë kompromise të mëdha në emër të Maqedonisë evropiane. Para pak kohe përfunduan pesë vjet nga referendumi për ndryshimin e mërit. Është fakt i pakontestueshëm se Prespa na e hapi rrugën për anëtarësim në NATO. Por, nuk duhet të harrohet se pyetja e referendumit ishte: “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranim të Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Bashkimi Evropian ka humbur shumë nga kredibiliteti i tij pikërisht në rastin e Maqedonisë së Veriut. Qytetarët maqedonas janë lodhur duke qëndruar në dhomën e pritjes së Bashkimit Evropian. Nuk do të ekzagjeroj nëse them se rënia e euroentuziazmit në shtetet e tjera të rajonit në një masë është edhe për shkak të rastit maqedonas. Një nga komentet më të shpeshta në rajon është se, nëse Maqedonia, pavarësisht ndryshimit të emrit, nuk e mori fillimin e negociatave për anëtarësim, atëherë çfarë mund dhe duhet të bëjnë të tjerët që të përparojnë në atë rrugë.

Pyetja kryesore është se çfarë mund të bëhet që të zvogëlohet euroskepticizmi në rritje? Në vend të qasjes reaktive, nevojitet qasje proaktive, si nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Shtetet tona duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për reforma thelbësore evropiane të domosdoshme për sundimin e të drejtës dhe të institucioneve funksionale dhe të përgjegjshme. Njëkohësisht, Bashkimi Evropian duhet të tregojë kujdes më të madh për rajonin.

Në samitin e ardhshëm të dhjetorit, Këshilli Evropian ka mundësinë të marrë vendime për integrim më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në vend që ta shtyjë këtë çështje për pas zgjedhjeve evropiane. Ka shumë mundësi që në ato zgjedhje ose pas atyre zgjedhjeve, plejada politike në Parlamentin Evropian të ndryshojë dhe të përforcohen forcat që nuk e shohin mirë zgjerimin. Kjo mund të nënkuptojë lehtësisht një tjetër dekadë të humbur për shtetet e rajonit.

Përndryshe, për këtë jemi mbledhur sot, të bisedojmë për këto sfida dhe mbi mundësitë për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. E di se prej jush do të kemi çfarë të dëgjojmë dhe se prej këndej, nga Shkupi mund t’u dërgojmë mesazhe të qarta partnerëve tanë në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....