Presidenti Pendarovski mbajti fjalim me rastin e shënimit të 60-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese

15 Mars 2024 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në hapjen solemne të Konferencës ndërkombëtare me temë “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe të lirisë së shprehjes publike të mendimit”, që me rastin e 60-vjetorit të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese u mbajt në Shkup.

Në vijim është teksti i integruar i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

E nderuara kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar gjykatës të Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar përfaqësues të gjykatave kushtetuese nga jashtë,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të mbaj fjalim në hapjen e Konferencës ndërkombëtare me temë “Mbrojtja kushtetuese-gjyqësore e lirisë së mendimit dhe të lirisë së shprehjes publike të mendimit”,  me të cilën shënohet jubileu i rëndësishëm, 60 vjet nga formimi i Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjykata Kushtetuese ka një traditë të gjatë që daton që nga koha e zhvillimit tonë shtetëror-juridik në ish-Jugosllavi. Gjykata Kushtetuese për herë të parë është futur në rendin juridik me Kushtetutën e atëhershme të Republikës Socialiste të Maqedonisë të vitit 1963, që vitin e ardhshëm 1964 të fillojë me punën e saj. E përmend këtë fakt sepse futja e gjyqësorit kushtetues ishte një hap i rrallë dhe i pazakontë në një shtet socialist njëpartiak siç ishte ish-Jugosllavia dhe padyshim që përfaqësonte një hap pozitiv në kufizimin e vullnetarizmit politik dhe vendosjen e dominimit të nomenklaturës politike të atëhershme në pushtet në korniza ligjore.

Me Kushtetutën e vitit 1991 Gjykata Kushtetuese vazhdoi të funksionojë, por në rrethana të ndryshuara theksueshëm të një shteti të pavarur me rend politik demokratik. Në këtë kuptim, puna dhe vendimet e përbërjes së atëhershme të Gjykatës Kushtetuese ishin garanci jashtëzakonisht e rëndësishme që kalimi në një shoqëri demokratike dhe pluraliste të bazuar në parimet e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ndarjen e pushteteve dhe ekonomia e tregut do të zhvillohet në kuadrin e parashikuar nga kushtetuta e re.

Mjafton të rikujtojmë se Maqedonia nuk ka pasur asnjë përvojë demokratike në historinë e saj deri në vitin 1991 që ta kemi të qartë se cila ishte përgjegjësia e gjykatësve kushtetues në atë kohë. Sipas bindjes sime, Gjykata Kushtetuese dhe gjykatësit e saj në ato periudha kyçe të ndërtimit të shtetit dhe të sistemit të ri demokratik mbajtën me mjaft sukses barrën e kohës për të cilën meritojnë njohje dhe falënderime për punën e tyre.

Të nderuar,

Gjykata Kushtetuese kishte një rol jashtëzakonisht të rëndësishme edhe gjatë pandemisë së para pak kohe të kovid-19, kur edhe si shoqëri edhe si shtet u gjetëm në një situatë jashtëzakonisht komplekse, para së gjithash, nga aspekti shëndetësor dhe socioekonomik, por edhe për shkak të serisë së sfidave kushtetuese-juridike.

Në gjendje pa precedent në historinë tonë kushtetuese-juridike u detyruam të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme dhe kjo në situatë kur Kuvendi ishte i shpërbërë, nuk ishte funksional dhe me Qeveri teknike detyra primare e të cilës ishte të zbatojë zgjedhjet e caktuara tashmë, kurse të mos ballafaqohet me pasojat e pandemisë të cilën nuk mund ta parashikonte askush para kohe. Në situatë kur në bazë të vendimeve për gjendjen e jashtëzakonshme, Qeveria fitoi mundësi të miratojë dekrete me fuqi ligjore me të cilën kufizohen për shkak se ishte e nevojshme, të drejtat dhe liritë e njeriut, por ndryshonin edhe ligjet ekzistuese dhe miratoheshin norma krejtësisht të reja me fuqi ligjore, Gjykata Kushtetuese ishte institucioni kryesor i cili në kushte të ndarjes së çrregullt të pushtetit e kontrollonte rregullisht kushtetutshmërinë e dekreteve dhe vendimeve.

Vendimet dhe argumentimet e Gjykatës Kushtetuese, për mua si President i shtetit, ishin me rëndësi të jashtëzakonshme gjatë marrjes së vendimeve që ishin në kompetencën time gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Mendoj se jam real, nuk kam arsye të mos jem, kur them se në vendimet e vete Gjykata Kushtetuese dëshmoi sensibilitet të jashtëzakonshëm për standardet nacionale, por edhe për ato ndërkombëtare për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut që ishte  shumë e rëndësishme për vlerësimin pozitiv nga Këshilli i Evropës në raport me kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në periudhë kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, kurse e gjithë kjo në prizmin e standardeve të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Duke u nisur nga kjo përvojë, më lejoni të shkoj një hap përpara dhe të përfshihem në diskutimin për të ardhmen e gjyqësisë kushtetuese në shtetin tonë. Mendoj se në të ardhmen Gjykata Kushtetuese duhet të profilohet edhe më aktivisht si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut. Një mënyrë janë ndryshimet e Kushtetutës dhe  vendosja e padisë kushtetuese si mjet juridik për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive dhe këtu dua, pa rezerva, edhe njëherë ta mbështes këtë iniciativën tuaj, edhe pse këtë e kam bërë edhe më parë.

Padia kushtetuese është mjet efikas i vërtetuar për mbrojtjen gjyqësore kushtetuese të të drejtave dhe lirive të njeriut. Edhe pse, deri më tani, kanë ekzistuar shumë iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës sonë në këtë drejtim, për fat të keq, shumë përbërje parlamentare nuk mblodhën fuqinë që ta bëjnë këtë gjë, kurse diskutimi për ndryshime të Kushtetutës, me qëllim, të vendosjes së padisë kushtetuese përfundon me argumente për çështje krejtësisht të ndryshme që nuk lidhen me këtë temë. Shpresoj se në një të ardhme të afërm përveç opinionit profesional edha ai politik, do ta kuptojë rëndësinë e vendosjes së padisë kushtetuese si segment i rëndësishëm në reformat dhe hap në përforcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në këtë kuptim, kurse lidhur me temën e konferencës, dua ta theksoj rëndësinë e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përcaktimin e shkeljes së të drejtës së shprehjes së lirë të mendimit, të mbrojtur me Kushtetutën tonë, e cila është një prej pak të drejtave dhe lirive që edhe me dispozitat ekzistuese kushtetuese i mbron kjo Gjykatë. Gjatë kësaj u referohem vendimeve që i morët gjatë periudhës së fundit në raport me ngjarjet tragjike të 27 prillit 2017 që ndodhën pikërisht në këtë ndërtesë.

Përveç sulmit mbi rendin tonë demokratik kushtetues dhe dhunës ndaj deputetëve, u sulmuan edhe ekipet e gazetarëve të cilët informonin nga seanca konstitutive në Kuvend. Në përpjekje që të pengohet tranzicioni paqësor i pushtetit, turma e dhunshme e organizuar nga strukturat e pushtetit të atëhershëm sulmoi gazetarë duke u përpjekur t’i ndalojnë që të informojnë publikun mbi ngjarjet. Vendimet tuaja të cilat e konstatuan shkeljen e të drejtës së shprehjes së mendimit janë satisfaksion i drejtë jo vetëm për gazetarët e sulmuar por edhe për opinionin e tërësishëm demokratik në shtetin tonë.

Të nderuar,

Në fund të fjalimit tim më lejoni, edhe njëherë, t’jua uroj 60-vjetorin jubilar dhe t’ju dëshiroj edhe shumë vite punë të suksesshme dhe të përkushtuar në mbrojtjen e Kushtetutës dhe të rendit demokratik. Kjo konferencë ku do të keni mundësi të shkëmbeni përvoja me të ftuarit e nderuar nga shumë gjykata kushtetuese nga jashtë, por, edhe me përfaqësues të opinionit shkencor dhe publik, është një mënyrë dinjitoze për festimin e këtij jubileu dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë drejtim ju uroj konferencë të suksesshme.

Ju faleminderit!

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....