Pjesëmarrja e Presidentes Siljanovska Davkova në Forumin e tretë gjyqësor për barazinë gjinore dhe drejtësinë në Ballkanin Perëndimor

7 Mars 2025 | Fjalimet

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti një fjalim në Forumin e tretë gjyqësor për barazinë gjinore dhe drejtësinë në Ballkanin Perëndimor, i cili mbahet në prag të përkujtimit të 75-vjetorit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Forumi është organizuar nga Qendra AIRE (AIRE Centre) në partneritet me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe Ambasadën Britanike në vend.

Në forum morën pjesë zëvendëspresidentja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjykatësja Ivana Jeliq, drejtoresha e programit për Ballkanin Perëndimor në Qendrën AIRE, Biljana Brejtueit, dhe zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës Britanike, Daniel Filer. Në këtë forum foli edhe ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, dhe përfaqësuesja speciale e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë, Karolin Ziadeh.

Të nderuar gjykatës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,

E nderuar Drejtoreshë e Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor,

I nderuar ushtrues i detyrës ambasador i Ambasadës Britanike,

Të nderuar gjykatës nga gjykatat e larta të Ballkanit Perëndimor,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini në Forumin e Tretë për Barazinë Gjinore për Ballkanin Perëndimor.

8 Marsi, Dita e Gruas, është momenti i duhur për të përballur çështje thelbësore që lidhen me të drejtat e grave dhe vajzave si të drejta të njeriut.

Kemi kaluar një rrugë të gjatë drejt barazisë gjinore, por para nesh është ende një rrugë më e gjatë dhe më e vështirë. Jetojmë në kohë dramatike, ku gratë janë të parat që goditen. Por, çfarë kemi arritur?

Të vetëdijshëm se shoqëria patriarkale është e vështirë për t’u ndryshuar, kemi aplikuar sistemin e kuotave gjinore neutrale si një masë politike, e cila është përfshirë në kodet zgjedhore të shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe te ne fillimisht me kuotën prej 30%, pastaj 40% në listat zgjedhore të partive politike për zgjedhjet për Kuvendin dhe këshillat e komunave. Sot në Kuvend kemi 47 deputete nga 120, dhe një nënkryetare sipas nenit të Rregullores që thotë se nga tre nënkryetarët, një duhet të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Për fat të keq, dështoi përpjekja për të përfshirë përfaqësim paritar gjinor në listat zgjedhore. E humbëm mundësinë për të ndjekur ritmin natyror të natyrës.

Unë u bëra presidentja e parë dhe po përpiqem të aplikoj atë që kam mësuar dhe promovuar në trupat që krijoj.

Megjithatë, progresi kryesor i arritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor është në fushën e reformave ligjore. Por, ligjet nuk janë të mjaftueshme. Në shumicën e shteteve, duke përfshirë edhe timen, është e rëndësishme të theksohet se është miratuar legjislacioni që parashikon mbrojtjen e grave që janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore, dhunës seksuale, është miratuar legjislacioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, janë miratuar akte nënligjore dhe masa për mbrojtjen dhe dëmshpërblimin e viktimave të dhunës familjare.

Në Kroaci dhe në Maqedoni, pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, u ndryshuan ligjet penale që të përcaktohet femicidi si një krim.

Kjo do të thotë se ligjet u përmirësuan në mënyrë që të sigurohet mbrojtje nga ngacmimi në vendin e punës, duke ndaluar ngacmimin psikologjik dhe seksual dhe duke ofruar mekanizma për kompensimin e viktimave.

Por, duhet të theksoj se, edhe pse të gjitha vendet e rajonit e ratifikuan Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, problemet ende ekzistojnë. Shtetet investuan në përmirësimin e kuadrit të tyre institucional dhe politik të orientuar drejt eliminimit të diskriminimit ndaj grave dhe promovimit të barazisë gjinore, duke përfshirë edhe formimin e trupave koordinues kombëtarë për parandalimin e dhunës familjare dhe miratimin e planeve kombëtare të veprimit për barazinë gjinore. Janë ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar stereotipat gjinorë, duke përfshirë edhe seksizmin në mediat publike, radio dhe televizione. Megjithatë, unë ende jam e shqetësuar për të mëposhtmet:

(a) Stereotipat diskriminues gjinorë në lidhje me rolet dhe përgjegjësitë e grave dhe burrave në familje ekzistojnë ende , madje edhe në sistemin arsimor dhe në shoqërinë në përgjithësi;

(b) Qëndrimet diskriminuese në internet, sidomos për gjuhën e urrejtjes në mediat sociale, kundër grave dhe vajzave janë të dukshme. Sot mund të flasim tashmë për dhunën digjitale, për abuzimet digjitale, për ngacmimet digjitale.

Pa dyshim, ekziston një mungesë e qartë e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të përfshinte bashkësinë dhe do ta drejtonte atë drejt eliminimit të stereotipave diskriminues gjinorë dhe praktikave shumë të dëmshme ndaj nesh grave.

Edhe unë, si profesoreshë, mendoj se arsimi ka një rol kyç në transformimin e rolit jo dhunues të shoqërisë si një tërësi. Pikërisht për këtë arsye, arsimi duhet të vazhdojë dhe nëpërmjet angazhimit në këtë drejtim brenda organizatave qytetare, rinore, në zonat urbane dhe rurale, në shoqata, në sektorin publik dhe atë të biznesit.

Sipas meje, është e rëndësishme të përforcohen masat për parandalimin dhe monitorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj grave dhe vajzave në rrjetet sociale nëpërmjet zbatimit efektiv të sanksioneve penale lidhur me gjuhën e urrejtjes, duke u fokusuar tek vajza, por edhe te gratë që u përkasin grupeve të ndryshme etnike dhe minoritare.

Problemet e përmendura duhet të zgjidhen në mënyrë holistike. Qasja holistike do të përfshijë jo vetëm miratimin e ligjeve dhe strategjive, planeve, por edhe angazhimin aktiv shoqëror të të gjithëve në drejtim të mbështetjes së vazhdueshme të grave në gjithë jetën e tyre.

Më gëzon jashtëzakonisht fakti që sot, këtu në këtë forum, për mua, është shumë i rëndësishëm, janë gjithashtu pesë gjykatës nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të udhëhequr nga nënkryetarja e Gjykatës në Strasburg, zonja Ivana Jeliq. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave janë pjesë përbërëse e rendit juridik në shtetet tona, por ende mungon një ndërgjegje e fortë dhe e shprehur qartë për këto dokumente, dhe sidomos për rëndësinë e praktikës gjyqësore të Gjykatës në Strasburg. Prandaj, mendoj dhe besoj se me pjesëmarrjen tuaj sot do të kontribuoni në përhapjen e ndërgjegjësimit, të së vërtetës, për rëndësinë e praktikës gjyqësore, por gjithashtu për dialogun midis dhe me gjykatësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Jam e bindur se nëpërmjet dialogut do të inspirohemi njëri nga tjetri, do të mësojmë dhe do të punojmë për mirëqenien e barazisë gjinore.  Dhe, sigurisht, do të mbështetemi në historitë e suksesshme.

Ju uroj punë të suksesshme!

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit