Video-fjalimi i Presidentit Pendarovski në jubileun e 50-të të “Takimeve të tetorit” të Lidhjes së shoqatave të laborantëve mjekësorë dhe të teknikëve sanitarë

6 Tetor 2023 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski nëpërmjet mesazhit me video mbajti fjalim në hapjen e jubileut të 50-të të “Takimeve të tetorit” të Lidhjes së shoqatave të laborantëve mjekësorë dhe të teknikëve sanitarë.

Të nderuar anëtarë të Lidhjes së shoqatave të laborantëve mjekësorë dhe të teknikëve sanitarë,

Të nderuar të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Më vjen keq që për shkak të obligimeve të ndërmarra paraprakisht sot nuk kam mundësi të jem personalisht me ju, por ju falënderoj për mundësinë që të mbaj fjalim dhe t’ju përshëndes nëpërmjet video-mesazhit.

Duke pasur parasysh se “Takimet e tetorit” janë të mbushura me ligjërata plenare, prezantime dhe sesione nga profesorë eminentë, mjekë dhe specialistë e teknikë laboratori, ku do të prezantohen arritjet moderne në të gjitha fushat e diagnostikimit laboratorik, jam i bindur për një edicion tjetër të suksesshëm.

Përndryshe, fakti që takimet zhvillohen vazhdimisht tashmë pesë dekada është vërtetimi më i mirë i rëndësisë së tyre. Dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe ta përgëzoj sinqerisht Lidhjen e Shoqatave të Laborantëve Mjekësorë dhe Teknikëve Sanitarë për përvjetorin e tyre madhështor, 50-vjetorin e “Takimeve të tetori” dhe sigurisht të uroj edhe shumë vite të tjera të vazhdimit të këtij manifestimi.

Pikërisht nëpërmjet “Takimeve të tetorit” si tubim i lartë profesional ndërkombëtar ju shkëmbeni përvoja dhe e zhvilloni bashkëpunimin midis kolegëve si nga vendi ashtu edhe nga rajoni. Në këtë mënyrë, kontribuoni në përparimin e praktikës laboratorike në nivele më të larta.

Kuptohet,  Lidhja e cila bashkon 1500 anëtarë, për këtë fakt, meriton respekt dhe mbështetje edhe për aktivitetet e tjera të veta. Me këtë rast duhet t’i përmendim edhe “Takimet e prillit” të cilat mbahen për nder të Ditës Botërore të Laboratorit. Me angazhimin e përgjithshëm dhe me evenimentet e shumta Lidhja kontribuon në mënyrë thelbësore në përparimin e mëtejshëm dhe fitimin e njohurive të reja për anëtarët e vet që është me interes vital për shëndetësinë maqedonase dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi.

Të dashur miq.

Siç konstatova edhe paraprakisht, është padyshim e madhe rëndësia e laborantëve dhe teknikëve sanitarë në suazat e sistemit të tërësishëm shëndetësor. Falë profesionalizmit, etikës dhe përkushtimit tuaj kemi zbatim efikas të testimeve laboratorike të cilat janë segment i domosdoshëm në trajtimin mjekësor të pacientëve. Kontributi juaj por dhe i përgjithshëm i çdo punonjësi mjekësor në kujdesin cilësor dhe në kohë të pacientëve është me rëndësi thelbësore dhe si i tillë duhet të respektohet dhe vlerësohet.

Gjatë pandemisë së kovidit, analizat laboratorike kishin rëndësi kritike dhe ju, si gjithmonë, ishit të angazhuar në maksimum që të kontribuoni në luftën me këtë virus dhe për kujdesin dhe mjekimin e pacientëve. Përndryshe, ju e dini më mirë se lufta për jetët dhe shëndetin e qytetarëve tanë është përditshmëri ku nuk keni pushim dhe nuk lejohen improvizime. Edhe në pandemi, edhe në kohë më të qeta, ju dhe të gjithë punonjësit shëndetësorë jeni të angazhuar dhe mobilizuar në maksimum që të ndihmoni dhe prandaj e keni mbështetjen dhe falënderimin nga e gjithë bashkësia.

Do të dëshiroja në fund të fjalimit tim edhe njëherë t’ju uroj sukses në jubileun e 50-të të “Takimeve të tetorit”, kurse të gjithë të ftuarve nga jashtë qëndrim të këndshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....